2.7 C
Pristina
Monday, December 16, 2024

Serbia nis fushatën e çnjohjes, qeverisë Kurti i kërkohet mobilizim dhe unitet me opozitën

Rekomandime

Me të skaduar afati i moratoriumit njëvjeçar të nënshkruar në Shtëpinë e Bardhë në Uashington, Serbia i është kthyer avazit të vjetër për luftë kundër shtetësisë së Kosovës. Paralajmërimet serbe për tërheqje të njohjeve ndaj Kosovës po shihen si shqetësuese për vendin. Njohësit e marrëdhënieve ndërkombëtare kërkojnë strategji të mirëfilltë nga Qeveria për t’iu kundërvënë këtyre pretendimeve serbe.

Megjithëse, deklarimet e disa zyrtarëve të shtetit fqinj se ka vende që do ta shqyrtojnë njohjen e pavarësisë së Kosovës shihen edhe si propagandë.

- Advertisement -

Hulumtuesi në Grupin për Studime Juridike dhe Politike, Arbër Fetahu, thotë për KosovaPress se Kosova është dashur ta hartojë strategjinë gjatë kohës sa ka qenë në fuqi moratoriumi për t’i forcuar lidhjet me vendet që kanë luhatje për statusin e Kosovës dhe njohjet e reja.

Në të kundërtën, sipas tij, Kosova po vendoset në disavantazh dhe Serbia po shkakton dëme në prosperitetin ndërkombëtar të vendit.
“Besoj se është shqetësuese për faktin se nëse Qeveria, respektivisht Ministrja e Punëve të Jashtme nuk ka një strategji si kundërpërgjigje për t’iu kundërvënë kësaj fushate, atëherë Kosova do të vendoset në disavantazh. Serbia po shkakton dëme në prosperitetin ndërkombëtar dhe etablimin e Kosovës sa më mirë në shoqërinë ndërkombëtare. Mungesa e një strategjie do të kishte impakt negativ për imazhin dhe funksionalitetin në arenën ndërkombëtare. Qeveria e Kosove është dashur të ketë strategjinë në këtë moratoriumin 1-vjeçar sa ka qenë, të bëjë plane dhe të fillojë të vejë kontakte me shtetet që janë më afër për ta njohur Kosovën, apo kanë më shumë gjasa për ta njohur. Po ashtu, është dashur që vendet që kanë luhatje për statusin e Kosovës me përfundimin e moratoriumit është dashur të tregojnë strategjinë e tyre dhe konstruktivitetin dhe shtim të marrëdhënieve bilaterale me këto shtete”, thotë ai.

Ndërsa, Emir Abrashi nga Demokracia Plus, thotë se Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës duhet të formojë një departament brenda ministrisë që të merret vetëm në çështjen e njohjeve dhe të lobojë për njohje të reja.

- Advertisement -

Abrashi thotë se Serbia po lobon më shumë në kontinentin afrikan dhe rajonin e Paqësorit. Pikërisht në ato zona, Abrashi thotë se Kosova s’ka ambasadorë dhe po i jep terren Serbisë për tërheqje të njohjeve.

“Është e rëndësishëm që brenda MPJD të funksionalizohet një ekip që do të merrej vetëm me çështjen e njohjeve dhe do bënte lobim aktiv për njohjet reja të Kosovës duke i vizituar të gjitha këndet e botës dhe duke arritur të takojë krerët më të lartë institucionalë. Në këtë aspekt qeveria duhet të kërkojë ndihmën edhe të opozitës duke marrë parasysh se në opozitë ka persona që kanë shërbyer në diplomaci dhe kanë kontakte në botë. Duhet të kemi një bashkim edhe të opozitës për të arritur njohjet e reja. Në anën tjetër, Serbia po bën fushatë të egër të ç’njohjeve… Ne duhet të jemi aktivë, duhet të jemi të pranishëm në arenën ndërkombëtare. Tërheqja e ambasadorëve për një kohë kaq të gjatë Serbisë ia krijon një hapësirë edhe më të madhe manovrimi. Shtetet që kryesisht janë të kontinentit afrikan dhe rajonit të Paqësorit të cilat janë të cenueshme nga fushata e Serbisë. Ndërsa ne, në kontinentin afrikan kemi vetëm një ambasadë dhe atë e kemi pa ambasadorë. Ndërsa në rajonin e Paqësorit, gjithë e mbulojnë nga Ambasada në Australi e cila është e mbyllur, pa ambasador”, thotë Abrashi.

- Advertisement -

Pretendimet serbe për ç’njohje, profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Afrim Hoti, po i sheh më shumë në kuadër të propagandës, derisa i bënë thirrje ekzekutivit më shumë të fokusohet në njohjet e reja.
“Nuk duhet ta përcjellim trendin dhe avazin e Serbisë, por Qeveria e Kosovës duhet ta ketë strategjinë për të marrë sa më shumë njohje, pasi është interes jetik që Kosova të ketë njohje. Jo pse Serbia bënë të kundërtën, por për shkak se duhet të marrim pozitën tonë të merituar në marrëdhëniet ndërkombëtare. Definitivisht flasim për një propagandë dhe për një luftë speciale që bëjnë serbët tash e sa kohë. Po të kishte zotëri Selankoviq 12 ç’njohje në dorën e vet është naive të mendohet se ai nuk do t’i përdorte këto. Në momentin e parë të mundshëm, pavarësisht zhvillimeve, ai do t’i publikonte këto ç’njohje, po e them kushtimisht që përmes këtyre të avanconte pozitën e vet negociuese”, deklaron Hoti.

Nga Ministria e Punëve të Jashtme kanë deklaruar se Qeveria është shumë e përkushtuar për forcim të subjektivitetit ndërkombëtar të Republikës në bashkëpunim me miqtë dhe partnerët ndërkombëtarë, ndërsa akuzojnë Serbinë se asnjëherë nuk i ka ndalur sulmet ndaj Kosovës.

Serbia edhe në të kaluarën ka pretenduar se i ka bindur shtetet e ndryshme për të tërhequr njohjen ndaj Kosovës. Megjithatë në shtator të vitit 2020 në SHBA, në kuadër të marrëveshjes së Uashingtonit, Serbia u zotua se do të ndal lobimin për ç’njohje të Kosovës. Por, ditë më parë, ministri i Jashtëm i Serbisë, Nikolla Selakoviq deklaroi se janë rreth dhjetë vende të gatshme të rishqyrtojnë vendimet rreth njohjes së Kosovës.

-Advertisement-

Më shumë artikuj

- Advertisement -

Të fundit