-0.1 C
Pristina
Wednesday, December 25, 2024

Schwarz-Schilling: Konflikti i ri i hapur Kosovë-Serbi, me pasoja fatale për këtë shtet të Evropës

Rekomandime

Jo-ja e BE-së ndez konflikte në Ballkanin Perëndimor.

Negociatat e dështuara nën mbikqyrjen e BE mes Serbisë dhe Kosovës të mund të çojnë në një konflikt të hapur me pasoja fatale për Bosnje-Hercegovinën

Cili është kursi që do të ndjekë Ballkani Perëndimor pas Jo-së së BE për hapjen e negociatave me Shqipërinë e Maqedoninë e Veriut? Christian Schwarz-Schilling sheh me shqetësim nga Ballkani, e është mjaft kritik me BE.

- Advertisement -

Refuzimi i fillimit të bisedimeve të anëtarësimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë për shkak të vetos së Francës ka pasoja negative për Ballkanin Perëndimor.

Sërish është bërë e qartë, se Europa nuk i mban premtimet e saj duke rënë kështu në një krizë besueshmërie.

E drejtë është që kërkesat e Europës në drejtim të shtetit ligjor për vendet kandidate duhet të mbeten në fuqi.

- Advertisement -

Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut megjithatë kanë filluar rrugën e vënies në jetë të këtyre kërkesave, siç e ka konfirmuar edhe Komisioni Europian. Refuzimi i hapit tjetër në drejtim të BE i çon prapa si këto vende edhe rajonin.

Cilin kurs do të ndjekë tani Ballkani Perëndimor?

- Advertisement -

Për të gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor tani shtrohet pyetja: po tani? Rruga drejt BE, siç duket tani, është për një kohë të gjatë e bllokuar.

Pse do duhet që këto vende tani të vazhdojnë të punojnë për kriteret që kërkon anëtarësimi, kur atyre iu bëhet e qartë, se zgjerimi i BE po ndalet, por për arsye të tjera?

Europa e dinte rrezikun që këto vende mund të kthejnë sytë nga Lindja. Megjithatë, BE bën një gabim të rëndë, disa thonë madje historik, dhe nuk e mban premtimin e saj.

Një institut studimor, ESI kërkon tani përfshirjen e këtyre gjashtë vendeve në hapësirën ekonomike europiane, si një stacion konkret në rrugën drejt BE. Kjo ka shkaktuar diskutime të forta. Shumë janë kundër.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në intervistë me gazetën vjeneze, “Der Standard” e ka thënë qartë:

„Jo-ja e BE-së për negociatat do të çojë në Serbi në atë që BE të bëhet më jopopullore, dhe të ketë më pak besim tek ajo. Por ne kujdesemi për veten. Ne duhet të zgjidhim marrëdhëniet tona në rajon. Ne kemi marrëdhënie të mira edhe me Kinën, Rusinë apo Turqinë.

Sipas këtij kursi, Serbia e ka të nënshkruar një marrëveshje me Unionin Ekonomik Euroaziatik, megjithëse ky hap nuk pajtohet shumë me anëtarësimin në BE. Rusia ka ftuar menëjherë Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut të bëjnë të njëjtën gjë. Moska nuk pret shumë për të shfrytëzuar për vete gabimet e Europës!

Europa nuk ka qartësi për interesat e saj

Çfarë zhvillimesh të pabesueshme? Europës i mungon një politike strategjike e përbashkët. Mungon qartësia për interesat tona dhe vizioni ynë për të zgjidhur problemet në Ballkan. E është shumë e vështirë për t’u kuptuar, se çfarë mendon elita politike në Europë sot.

Prandaj është e rëndësishme që të paktën NATO të jetë prezente në Ballkanin Perëndimor.

Shqipëria dhe Mali i Zi janë ndërkohë vende anëtare, Maqedonia e Veriut është gati para anëtarësimit. Vetëm Serbia nuk synon anëtarësim në NATO, kjo vlen edhe për etnitetin serb në Bosnje-Hercegovinë, Republikën Srpska, që është kundër anëtarësimit, megjithëse para vitesh ishte dakord për të nënshkruar zyrtarisht kërkesën për anëtarësim të Bosnje-Hercegovinës. Kjo shkakton tani probleme të mëdha dhe një bllokadë politike në BS.

Marrëdhëniet e mira të Dodikut me Rusinë

Qeveria në Bosnje-Hercegovinë pas zgjedhjeve në tetor 2018 ende nuk është krijuar, sepse Republika Srpska mendon ndryshe tani dhe nuk i respekton ujditë e arrira. RS e refuzon planin e aksionit të anëtarëve, MAP dhe e bllokon kështu rrugën e Bosnje-Hercegovinës në NATO. Burri i fortë i republikës serbe, Milorad Dodik, ndërkohë edhe anëtar i presidencës së shtetit B-H ka marrëdhënie të mira me Rusinë, që është kundër zgjerimit të NATO-s në Ballkan dhe lufton për pavarësinë e Republikës Srpska.

Në një kohë pra që Rusia e forcon influencën e saj në rajon me hapa konkretë, BE bën premtime boshe. Kështu rritet rreziku i konflikteve të rënda në të ardhmen, nëse Dodik qëllimin e tij për shkëputje e pason me hapa konkretë dhe e afron RS me Serbinë.

Madje edhe presidenti, Vuçiq, që është shumë i kujdesshëm në deklaratat e tij kundrejt Bosnje-Hercegovinës, në intervistë për “Standard” lidhur me një referendum për pavarësinë në ish-Jugosllavi, shtroi pyetjen „Pse nuk lejohet sot një referendum në Republikën Srpska?” Ai i hedh sytë drejt një republike të pavarur Srpska, sepse i dhemb humbja e Kosovës, dhe beson, se duhet t’i ofrojë zgjedhësve të tij një kompensim. „Serbët janë të vetmit që nuk kanë të drejtë për vetëvendosje. Kjo i zemëron serbët, kur dëgjojnë, që të gjithë të tjerët e kanë bërë gjithçka sipas standardeve ndërkombëtare, por kur ata vetë luten për diçka, për ta nuk bëhet një rast ‘sui generis’.”

Konflikt i ri i hapur?

Ka një rrezik real, që negociatat e dështuara nën mbikqyrjen e BE mes Serbisë dhe Kosovës të mund të çojnë në një konflikt të hapur e kjo me pasoja fatale për Bosnje-Hercegovinën, sidomos për distriktin Brçko, që qëndron gjeografikisht mes Republikës Sprska dhe Serbisë dhe që do të luante një rol vendimtar në një grindje të tillë.

Prandaj është shumë e rëndësishme, që krahas misionit ushtarak të BE, EUFOR edhe NATO, që është prezente në B-H që nga fundi i luftës në vitin 1995, të tregojë në këtë rajon një prezencë më të fortë ushtarake për të ndaluar zhvillime më të këqija.

Dhe Europa – para këtyre zhvillimeve – duhet më në fund të zgjohet./DW

-Advertisement-

Më shumë artikuj

- Advertisement -

Të fundit