Sot mbahet seancë e jashtëzakonshme e Kuvendit, ku në rend dite është vetëm një pikë “Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr. 07/L-016 per Rimëkëmbjen Ekonomike – COVID-19.
Ndryshe Komisioni për Buxhet dhe Transfere me 6 vota për dhe 3 kundër, ka votuar raportin me rekomandime për Projektligjin për Rimëkëmbjen Ekonomike. E votimi i këtij raporti i ka paraprirë miratimi i 4 amendamenteve të propozuara nga Partia Demokratike e Kosovës.
Amendamenti i parë është që mjetet e tërhequra nga pjesëmarrësit sipas këtij neni, e të cilët kanë kursime deri në 9.999 mijë euro kompensohen në formë rimbursimi, duke filluar nga viti 2023, sipas formulës dhe metodologjisë së rimbursimit që vendoset me vendim të Qeverisë së Kosovës dhe Fondit e Kursimit Pensional të Kosovës në afatin prej gjashtë muajsh nga miratimi i këtij ligji.
Amendamenti i dytë, lënda e parë e cila prodhohet nga veprimtaritë biznesore të regjistruara dhe aktive në Republikën e Kosovës, pavarësisht se a eksportohet jashtë vendit apo jo, lirohet nga TVSH.
Amendamenti i tretë, të gjitha bizneset të cilat kanë qenë të mbyllura apo kanë pasur probleme të funksionimit të rregullt gjatë kohës së pandemisë, por të cilët kanë qenë aktive të regjistruara në regjistër të biznesit para datës 29 shkurt 2020, mbështeten financiarisht nga ana e buxhetit të Kosovës me mjete monetare për t’i mbuluar shpenzimet operative në shumën prej 200 milionë euro.
Amendamenti i katërt, paguhen nga ana e buxhetit të Kosovës, pagat e punonjësve në sektorin privat për periudhën tetor dhe dhjetor 2020, të cilët si pasojë e pandemisë COVID-19 janë larguar apo pezulluar nga puna e tyre për periudhën jo më të shkurtër se tre muaj pas datës 29 shkurt 2020 e deri më 30 dhjetor 2020. Shuma e pagesës për punëtorët është 300 euro për një muaj.