1.7 C
Pristina
Thursday, December 26, 2024

Talebanët: Qeveria e ardhshme afgane do marrëdhënie të mira me SHBA

Rekomandime

Talibanët do të shpallin së shpejti përbërjen që pritet të ketë qeveria e tyre, për të cilën thonë se do të synojë për lidhje diplomatike miqësore me Shtetet e Bashkuara dhe botën në përgjithësi, bazuar në “respektin reciprok”.

Bilal Karimi, zyrtar i lartë taleban, anëtar i Komisionit Kulturor, i tha Zërit të Amerikës se data për njoftimin nuk është caktuar ende, por se do të bëhet “shumë shpejt”. Ai foli në përgjigje të njoftimeve se ky grup islamik do të njoftonte përbërjen e qeverisë të premten.

- Advertisement -

Talibanët janë nën vëzhgimin e bashkësisë ndërkombëtare për të parë nëse do t’i zbatojnë zotimet për një sistem qeverisës me përfaqësim nga të gjitha grupet etnike afgane, i cili dhe do të respektojë të drejtat e njeriut, veçanërisht ato të grave, ndryshe nga qeverisja e tyre e mëparshme.

“Do të jetë një sistem ose qeveri qendrore gjithëpërfshirëse, e fortë dhe e qëndrueshme. Ne tashmë kemi marrëdhënie shumë të mira me një numër të madh vendesh dhe nuk presim ndonjë problem,” i tha zoti Karimi Zërit të Amerikës kur u pyet nëse propozimi për organizimin e qeverisjes do t’u siguronte atyre njohje ndërkombëtare shumë të nevojshme për vendin.

Britania theksoi të premten se do të kërkojë nga talebanët të përmbushin zotimet e tyre sepse kërkohen “vepra, jo thjesht fjalë”.

- Advertisement -

Në komentet që bëri në Pakistan, Sekretari i Jashtëm britanik Dominic Raab tha se Britania po ndjek “realitetin e ri” në Afganistan dhe nuk do të shohë zhbërjen e strukturës sociale dhe ekonomike të vendit.

“Pozicionimi ynë është se nuk i njohim talebanët si qeveri, por e kuptojmë rëndësinë e angazhimit me ta që të kemi një linjë të drejtpërdrejtë komunikimi,” tha zoti Raab.

- Advertisement -

Zoti Karimi hodhi poshtë si “të pasakta” raportimet e mediave se zëvendësi politik i talebanëve, Mullah Abdul Ghani Baradar, bashkëthemelues i grupit, do të ishte kreu i qeverisë së re dhe se organizimi i propozuar qeverisës do të ishte disi i ngjashëm me atë të Iranit fqinj.

Talibanët morën kryeqytetin afgan muajin e kaluar pas fitoreve të rrufeshme ushtarake, duke marrë nën kontroll 33 nga 34 provincat e vendit në rreth një javë.

Ky grup fondamentalist rimori pushtetin në Kabul gati 20 vjet pasi u rrëzua nga pushteti nga ndërhyrja ushtarake e udhëhequr nga SHBA, në kuadër të luftës amerikane për të goditur udhëheqësit e al-Kaidës që strehoheshin në Afganistan. Lufta në Afganistan filloi pasi Shtetet e Bashkuara u sulmuan më 11 shtator 2001 nga operativë të al-Kaidës.

SHBA dhe vende e organizata të tjera kreditore ndërkombëtarë kanë ngrirë programet e ndihmës financiare për Afganistanin, duke e kushtëzuar rifillimin e ndihmave me formën e qeverisjes së ardhshme të talebanëve.

Sfida të shumta e presin këtë vend të Azisë Jugore të shkatërruar dhe varfëruar nga lufta, përfshirë kriza humanitare dhe ekonomike në rritje.

Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Ned Price, tha të enjten se Uashingtoni mbetet “i palëkundur” në angazhimin e tij për të ofruar ndihmë humanitare për popullin e Afganistanit. Njohja e talebanëve, megjithatë, lidhet me hapat praktikë që do të duhet të ndërmarrë qeveria e ardhshme afgane, tha ai.

Zëdhënësi Price tha në komentet për gazetarët se “aktet, veçanërisht në tema që janë shumë të rëndësishme për ne, si kalim i sigurt, respektimi i të drejtave të njeriut në Afganistan, përfshirë të drejtat e grave dhe vajzave e pakicave, një qeveri gjithëpërfshirëse, një qeveri që përmbush angazhimet e saj kundër terrorizmit dhe një qeveri që respekton normat universale dhe ndërkombëtare”.

Zyrtari i talebanëve, Bilal Karimi dukej optimist për lidhjet e Kabulit me Uashingtonin në të ardhmen.

“Emirati Islamik është i gatshëm të mbajë marrëdhënie të mira diplomatike, ekonomike dhe tregtare me Amerikën në bazë të respektit dhe barazisë reciproke,” tha ai.

-Advertisement-

Më shumë artikuj

- Advertisement -

Të fundit