1.7 C
Pristina
Thursday, December 26, 2024

Serbia fsheh vdekjet e shkaktuara nga COVID-19

Rekomandime

BIRN ka zbuluar se të dhënat nga sistemi informues shtetëror për COVID-19 në Serbi tregojnë se në këtë vend kanë ndërruar jetë dy herë më shumë pacientë të infektuar sesa kanë raportuar autoritetet dhe qindra njerëz më shumë kanë rezultuar pozitiv për koronavirusin sesa raportohet zyrtarisht.

- Advertisement -

Nga Natalija Jovanovic

Në periudhën nga 19 marsi deri më 1 qershor të këtij viti, në Serbi vdiqën gjithsej 632 persona që kishin rezultuar pozitivë për COVID-19, dy herë më shumë sesa numri i lajmëruar zyrtarisht prej 244 vdekjesh në atë periudhë, ka mësuar BIRN duke analizuar të dhënat e marra nga sistemi informues shtetëror për COVID-19.

Një tjetër e dhënë nga sistemi informues shtetëror për COVID-19 gjithashtu tregon se numri i njerëzve që u infektuan në Serbi nga 17 qershori deri më 20 qershor ishte të paktën 300 në ditë.

- Advertisement -

Kjo është shumë më tepër sesa shifrat e shpallura zyrtarisht, të cilat regjistruan një maksimum prej 97 rastesh të reja në një ditë të vetme gjatë asaj periudhe. Më 21 qershor, Serbia mbajti zgjedhjet e saj, në mes të kësaj rritje të dukshme të infeksioneve.

BIRN kreu një analizë të hollësishme të të dhënave nga sistemi informues, duke u përqendruar te pacientët që vdiqën dhe që rezultati i testit të tyre për COVID-19 ishte pozitiv.

- Advertisement -

Mospërputhja më e madhe në numrin e vdekjeve është vërejtur në Qendrën Klinike në Nish, qytet në jug të Serbisë, ku sipas të dhënave të publikuara zyrtarisht, 77 pacientë vdiqën nga virusi.

Megjithatë, të dhënat ku BIRN kishte qasje tregojnë se ndërruan jetë 243 persona, rezultati i testit për COVID-19 të të cilëve ishte pozitivë – pra, 166 më shumë sesa ishin regjistruar zyrtarisht si vdekje nga COVID-19.

Në Qendrën Klinike “Dragisa Misovic” në Beograd, numri i personave që ndërruan jetë duke qenë pozitiv për COVID-19 ishte 94, ndërsa shteti njoftoi vetëm 39 vdekje.

Në disa qendra të tjera klinike në Beograd, ka pasur mospërputhje të konsiderueshme në shifrat e vdekshmërisë. Një total prej 32 personash që kishin testuar pozitivisht për COVID-19 u raportuan zyrtarisht se kishin ndërruar jetë në Qendrën Klinike “Zemun”, ndërsa në sistem janë regjistruar vetëm 88 vdekje.

Sipas shifrave zyrtare, një total prej 14 pacientësh me COVID-19 ndërruan jetë në Qendrën Klinike “Zvezdara” të Beogradit, por sistemi tregon gjithsej 59 vdekje pacientësh të infektuar.

Në Qendrën Klinike të Serbisë, zyrtarët thanë se 33 njerëz ndërruan jetë, por baza e të dhënave shtetërore për COVID-19 tregon se pati 50 vdekje pacientësh të infektuar.

Në spitale të tjera në Serbi, ka pasur gjithashtu mospërputhje midis numrit të pacientëve që zyrtarisht raportohet të kenë vdekur nga virusi dhe numrit të vdekjeve të pacientëve të infektuar, edhe pse ndryshimet në shifra nuk janë dhe aq drastike. Në rastin e 29 pacientëve, nuk deklarohet emri i spitalit në të cilin ata ndërruan jetë.

Vdekja e parë nga COVID-19 u regjistrua në sistemin informues shtetëror më 19 mars.

Numri më i madh i vdekjeve ishte në mes të prillit, kur ndërruan jetë mesatarisht 20 njerëz të ditë, por numri i vdekjeve ditore pas kësaj ra.

Më 12 prill, shteti njoftoi se gjashtë njerëz kishin ndërruar jetë për shkak të virusit, por në sistem ishin të regjistruara 23 vdekje të testuara pozitive për virusin.

Të nesërmen u njoftua se pesë pacientë kishin ndërruar jetë, por në sistem ishin të regjistruara vdekjet e 23 personave të infektuar.

Më 15 prill, kur u njoftua zyrtarisht se kishin ndërruar jetë pesë persona, sistemi tregon se kishte 20 vdekje pacientësh të infektuar.

Zyrtarët shmangin pyetjet në lidhje me numrin e vdekjeve nga virusi

Pasi shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme më 15 mars, serbët mund të mësonin informacionet më të fundit në lidhje me pandeminë nëpërmjet konferencave të rregullta për shtyp të mbajtura nga Shtabi Kombëtar i Krizave, një organ i udhëhequr nga kryeministrja Ana Brnabiç dhe kryesisht i përbërë nga ekspertë mjekësorë.

Konferencat për shtyp përfunduan më 6 maj kur u hoq gjendja e jashtëzakonshme, dhe publikut dhe mediave iu tha se mund t’i merrnin informacionet më të fundit nëpërmjet faqes zyrtare për COVID-19, e cila duhet të publikojë të dhëna nga sistemi informues shtetëror.

Pas ngritjes së dyshimeve nga politikanët e opozitës dhe përdoruesit e rrjeteve sociale se shifrat mund të ishin shumë më të larta sesa shifrat e publikuara zyrtarisht, BIRN dërgoi një kërkesë për informim më 8 maj në Institutin Batut, i cili menaxhon sistemin informues për COVID-19.

BIRN kërkoi të dhënat për numrin e përgjithshëm të vdekjeve të shkaktuara nga koronavirusi, si dhe të dhëna se në cilin spital vdiqën ata, gjininë dhe moshën e tyre.

Instituti Batut kërkoi 40 ditë kohë për të ofruar informacionet e kërkuara, edhe pse të gjitha të dhënat e tij po grumbullohen në mënyrë elektronike.

Më 16 qershor, Instituti Batut më në fund ia dërgoi të dhënat BIRN, të cilat ishin identike me ato të publikuara tashmë në faqen zyrtare për informacionet në lidhje me COVID-19, e cila deklaroi se 244 njerëz vdiqën nga COVID-19 nga 19 marsi deri më 1 qershor.

BIRN u përpoq disa herë të merrte përgjigje shtesë nga drejtoresha e Institutit Batut, Verica Jovanoviç, por ajo nuk pranoi t’u përgjigjej pyetjeve të bëra nëpërmjet telefonit dhe personalisht.

Më 18 qershor, një gazetar i BIRN shkoi në Institut dhe arriti të takohej me Jovanoviçin, por ajo përsëri nuk pranoi t’u përgjigjej pyetjeve, duke thënë se do të mund të fliste me një gazetar më 22 qershor dhe vetëm në prani të një avokati. Pavarësisht takimit të planifikuar, Jovanoviç refuzoi të takohej me gazetarin e BIRN në këtë datë.

BIRN u përpoq të kontaktonte ministrin e shëndetësisë të Serbisë, zyrën e kryeministrit, disa anëtarë ekspertë të Shtabit Kombëtar të Krizave dhe shumë prej drejtorëve të qendrave klinike të Serbisë, por ata ose nuk iu përgjigjën telefonatave të BIRN ose nuk pranuan t’u përgjigjeshin pyetjeve.

Çështja e saktësisë së numrit të vdekjeve nga koronavirusi ka qenë një temë e nxehtë në të gjithë botën, sepse vende të ndryshme ndonjëherë përdorin metoda të ndryshme raportimi. Rusia, për shembull, po akuzohet për mosraportim të saktë të numrit të vdekjeve nga virusi, por argumenton se metoda e saj është më e saktë sepse përfshin vetëm njerëz që kanë ndërruar jetë nga virusi, jo njerëz të infektuar që kanë vdekur nga probleme të tjera.

Presidenti serb Aleksandër Vuçiç tha më 1 maj se Serbia nuk do ta fshehë numrin e vërtetë të vdekjeve të lidhura me koronavirusin duke thënë se “ata vdiqën nga shkaqe të tjera”.

“Ne nuk do të fshehim asgjë, siç bëjnë disa të tjerë”, tha Vuçiç.

-Advertisement-

Më shumë artikuj

- Advertisement -

Të fundit