4.2 C
Pristina
Wednesday, December 18, 2024

Shoqëria civiIe në Serbi: Propozimi franko-gjerman rast historik që Serbisa ta pranojnë reaIitetin për Kosovën

Rekomandime

Një grup i organizatave joqeveritare serbe (OJQ) kërkuan nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, nga Qeveria dhe Kuvendi i Serbisë që të pranojnë propozimet që çojnë në normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, me vlerësimin se propozimi franko-gjerman për çështjen e Kosovës është “një mundësi historike që autoritetet dhe qytetarët e Serbisë ta pranojnë realitetin”.

- Advertisement -

Këto organizata, në një deklaratë të përbashkët të cilën e ka përcjellur Nisma e Rinisë për të Drejtat e Njeriut (YIHR), vlerësuan se kjo është një mundësi për të hedhur themelet për ndërtimin e marrëdhënieve të mira fqinjësore ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve, që do të ndryshonte përgjithmonë perspektivën e të gjithë Ballkanit.

“Çdo pamundësi për të biseduar me Prishtinën i ka rrënjët në të kaluarën tonë konfliktuale dhe është shumë e nevojshme që të gjejmë zgjidhje duke punuar në shkaqet që paraqesin vatra të keqkuptimit tonë dhe kanë pasoja në jetën e përditshme të njerëzve”, thuhet në deklaratë, transmeton Telegrafi.

Këto OJQ, siç shkruan “Danas” vlerësuan se institucionet në Serbi duhet të jenë të vendosura, këmbëngulëse dhe të gatshme për të ndalur politikat dhe veprimet ekstremiste të grupeve dhe individëve të ndryshëm, përfshirë ata që veprojnë ose kanë vepruar me mbështetjen e qeverisë serbe dhe që kërcënojnë paqen, të ardhmen evropiane të vendit dhe promovojnë shkeljen e të drejtave të njeriut, diskriminimin, urrejtjen dhe gënjeshtrën në hapësirën publike.

- Advertisement -

“Negociatat evropiane ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës dhe marrëveshja që iu prezantua palëve negociuese duhet të komunikohen në mënyrë transparente me prezantimin e të gjitha informacioneve relevante në publik. Marrëveshja e re është një mundësi e mirë për Serbinë që të kthehet dhe të ndërtojë një politikë të pajtimit që do të ndërtojë marrëdhënie, do të ruajë paqen dhe do të forcojë shtetin e së drejtës”, shkruhet në njoftim.

Ndër nënshkruesit e kësaj thirrje janë YIHR Serbia, Hartefakt, Qendra për Politikë Praktike, Civil Rights Defenders, Instituti për Çështje Evropiane, Iniciativat Qytetare, Gratë për Paqe, Komiteti i Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Serbi, Gratë në të Zeza, Qendra për të Drejtat e Njeriut në Beograd, Biljana Srbljanoviq, Svetislav Basara dhe të tjerë.

- Advertisement -

Ndryshe, në Kuvendin e Serbisë, që nga orët e mëngjesit, deputetët po debatojnë lidhur me Kosovën. Në këtë seancë është i pranishëm edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Vuçiq në këtë seancë ka folur për planin evropian – apo franko-gjerman – për normalizimin e raporteve me Kosovën, teksa opozita e ka cilësuar këtë plan si “kapitullim për Serbinë”. Seanca është përcjellë me përplasje verbale dhe fizike mes deputetëve të opozitës dhe liderit serb.

Gjatë seancës, deputetët e opozitës kanë brohoritur slogane sikurse “Tradhti”, “Kosova është zemra e Serbisë” dhe “Nuk do të heqim dorë nga Kosova”. Ata po ashtu mbanin pankarta me mbishkrimin “Jo kapitullimit”.

Në orët e pasdites, teksa po zhvillohej seanca plenare, para Kuvendit të Serbisë një grup qytetarësh protestuan kundër planit evropian. Protestuesve iu bashkuan edhe disa deputetë të partive opozitare serbe.

Në këtë protestë u panë dy persona të veshur me xhaketa me simbolin e grupit rus të mercenarëve, Wagner, dhe grupit të djathtë serb, Patrulla Popullore e Serbisë.

Në nisje të debatit, Vuçiq tha se qëllimi “i ditës së sotme nuk është që përgjegjësia të bartet në këtë institucion apo te populli”.

Presidenti i Serbisë përsëriti atë që i thanë diplomatët evropianë dhe amerikanë gjatë takimit në Beograd më 20 janar, se do të ketë pasoja nëse Serbia nuk e pranon planin evropian për Kosovën.

“Më kanë thënë se do të përballeni me pezullimin e negociatave të anëtarësimit me BE-në, jo vetëm me ndërprerjen e investimeve të mëtejshme, por edhe me tërheqjen e të gjitha investimeve nga vendi juaj dhe me masa të tjera gjithëpërfshirëse që duhet të tregojnë se si ata që nuk janë dakord me BE-në duhet të largohen”, tha Vuçiq.

Duke iu përgjigjur pyetjeve të deputetëve për Kosovën, Vuçiq tha se është kundër pranimit të Kosovës në OKB dhe se “nuk do ta njoh Kosovën e pavarur dhe nuk do të bëj kurrë asgjë në favor të tyre”.

Në fund të kësaj seance pritet të miratohet raporti i Qeverisë serbe lidhur me dialogun me Kosovën.

Në seancën për Kosovën në Kuvendin e Serbisë të pranishëm ishin edhe përfaqësues të Listës Serbe, partisë kryesore të serbëve në Kosovë.

-Advertisement-

Më shumë artikuj

- Advertisement -

Të fundit