1.7 C
Pristina
Wednesday, December 25, 2024

Thaçi ua fali nga gjashtë muaj burg dy vajzave, kishin tentuar të kryenin vjedhje të rëndë

Rekomandime

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka nxjerrë sot dekret për faljen e dënimit për shtatë të burgosur.

- Advertisement -

Në mesin e personave që Thaçi ka vendosur t’ua falë dënimin përmes dekretit janë edhe dy gra që po vuanin dënimin në Burgun e Lipjanit.

21-vjeçares, Lirika Sahiti, e lindur në Pejë, e cila ishte duke e mbajtur dënimit në Qendrën Korrektuese në Lipjan, i janë falur gjashtë muaj nga dënimi i saj.

Lumturije Ramqajt, ndërkaq, 24 vjeçe, nga komuna e Pejës, gjithashtu, i janë falur gjashtë muaj nga dënimi i saj.

- Advertisement -

Sahiti dhe Ramqaj ishin dënuar vitin e kaluar nga Gjykata Themelore në Prishtinë me burgim efektiv dhe më gjobë për vjedhje të rëndë të mbetur në tentativë, grabitje dhe armëmbajtje pa leje.

Edison Bislimi, Lumturije Ramqaj dhe Lirika Sahiti akuzoheshin se më 12 dhe 14 mars 2018, në lagjen “Kalabria”, në Prishtinë, pas një planifikimi paraprak, duke i ndarë rolet dhe në bashkëkryerje, me qëllim të përfitimit kundërligjor dhe përvetësimit të pasurisë së huaj të luajtshme, kanë tentuar të kryejnë vjedhje.

- Advertisement -

Siç përshkruhet në aktakuzë, nga tentativa e tre të akuzuarve për të përvetësuar diçka nga ky lokal, kanë marrë vetëm një çamçakëz. Bislimi për veprën penale “vjedhje e rëndë”, është dënuar me 1 vit e 6 muaj burgim dhe me 500 euro gjobë, për veprën penale “grabitje”, 3 vite e 6 muaj burgim dhe 500 euro gjobë, si dhe për veprën penale “mbajtja në pronësi, kontroll apo posedim të paautorizuar të armëve”, me 500 euro gjobë.

Ndaj tij, është shqiptuar dënim unik 4 vite e 10 muaj, si dhe 1.500 euro gjobë. Të akuzuarat Ramqaj dhe Sahiti, për veprën penale “vjedhje e rëndë”, janë liruar nga akuza në mungesë të provave, ndërsa janë dënuar me nga 3 vite e 6 muaj dhe me nga 500 euro gjobë për grabitje. Në dënimin e shqiptuar të akuzuarve u është llogaritur edhe koha e kaluar në paraburgim dhe arrest shtëpiak nga 7 prilli 2018, e deri më 5 mars 2018, pasi ndaj tyre është ndërprerë masa e arrestit shtëpiak. Të njëjtit janë obliguar që në emër të paushallit gjyqësor, secili veç e veç, të paguajnë nga 50 euro.

Aktgjykimi ndaj tyre është shpallur nga kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Vesel Ismajli. Ndryshe, në seancën e 9 nëntorit 2018, prokurorja Ferdane Sylejmani, kishte bërë precizimin sa i përket kualifikimit juridik të veprave penale të përfshira në pikën 1 dhe 2 të dispozitivit të aktakuzës. Për pikën 1, ku të akuzuarit akuzoheshin se kishin kryer veprën penale “vjedhjen e rëndë”, shtohet paragrafi 1 nën par 1,2 lidhur me nenin 28 dhe 31 të KPRK-së. Ajo e kishte bërë rikualifikimin edhe sa i përket pikës 2 të dispozitivit të aktakuzës, ashtu që për veprën penale “grabitja” shtohet paragrafi 3 lidhur me paragrafin 1 dhe lidhur me nenin 31 të KPRK-së, duke hequr nenin 28 të KPRK-së.

Pas këtij rikualifikimi, i akuzuari Edison Bislimi, e kishte pranuar fajësinë për veprën penale “vjedhje e rëndë e mbetur në tentativë”, ndërsa sa i përket veprave penale të inkriminuara nën pikën 2 dhe 3 të aktakuzës, ai ka deklaruar se nuk e ndien veten fajtor. Ndërsa, të akuzuarat tjera Lumturije Ramqaj dhe Lirika Sahiti, ishin deklaruar të pafajshme për veprat penale që u viheshin në barrë. Ndryshe, sipas prokurorisë, Bislimi, Ramqaj e Sahiti, më 12 mars 2018, rreth orës 03:40 në lagjen Kalabria në Prishtinë, në lokalin “Europhone”, pas një planifikimi paraprak duke i ndarë rolet në bashkëkryerjeje me qëllim të përfitimit kundërligjor dhe përvetësimit të pasurisë së huaj të luajtshme, kanë tentuar të kryejnë vjedhje.

Bislimi, me mjet të fortë e kishte thyer xhamin e derës kryesore dhe kishte hyrë brenda lokalit për të kryer vjedhje, por pasi ishte aktivizuar alarmi, i njëjti ishte larguar dhe nuk kishte arritur të marrë asgjë, kurse të pandehurat Lumturije Ramqaj dhe Lirika Sahiti kishin bërë roje jashtë lokalit.

Në bazë të aktakuzës, tre të pandehurit, së bashku edhe me personin N.N, i panjohur për prokurorinë, në të njëjtin lokal, por pas dy ditësh, pra më 14 mars 2018, rreth orës 16:20, pasi paraprakisht kishin planifikuar veprimet e tyre, duke i ndarë rolet, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm dhe përvetësimit të pasurisë së huaj, ashtu që Ramqaj dhe Sahiti kishin hyrë brenda, derisa aty duke punuar kishte qenë e dëmtuara Besjana Sufaj. Sipas prokurorisë, Sahiti me armë e kishte kërcënuar me fjalë dhe e kishte sulmuar fizikisht të dëmtuarën duke e kapur për flokë dhe duke e goditur me tytë të revoles në kokë, por e dëmtuara kishte arritur të aktivizojë alarmin me ç’rast të pandehurit me përjashtim të një çamçakëzi nuk kishin arritur të marrin asgjë tjetër dhe kishin ikur nga vendi i ngjarjes.

Siç pretendon prokuroria, derisa Sahiti e Ramqaj ishin brenda lokalit, jashtë tij, bënte roje e akuzuara Lirika Sahiti dhe personi N.N. Sahiti, përpos këtyre dy veprave, ngarkohej edhe për armëmbajtje pa leje, por për prokurorinë, arma e përdorur nuk ishte e njohur.

-Advertisement-

Më shumë artikuj

- Advertisement -

Të fundit