1.4 C
Pristina
Thursday, December 26, 2024

Spanja ende e pabindur për ta njohur Kosovën, kërkon zgjidhje përmes dialogut

Rekomandime

Spanja vazhdon të mos e ndryshojë pozicionin e saj sa i përket mosnjohjes së pavarësisë së Kosovës, ndonëse tha se është koha që të bëhen përpjekjet përfundimtare që të zgjidhen mosmarrëveshjet mes Kosovës dhe Serbisë.

- Advertisement -

REL pyeti Ministrinë spanjolle për Çështje të Jashtme, nëse Madridi ka ndryshuar qëndrim për Kosovën, pasi Prishtina dhe Beogradi u pajtuan për propozimin evropian për normalizimin e raporteve. Nga kjo ministri thanë se “çështja e territorit të Kosovës” duhet të zgjidhet përmes dialogut midis Kosovës dhe Serbisë, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.

“Është koha që të bëhen përpjekje përfundimtare për zgjidhjen e çështjes së Kosovës”, tha për REL, Elena Aljarilla Cortezón, këshilltare për komunikimin në Ministrinë për Çështje të Jashtme të Spanjës.

Spanja është një nga pesë shtetet e Bashkimit Evropian që ende nuk e njeh pavarësinë që Kosova shpalli më 2008.

- Advertisement -

Madridi zyrtar tha se ende ka punë sa i përket arritjes së një marrëveshjeje për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë.

“Rezultati i takimit të 27 shkurtit ishte hap përpara, por ende ka punë për t’u bërë sa i përket arritjes së një marrëveshjeje për normalizimin e raporteve bazuar në propozimin e BE-së, që është mirëpritur nga Këshilli Evropian në shkurt. Edhe pse është pozitive që si Prishtina, ashtu edhe Beogradi janë pajtuar për tekstin e propozimit pa asnjë ndryshim, nuk do të ketë marrëveshje të fortë pa pasur një plan të qartë se si do të zbatohet”, u tha në përgjigjen dërguar REL-it.

- Advertisement -

Më 27 shkurt, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, u pajtuan se nuk ka më nevojë për diskutime lidhur me propozimin evropian, që ka mbështetjen edhe të Shteteve të Bashkuara, Gjermanisë, Francës dhe Italisë.

BE-ja më pas tha se palët kanë shprehur gatishmërinë që të punojnë në planin për zbatimin e propozimit evropian, që synon të çojë palët drejtë një marrëveshjeje përfundimtare gjithëpërfshirëse për normalizimin e raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Takimi i radhës mes Kurtit dhe Vuçiqit në kuadër të dialogut do të mbahet më 18 mars në Ohër të Maqedonisë së Veriut. Në këtë takim, blloku evropian pret që liderët të diskutojnë për planin e zbatimit që është pjesë integrale e Marrëveshjes mes dy vendeve.

BE-ja dëshiron që në këtë takim palët të pajtohet për një aneks të planit që përfshin një kalendar të qartë se kur duhet të përmbushen të gjitha elementet e saj.

Kosova dhe Serbia që nga viti 2011 zhvillojnë negociata për të arritur normalizimin e plotë. Megjithatë, palët kanë pikëpamje të ndryshme sa i përket marrëveshjes përfundimtare. Kosova insiston në njohje reciproke, e Serbia në një zgjidhje kompromisi, pa treguar se për çfarë kompromisi bëhet fjalë.

-Advertisement-

Më shumë artikuj

- Advertisement -

Të fundit