Gjatë ditës së nesërme pritet të ketë vërshime të shpejta në disa zona të lokalizuara, ka njoftuar Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës.
IHMK tha se reshjet e intensitetit të ulët të cilat kanë filluar gjatë ditës së sotme në pjesën perëndimore dhe jugore, gradualisht do të përfshinë pjesën më të madhe të vendit.
Situatë më e ngarkuar parashihet të jetë në pjesën perëndimore të vendit, kryesisht në sistemet e lumenjve; Klina, Lumi Istogut, Drini Bardhë (rrjedha e sipërme), Bistrica e Pejës, Deçanit, Ereniku, dhe në lindje, pellgu Morava e Binçës.
IHMK po ashtu paralajmëroi për rrëshqitje dhe shembje të tokës, si pasojë e reshjeve me mundësi vërshime në interval afatshkurtër nga shiu, si dhe nga shkrirja e borës nga zonat e larta malore (derisa bora e re të fillojë të bjerë).