4.5 C
Pristina
Tuesday, December 17, 2024

S’ka me ‘Golf II’, ky është fshati kosovar ku çdo familje e ka një të tillë

Rekomandime

Edhe pse Golf II konsiderohet si veturë e vjetër, ajo vazhdon të mbetet shumë e dashur për kosovarët. Madje, ajo vazhdon të ketë çmim të konsiderueshëm në treg.

Se kosovarët janë të pasionuar pas Golf II e tregon më së miri fshati Rencë.

- Advertisement -

Ky fshat me emrin karakteristik, njihet edhe si fshati i Golf II-shit, shkruan albinfo.ch. Rreth 50 familje në këtë fshat vazhdojnë ta kenë nga një veturë të këtij lloji në shtëpitë e tyre.

Si frymon “Fshati i Golf 2-shit”

Kjo zonë njihet edhe për bukuritë e veta natyrore. Qetësia që e gjeni në zonën e Opojës, ju bën të ndjeheni në liri të plotë. Rruga deri tek ky fshat i ka vështirësitë e veta por kur të kesh hyrë brenda, takon njerëz, të cilët përkundër moshës, nuk ndalen, ani pse jeta për ta ka qenë me shumë sfida.

- Advertisement -

Refik Skelaj nga ky fshat thotë se një ndër faktorët që i ka shtyrë shumicën e banorëve të kenë Golf II është edhe rruga dhe kushtet atmosferike gjatë stinës së dimrit.

“Në këtë fshat ka shumë ‘Golf dysha’. Diku mbi 50 sish besoj që janë. Shumica e shtëpive e kanë nga një por ka që i kanë edhe nga dy Golf II-sha. Edhe pse unë personalisht kam kaluar nga Golf II në IV”, tregon Skelaj për albinfo.ch. Ai tutje shton se në këtë anë dimri është stinë e fortë dhe vetëm Golfi II mund tu bëjë ballë vështirësive që paraqiten gjatë asaj kohe në rrugë.

- Advertisement -

Skelaj thotë se arsyeja kryesore që ata e mbajnë këtë veturë është rruga, pasi makina gjermane njihet për fuqinë që ka.

Ndërsa Zyber Gerdellaj thotë se Golf II-shi është veturë edhe ekonomike. “Unë e kam një Golf II qe pesë vite. Golf II-shi është veturë ekonomike. Po ashtu i ka pjesët shumë të lira”, thotë Zyberi.

Kosovarët, të lidhur me veturat Golf

Një ditë e punës është shumë e ngarkuar për trafikun në kryeqytetin e Kosovës, por që nuk dallon shumë as në qytetet e tjera. Megjithëse veturat të cilat qarkullojnë në rrugët e Kosovës janë nga më të ndryshmet, ato që vijnë nga familja e Volkswagen-it, mbesin më të preferuarat për kosovarët. Dikur kishin qenë Golf 2-sh, më pas 4-sh, e tani sipas njohësve, vetura e tipit Golf 6 është ndër automjetet që shihet shumë nëpër rrugët e Kosovës.

Shpejtim Slishani i cili merret me shitblerje të veturave thotë se e Golf 6 është mjaft i kërkuar nga shoferët. Slishani tregon se interesimi për këtë makinë është për shkak të përparësive të shumta, duke filluar nga kostoja e blerjes dhe pastaj edhe e mirëmbajtjes pasi që pjesët e tij gjenden e zëvendësohen më lehtë në Kosovë.

“Në Kosovë më së shumti i preferojnë VW si golf 4,5,6 e 7, Audi e Mercedes. Por sidoqoftë, më shumë VW për shkak se çmimi është më i lirë, janë më lehtë me i mbajt nga shkaku i servisimit e po ashtu edhe shpenzimet i kanë më të vogla. Tash për tash Golf VI është vetura që më së shumti shitet. Ndoshta kjo po ndikon për ekonominë tonë në Kosovë”, rrëfen Slishani për albinfo.ch.

Çfarë thonë “Maraklitë e kerreve”

Adhuruesit e veturave, tash e sa kohë i bashkon një grup në Facebook të cilët njihen si “Marakli t’kerreve”. Në këtë grup diskutohet për të gjitha llojet e veturave. Sipas Valon Mehmetit, në këtë komunitet më së shumti përmenden veturat që janë prodhim i Volkswagen-it. Valoni, që është njëri nga themeluesit e këtij grupi tregonpër albinfo.ch se kosovarët nuk po i largohen traditës për përdorimin e golf-ave.

“Bazuar në grupin tonë, veturat më të përdorura tek ne kosovarët janë prodhimet gjermane VW, por edhe të tjerat, ndoshta edhe shkaku i traditës që ka qenë këtu te ne po edhe janë më ekonomike sidomos VW pasi edhe pjesët gjenden më lehtë. Golfi është një veturë më ekonomike më e vogël sidomos për qytet dhe më e përshtatshme”, thotë tutje Mehmeti.

Ngjashëm me të thonë edhe qytetarët, duke treguar se zgjedhin këto vetura për shkak të shpenzimeve më të pakta. “Unë kam pasur një veturë më të thjeshtë d.m.th në momentin që kamë marrë patentën. Në përgjithësi mua më pëlqejnë veturat e vogla. Kam pasur shumë vetura sidomos Golfat janë shumë më të mirë”, thotë Kastriot Bibaj.

Veturat Golf, më shumë se të gjitha tjerat së bashku

Nga Ministria e Punëve të Brendshme e konfirmojnë për albinfo.ch se në Kosovë më së shumti ka të regjistruara vetura të kompanive gjermane. Xhavit Gubetini nga sektori i regjistrimit të automjeteve tregon se janë 81.138 mijë vetura të regjistruara të VW-së ku, në këtë kategori, sipas tij hyjnë Golf-at, Pasat-at e të tjera.

Gubetini ka thënë se sipas të dhënave të këtij dikasteri, aktualisht vetëm nga lloji Golf II janë të regjistruar mbi 4200 makina në vend. “Referuar sistemit elektronik të regjistrimit të automjeteve në Kosovë dominon VW, përafërsisht të regjistruara janë diku 128 mijë automjete të kësaj marke, më pas vjen Mercedesi me 14 mijë, Opeli me 33 mijë e veturat Audi me 20 mijë, etj.”, shton Gubetini.

Sikurse në të gjithë sektorët e tjerë pandemia ka ndikuar dukshëm edhe në shitjen e veturave. Sallonet e shitjes së veturave kanë qenë një kohë të gjatë të mbyllura nga shkaku i pandemisë, shkruan albinfo.ch. Por edhe ata që përdorin rrjetet sociale për shitjen e veturave dhe ueb faqet për këtë gjë tregojnë se nga shkaku i koronavirusit ka pasur rënie të madhe të shitjes së veturave në përgjithësi.

-Advertisement-

Më shumë artikuj

- Advertisement -

Të fundit