Presidenti Ilir Meta këmbëngul që Shqipëria duhet të ndahet nga Maqedonia në procesin e integrimit në BE, pasi Sofja me veton që ka vendosur kundër Shkupit po bllokon edhe Tiranën. Kreu i shtetit tha në “Log.” se Presidenti bullgar i ka thënë se nuk ka gjë me Shqipërinë, por vetëm me Shkupin.
“Së pari në rast se bëhet fjalë për merita individuale, më vjen keq ta them, Maqedonia i ka plotësuar me kohë dhe është vite dritë përpara nesh dhe ne e morëm në qafë se donim të bënim zgjedhjet lokale sikur i bëmë dhe këto historitë me reformën në drejtësi dhe dy palët janë përgjegjëse, qeveria dhe opozita me lojërat që bënë.
Ne bëmë cdo gjë për të prishur hapjen e negociatave në tetor ndërkohë që Maqedonia kishte bërë një proces të jashtëzakonshëm ndërkohë që Zaev dha dorëheqjen dhe vajti në zgjedhje për mos hapjen e negociatave. Ndërsa ne edhe një marrëveshje 5 qershori për 10 ditë e shkatërruam. Ne jemi një shtet totalisht i kapur.
Kishin edhe ata një prokurore që ishte paraqitur si heroinë e anti-korrupsionit, por kur i dolën faktet vajti në burg. Sepse atje nuk janë kapur pushtetet. Kanë një problem me Bullgarinë. Kam folur me presidentin aktual të Bullgarisë më ka marrë në telefon dhe më ka thënë nuk kemi gjë me ju, e kemi me këta.
Bullgaria ka një problem me Maqedoninë dhe bën presion dhe unë nuk jam dakord. Ne jemi vonuar kaq shumë nëse Bullgaria nuk e heq, ne të ecim përpara. Ne kemi mbetur kaq mbrapa sa është një situatë mjaft alarmante” deklaroi Meta.
Por Tirana zyrtare nuk është e unifikuar në këtë qëndrim. Kryetarja e Komisionit të Politikës së Jashtme, Mimi Kodheli u shpreh në një intervistë për “Zërin e Amerikës” se Shqipëria nuk do të kërkojë shkëputjen nga Maqedonia dhe se beson që Sofja do të heqë veton.