1.4 C
Pristina
Thursday, December 26, 2024

Selmanaj: Në 30 vjet aktivitet, rrëzimi i Kurtit vendimi më i mirë, nominimi i Osmanit eksperimenti më i keq

Rekomandime

Anëtari i Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe zëvendëskryeministri në detyrë, Driton Selmanaj, në një intervistë të gjatë për Gazetën Express ka folur për të gjitha proceset politike, që nga negociatat për koalicion me VV’në, rrëzimin e Kurtit, largimin e Vjosa Osmanit, Specialen, zgjedhjet e reja e dialogun. Selmanaj ka thënë se veprimi më i mirë i LDK’së në 30 vjetët e fundit ka qenë rrëzimi i Kurtit nga pushteti, dhe, sipas tij, eksperimenti më i keq që ka bërë LDK’ja e nga i cili duhet të marrë mësim është nominimi i Vjosa Osmanit si kandidate për kryeministre pas gjithë kundërshtimeve të saj ndaj partisë.

- Advertisement -

Për Kurtin ka thënë se e ka shndërruar Vetëvendosjen në një lavatriqe që pastron figura të ndotura historikisht në Kosovë, derisa për Vjosa Osmanin thotë se s’ka të ardhme politike.

Anëtari i LDK’së, Driton Selmanaj, në një intervistë për Gazetën Express ka thënë se perceptimi i krijuar se LDK’ja do të dalë e treta është artificial dhe, sipas tij, partia që e drejton Isa Mustafa gjendjen në terren e ka shumë më mirë sesa që paraqitet në rrjete sociale e disa televizione.

“Strukturat e LDK’së, nëse mobilizohen, LDK’ja jo që nuk bjen, por e ruan votën fuqishëm, madje me tendencë për rritje, krahasuar me zgjedhjet e fundit. Këtë do ta kemi me 14 shkurt si dëshmitar kryesor”, ka thënë Selmanaj.

- Advertisement -

Ai e lavdëroi Hotin, meqë, sipas tij, Qeveria Hoti e ka kthyer Kosovën në binarë sa u përket raporteve me Amerikën, derisa e ka përmendur edhe arritjen e marrëveshjes së Uashingtonit.

“E kthyem Kosovën aty ku e ka vendin, sepse filloi implementimi i sanksioneve, na bllokuan fondet e MCC-së. Jo që i zhbllokuam ato, por edhe e arritëm marrëveshjen në Uashington për të sjellë 1 miliard dollarë investime”, shtoi Selmanaj.

- Advertisement -

Selmanaj tutje ka thënë se Qeveria Hoti i ka menaxhuar mjaft mirë edhe zhvillimet e ndodhura si pasojë e Gjykatës Speciale.

I pyetur për reagimet ndaj Hotit pas qëndrimit zyrtar si kryeministër pas zhvillimeve të Speciales, Selmanaj ka thënë se ka pasur kërkesa që Kosova të jetë më e zëshme dhe të ketë qasje kundër Speciales, mirëpo thotë se kanë qenë të bindur që një sjellje e tillë nuk do t’i ndihmonte askujt.

Zëvendëskryeministri ka theksuar se Kosova ka marrë një barrë të rëndë mbi vete kur e ka krijuar Specialen. Megjithatë, thotë se luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nuk mund ta njollosë askush. Ai shton se nëse kanë ndodhur eventualisht krime individuale, të izoluara, atëherë përgjegjësia ekziston.

“Është shumë e komplikuar, është barrë e rëndë dhe mund të kalohet vetëm me maturitet dhe duhet t’ia lëmë drejtësisë këtë punë, me bindjen e thellë që luftën tonë çlirimtare nuk mund ta njollosë askush. Kushdo që mundohet nuk do të arrijë, sepse është pjesa më e lavdishme e këtij populli, por nëse kanë ndodhë eventualisht krime individuale e të izoluara, duhet pasur parasysh që përgjegjësia do të ekzistojë gjithmonë”, tha Selmanaj.

Anëtari i LDK’së në këtë intervistë ka folur edhe për koalicionin me Lëvizjen Vetëvendosje dhe kandidimin e Vjosa Osmanit për kryeministre. Për të dyja rastet thotë se kanë qenë kërkesa të kohës, por eksperimente të këqija për Kosovën dhe Lidhjen Demokratike, nga të cilat duhet marrë mësim.

“Edhe kandidimi i Vjosës, edhe koalicioni me VV’në kanë qenë kërkesa të kohës, por eksperimentale. Eksperiment jo i mirë për Kosovën dhe jo i mirë për LDK’në”, tha Selmanaj.

Për koalicionin me Kurtin ka thënë se kanë besuar që do të funksionojë, bazuar në bashkëpunimin paraprak në opozitë, megjithatë potencon se pas marrëveshjes janë tradhtuar.

“Shumë shpejt u tradhtuam dhe kuptuam që VV’ja s’na sheh si partner, por na sheh si mundësi për të na instrumentalizu në favor të vetin dhe pas një kohe për të hedhur për toke bashkëpunimin”, tha Slemanaj.

Ai ka thënë se Vetëvendosja ka bërë një “lojë djallëzore”, kur i është afruar LDK’së për bashkëpunim opozitar, meqë, sipas Selmanajt, një gjë të tillë Kurti e ka bërë për ta rimarrë veten pas ndarjes së partisë.

Edhe sa i përket kandidimit të Vjosa Osmanit për kryeministre në zgjedhjet e 6 tetorit, Selmanaj thotë se ka qenë një eksperiment nga i cili partia duhet të marrë mësim.

Selmanaj thotë se kandidimi i Vjosës pas gjithë atyre qëndrimeve kundër LDK’së ka qenë eksperimenti më i keq i veprimit 30-vjeçar të LDK’së.

“Nuk mund të ndërtohet standardi brenda LDK’së, kur një person vepron kundër interesave të partisë, madje kur s’e voton kandidatin për kryeministër të partisë, s’i voton politikat e partisë, demarkacionin, për të cilin më pas e morëm në qafë Kosovën, nuk arritëm ta marrim liberalizimin. Madje madje, zonja Osmani pati dalë edhe në një protestë të përbashkët me Vetëvendosjen, përkundër që qëndrimi i LDK’së ishte që të mos bashkohet në atë protestë dhe pas gjithë këtyre veprimeve të njëpasnjëshme kundër LDK’së, partia në fund vendos ta nominojë për kryeministre, unë besoj që ky ka qenë eksperimenti më i keq që LDK’ja e ka bërë në 30 vjet të veprimit politik”, ka thënë Selmanaj.

Tutje, zyrtari i LDK’së thotë se partia e tij i ka humbur zgjedhjet, meqë Vjosa Osmani e kopjoi Kurtin dhe një veprim të tillë e cilëson si gabim të rëndë.

“LDK’ja provoi që me një model të Lëvizjes Vetëvendosje të Albin Kurtit të provojë të futet në garë dhe kemi gabuar rëndë dhe jemi në një fazë ku po i rikuperojmë dëmet që na janë shkaktuar”, ka shtuar Selmanaj.

Përveç tjerash, Selmanaj ka thënë se bashkëpunimi Osmani-Kurti ka shumë pikëpyetje para vetes sa u përket qëndrimeve për Kosovën, demokracisë e miqësive me Perëndimin.

Zëvendëskryeministri në detyrë tutje thotë se prishja e koalicionit me Lëvizjen Vetëvendosje ka qenë një prej vendimeve më të mëdha dhe më të mira të LDK’së në 30 vjetët e aktivitetit politik.

Në këtë intervistë për Express’in, Selmanaj thotë se qysh në ditët e para kishin parë që gjërat nuk po funksionojnë, meqë VV’ja kishte menduar se LDK’ja do t’i nënshtrohet Kurtit.

Prishjes së koalicionit thotë se një shtytje të madhe ia ka dhënë qëndrimi i Kurtit karshi SHBA’së dhe sanksionet që Uashingtoni kishte vendosur për Kosovën.

“Me mendu pas 20 vjetëve që Amerika të vendosë sanksione, një krijese të veten, kjo është e trishtueshme vetëm për ta menduar. Faza e parë ishin fondet e MCC-së, faza e dytë ndalimi i bashkëpunimit me FSK’në, tërheqja e trupave, ndalja e fondeve të USAID-it. Pra, e prekën LDK’në dhe Kosovën në pjesën më të lavdishme që e ka vendi”, shtoi anëtari i LDK’së.

Sipas tij, arsye tjera kanë qenë edhe shkelja e marrëveshjes së koalicionit e shkarkimi i Agim Veliut. Ai thotë se kanë pasur informacione që Kurti do të vazhdonte të shkarkonte njëjtë edhe ministrat tjerë të LDK’së.

“Unë jam i bindur që (rrëzimi i Qeverisë Kurti) ishte ndër vendimet më të mëdha dhe më të rëndësishme e më të mira për Kosovën që LDK’ja i ka marrë në 30 vjetët e fundit. Vazhdimi i asaj qeverisjeje mund të shkaktonte shumë dëme, për LDK’në dhe për Kosovën, jam i bindur për këtë”, ka potencuar Selmanaj.

I pyetur nëse mendon se LDK’së do t’i kushtojë prishja e koalicionit të quajtur “koalicion i shpresës” me qëllim të ruajtjes së raporteve me një administratë jokonvencionale amerikane, Selmanaj thotë se kanë qenë të bindur se rrëzimi i Kurtit në mes të pandemisë s’ka qenë vendim popullor, por thotë se mes një qasjeje të tillë dhe interesit shtetëror, duhet zgjedhur gjithmonë të dytën.

“Ne duhet ti tregojmë këtij populli që prishja e koalicionit me Amerikën është shumë ma e dëmshme sesa pandemia, e cila mund të përfundojë nesër. Ne kemi marrë një vendim jopopullor por të domosdoshëm për vendin”, tha Selmanaj.

Ai tutje shton se ngjarjet e ndodhura në Capitol Hill tregojnë se sa të drejtë ka pasur LDK’ja kur ka vendosur për prishjen e koalicionit me Lëvizjen Vetëvendosje.

“Sepse Shtëpia e Bardhë nën Trumpin ka qenë e paparashikueshme. Prandaj, ne është dashur të jemi të kujdesshëm, siç jemi tregu. Na kanë ftu, kemi shkuar atje dhe kemi marrë vendime të duhura për vendin. Po të refuzonim sikur z. Kurti, mos të befasohej që kish pas mundësi që z. Trump me një tweet do të thoshte që hiqen trupat nga Kosova. Duke pasur një president atipik atje, fundi mund të jetë edhe i mirë por edhe tragjik. Z. Kurti e mori anë tjetër. Nëse kemi kryeministra të paparashikueshëm, siç ishte z. Kurti, atëherë unë mendoj që edhe vendimet, pastaj, për Kosovën mund të ishin krejtësisht të paparashikueshme”, ka shtuar tutje Selmanaj.

I pyetur nëse mendon që kandidimi i Avdullah Hotit ka qenë vendim i duhur i LDK’së, marrë parasysh që Hoti ka qenë protagonist i gjithë ngjarjeve të fundit, Selmanaj thotë se e kanë bërë zgjedhjen më të mirë të mundshme, meqë, sipas tij, Hoti ka punuar tepër mirë.

“E kemi heq korrupsionin nga diskursi publik. S’flet kush për ndarje. E kemi kthyer vendin në binarë. I kemi menaxhuar pandeminë dhe efektet e rënda ekonomike”, ka thënë Selmanaj.

Selmanaj në këtë intervistë ka folur edhe për largimin e Vjosa Osmanit dhe rreth asaj nëse ky largim i ka shkaktuar dëme LDK’së në terren. Ai thotë se të gjithë do të binden më 14 shkurt që largimi i Vjosa Osmanit nuk do të ketë ndikim në rezultatin që do ta marrë LDK’ja.

“Elektorati i LDK’së ka një emancipim të lartë. Na shikon me llupë. Unë mendoj që ata dinë me e vlerësua punën që kemi bërë, sepse e kemi heq Kosovën nga aventurat në Qeverinë e kaluar. Mos të harrojmë që paradite e shkelte kushtetutën kryeministri, pasdite presidenti, gjithë ai tension, dhe ne e kthyem në noramlitet këtë vend. Përkundër që kemi raport jo të mirë në kuptimin e aktivitetit politik mes z. Hoti dhe zonjës Osmani, z. Hoti s’kishte problem qe ta vizitonte si u.d të presidentit, e ka ftuar për t’u takuar, që tregon se raportet e tilla janë institucionale e jo personale. Duhet ruajtur shteti. Elektorati s’është i zhgënjyer”, ka thënë ai.

Për Vjosa Osmanin thotë se ajo i ka bërë llogaritë e gabuara, teksa i ka kujtuar ndarjen e madhe të LDK’së dhe fatin e personave që e kishin braktisur partinë në atë vit. Sipas tij, u.d e presidentit s’ka të ardhme politike.

“Zonja Osmani ka bërë llogari të gabuara. Në 2006/7, LDK’së i ka ndodhur një ndarje e madhe, shumë degë dhe nëndegë morën drejtim tjetër, por përfundimi ka qenë fatal për ta, shumë njerëz është dashur që të kthehen në LDK dhe këtë zonja Osmani e ka ditur. Por zonja Osmani, gjatë fazave të veprimit të saj, ka parë që asnjë person kredibil dhe me peshë në LDK nuk i është bashkuar asaj. S’ka të ardhme politike, fatkeqësisht. Unë jam që pesë vite në LDK’. Nëse mrenda LDK’së s’mund të funksionosh në politikë, në partitë tjera harroje. Në partitë tjera procesi shkon vetëm duke e abortuar sistemin, por secili e ka në dorë fatin e vet politik.”, ka thënë Selmanaj.

Sa i përket bashkimit të Haxhi Avdylit me Vjosa Osmanin, Selmanaj e ka rikujtuar kohën kur Avdyli e drejtonte Degën e LDK’së në Prizren. Selmanaj ka potencuar se ende janë duke hasur në vështirësi që ta rikuperojnë gjendjen bashkë me kryetarin e Degës, Anton Qunin.

“LDK’ja ka qenë në kohën më të keqe kur është drejtuar nga z. Avdyli. Nuk e di a kanë qenë qëllime për ta shkatërruar Degën. Kam përshtypjen që edhe këtu kemi bërë një eksperiment që do të jetë një mësim i madh për LDK’në. Nuk mund të vijnë njerëzit, pa biografi të qartë, pa njohuri të qartë për ta, dhe të vijnë në krye të degëve të rëndësishme. Nganjëherë LDK ka një demokraci më të avancuar sesa duhet. Koha dëshmoi që ai ka punuar vetëm në dëm të LDK’së”, ka thënë Selmanaj.

Zëvendëskryeministri në detyrë thotë se situata të tilla duhet të jenë mësim për Isa Mustafën dhe LDK’në.

Express’i e ka pyetur Selmanajn edhe për deklaratën e shumëdiskutuar të Vjosa Osmanit, të bërë në Kuvendin e Kosovës, kur thotë se kurrë nuk do t’i bashkohet Lëvizjes Vetëvendosje, meqë Kurti rreth vetes ka mbledhur njerëz të PDK’së e ish-LPK-istë.

Ai thotë se për pjesën e parë të deklaratës pajtohet plotësisht, meqë, sipas tij, Vetëvendosja është degë e PDK’së ose edhe variacion i LPK’së. Por Selmanaj thotë se për pjesën e dytë, pra bashkëpunimin e Osmanit me Kurtin, duhet bërë një studim, për të parë nëse ka qenë skenar i mëhershëm.

“Por për këtë pjesën e dytë më pas, se si dikush prej LDK’së vendos të shkojë në variacionin e LPK’së, është vendim sa absurd, sa për t’u studiuar se a mos ka qenë skenar i mëhershëm kjo punë që të futesh brenda LDK’së dhe më pas të provosh të bësh diçka të keqe për LDK’në dhe të shkosh tek LPK’ja, eventualisht po them, mos mund të ketë qenë skenar i mëhershëm. Sepse krejt variacionet e LPK’së misionin e tyre jetësor e kanë kundër LDK’së. Kjo është tragjedi. Të shkosh nga LDK’ja tek ajo mendësi, unë mund të shprehi keqardhje dhe keqardhje të thellë. Do ta merr përgjigjen e duhur nga elektorati i LDK’së”, tha Selmanaj.

Sa u përket marrëveshjes Kurti-Osmani dhe ndarjes së posteve, Slemanaj thotë se të dy janë të interesuar vetëm për fatin e tyre dhe se janë në gjendje të shkelin mbi çdo gjë për ta ndërtuar karrierën e tyre.

“Të dy angazhohen vetëm për fatin e tyre personal dhe jo interesin e Kosovës”, shtoi tutje ai.

Sipas Selmanajt, do të ishte lajm i keq për Kosovën nëse Albin Kurti do të zgjidhej kryeministër i vendit, meqë konsideron se kreut të VV’së i duhen edhe 10 vjet të tjera për t’u pjekur politikisht, meqë thotë se Kurti ka ide të paqarta dhe të rrezikshme.

“Besoj se njerëzit do të reflektojnë dhe përsëri nuk do të mashtrohen me z. Kurti. Unë besoj që Kurtit i duhet edhe një dekadë për t’u pjekur. Tash për tash, vetëm i bën dëm Kosovës”, ka thënë Selmanaj.

Selmanaj ka kritikuar Kurtin për qëndrimet që ka rreth luftës kundër korrupsionit. Zyrtari i LDK’së thotë se është në rregull që të kritikohet Thaçi, por pyet se si mund të bëhet një gjë e tillë nga Kurti, kur në parti e ka Rexhep Selimin.

“Por cili është dallimi mes Hashim Thaçit dhe Rexhep Selimit? Unë s’mund të gjej asnjë dallim. Të korruptuar, të pasuruar pas lufte, gjatë luftës dhe pas luftës, vendime të panjohura, jo të mira për Kosovën. Njëri është në PDK, tjetri në Vetëvendosje. Si mund të mbash një njeri të tillë në Vetëvendosje, kur ki mendime të tilla për pasurimin e pabazë dhe për njerëzit e luftës të korruptuar? Por Vetëvendosjen e ka shndërruar në një lavatriqe që i pastron figurat e ndotura historikisht në Kosovë. Dhe me njerëz të tillë ti je ndryshimi dhe shpresa? Absolutisht jo. Është mashtrim që s’do të funksionojë”, tha Selmanaj në këtë intervistë.

Nëse bëhet kryeministër, Selmanaj thotë se Kurtit do t’i përsëritet fati i njëjtë dhe se s’do të mund të qëndrojë më shumë se 150 ditë në krye të qeverisë.

I pyetur nëse Lidhja Demokratike e Kosovës ka vija të kuqe për Vetëvendosjen, Selmanaj ka thënë se hapësira e bashkëpunimit me partinë e Kurtit është kufizuar bukur shumë për një periudhe kohore. Selmanaj thotë se LDK’ja do të duhet që të mos e shoh si opsion VV’në, edhe nëse i ofrohet bashkëpunim.

“Nuk është problem a i heqim vijat e kuqe me VV’në. Ne e kemi provuar këtë dhe ishte e dëmshme. Në këtë fazë e shoh pa kurrfarë dobie dhe besoj që LDK’ja do të merr një vendim të tillë, që edhe nëse ofrohet një mundësi bashkëpunimi, VV’në të mos e shohë si opsion për bashkëpunim”, ka potencuar ai.

Në fund, Selmanaj ka folur edhe rreth kadidimit të tij për deputet dhe të ardhmes së procesit të dialogut. Ai për Express’in konfirmoi se do të jetë në listën për deputetë, derisa shton se për procesin e dialogut janë vendosur bazat e negocimit.

“Po e presim konsolidimin e administratës amerikane. Ne kemi principe mbi të cilat e kemi ndërtuar dialogun. S’ka korrigjim të kufijve, nuk diskutohet për unitaritetin e shtetit dhe që zgjidhja do të jetë në frymën kushtetuese. Jam i sigurt që pa LDK’në nuk mund të merret asnjë vendim i madh. Jam i bindur që do të përmbyllet procesi me Serbinë. Nuk e di nëse do të ndodh brenda këtij viti përmbyllja e procesit me Serbinë, por jam i bindur që LDK’ja do të jetë pjesë e rëndësishme e vendimmarrjes së këtij procesi”, ka përfunduar Selmanaj.

-Advertisement-

Më shumë artikuj

- Advertisement -

Të fundit