Pas tërmetit që goditi sot Turqinë, Ambasada e Kosovës në Ankara ka publikuar numrat e telefonit ku mund të kontaktojnë shtetasit e Republikës së Kosovës që ndodhen në rajonin e Izmirit.
Përmes një postimi në faqen zyrtare, Ambasada ka bërë me dije se kosovarët që kanë nevojë për ndihmë mund të kontaktojnë Konsullatën e Nderit në Izmir, Konsullatën e Përgjithshme në Stamboll dhe Shërbimin Konsullor në Ankara.
Ndryshe, një tërmet i fuqishëm në Detin Egje ka tronditur Turqinë dhe Greqinë.
Ministri i brendshëm i Turqisë tha se gjashtë ndërtesa në provincën perëndimore të Izmirit u shkatërruan.
Agjencia e lajmeve, Anadolu, ka raportuar se katër viktima janë konfirmuar në Izmir nga tërmeti prej 6.6 shkallësh që e goditi Turqinë Perëndimore.
Përpos viktimave, vetëm në këtë qytet u raportuan edhe 120 persona të lënduar. Lajmin e bëri të ditur Agjencia shtetërore e Fatkeqësive.