1 C
Pristina
Monday, December 23, 2024

Sqarohet Hasani: Vetëm partia e parë jep emrin për kryeministër, Thaçi mund të rrijë e të mos flasë

Rekomandime

Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Enver Hasani, ka sqaruar interpretimin e tij rreth procedurës së mandatimit të kandidatit për kryeministër nga presidenti i vendit.

- Advertisement -

Ai ka folur për Gazetën Express, në mbrëmjen e së mërkurës, pas raportimit se dy vite e gjysmë më parë ai kishte folur krejt ndryshe nga sot për nominimin e kryeministrit nga kreu i shtetit.

Në qershorin e 2017’s, Hasani kishte deklaruar se nuk përjashtohet mundësia që presidenti të mandatojë për formimin e qeverisë edhe partinë e cila nuk e ka shumicën e vendeve në Kuvend. Gazeta Express ka publikuar edhe videon e emisionit, ku Hasani i kishte dhënë deklaratat asokohe.

Ndërkaq, këto ditë, Hasani ka thënë se presidenti fillimisht e fton partinë e parë për të dalë me një kandidat për kryeministër, e nëse dështon i nominuari i parë për të bërë shumicën, atëherë ia dërgon ftesën përsëri partisë së parë, në këtë rast Lëvizjes Vetëvendosjes, që të dalë me një kandidat tjetër. Nëse dështon edhe i nominuari i dytë, atëherë, sipas Hasanit, vendi shkon në zgjedhje të jashtëzakonshme.

- Advertisement -

Ai është munduar të arsyetohet për dallimet e qarta dhe të evidentuara në interpretimet që i ka bërë ndër vite procedurës së mandatimit të kandidatit për kryeministër. Hasani ka thënë për Gazetën Express se gjithçka është një keqkuptim – dhe se i qëndron interpretimit të këtyre ditëve, që vetëm partia e parë e jep emrin për kryeministër.

“Unë nuk e kam ndryshuar interpretimin, dhe nuk është ashtu siç e thoni ju. Asnjëherë nuk kam thënë ashtu, sepse edhe nuk ka logjikë kur dikush e ka shumicën në Kuvend”, ka deklaruar ai.

- Advertisement -

“Ajo çka unë kam thënë më 2017 është se kryeministër mund të bëhet çdokush që është shtetas i Kosovës. E dyta: Kur e kemi interpretuar kushtetutën dhe kemi nxjerrë aktgjykim, kemi thënë se herën e dytë procedura është e njëjtë, por kandidati është tjetër. Në asnjë rrethanë nuk guxon që pa konsultim dhe pa pëlqim të partive politike të mandatohet dikush, nuk guxon. Ne kemi thënë në aktgjykim që kushtet për t’u mandatuar duhet të jenë në mënyrë komulative të plotësuara”, është shprehur Hasani.

Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese ka thënë se “sipas normave kushtetuese, që janë në fuqi, presidenti fare nuk ka diskrecion. Diskrecioni nuk është arbitraritet. Diskrecioni nënkupton kushtet mbizotëruese, që janë objektive, dhe që janë të matshme”.

“Fillimisht duhet shkuar në rundin e parë, sepse pa u djegur i pari, s’mund të shkohet në rundin e dytë. E herën e dytë, pa pëlqimin e partive që kanë kaluar pragun, nuk mund të mandatohet kurrkush”, ka treguar ai.

Hasani ka thënë se presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, nuk ka pasur të drejtë t’i caktojë kreut të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, një afat prej 48 orësh për t’ia dhënë emrin e mandatarit për formimin e qeverisë së re të vendit.

Në pasditen e së mërkurës, ka skaduar ky afat i Thaçit, teksa Kurti ka thënë se Thaçit do t’ia tregojë emrin e mandatarit vetëm pas disa ditësh.

Çfarë veprimesh mund të ndërmarrë tani Thaçi, kur ky afat ka skaduar dhe ai nuk e ka marrë emrin e mandatarit? Sipas Hasanit, presidenti i vendit mundet të bëjë vetëm një gjë: të presë.

“Asnjëherë nuk ka të drejtë që presidenti t’i caktojë afat Kurtit. Në këto kushte që jemi, presidenti nuk ka asnjë mekanizëm, asnjë kompetencë kushtetuese juridikisht për ta zhbllokuar situatën”, është shprehur ai.

“Presidenti mundet vetëm të rrijë dhe të mos flasë, sepse nuk ka asnjë të drejtë të ndërhyjë në procesin e formimit të organeve qendrore, përveç se me letër, njëjtë si ka bërë kur dha Ramush Haradinaj dorëheqje. Pra, ta pyesë PAN’in, a keni kandidat tjetër. Presidenti nuk mundet në sistemin kushtetues parlamentar, siç është Kosova, t’i imponojë vullnet politik forcave politike, sepse ai nuk i përfaqëson forcat politike”, ka përfunduar Hasani.

-Advertisement-

Më shumë artikuj

- Advertisement -

Të fundit