1.7 C
Pristina
Thursday, December 26, 2024

Ushtria gati për pushtim, por kush janë bashkëpunëtorët e Rusisë në Ukrainë?

Rekomandime

Peizazhi politik i Ukrainës ka qenë gjithnjë i vështirë për t’u deshifruar. Në dallim nga Evropa, dikotomia mes së djathtës dhe së majtës, nuk ka qenë kurrë kaq e theksuar. Aty kemi lëvizje të ekstremit të djathtë, si Pravy Sektor dhe Svoboda, por ka dhe parti që e kanë origjinën nga fundi i epokës komuniste sovjetike.

Megjithatë alternimi i pushtetit pas pavarësisë së vitit 1991, ka përfshirë gjithmonë formacione pak a shumë centriste, të cilat është e vështirë që të kategorizohen në grupimet politike tradicionale. Kjo sepse duke nisur nga fillimi i këtij shekullit, strumbullari i vërtetë i diskutimeve në Ukrainë kanë qenë marrëdhëniet me Rusinë.

- Advertisement -

Politikanët në pushtet janë ndarë midis mes pro-rusëve dhe pro-perëndimorëve. Deri në vitin 2014, parlamenti dominohej nga formacione politike më pranë Kremlinit. Pas trazirave në Sheshin Maidan në Kiev, ka lindur një klasë e re sunduese, e cila është më afër Perëndimit.

Atëherë nëse Rusia do ta pushtojë Ukrainën, kujt do t’i drejtohej për ndihmë brenda vetë Ukrainës? Në prag të protestave në Sheshin Maidan, protagonistët e vërtetë të politikës ukrainase ishin Victor Janukovich dhe Mykola Azarov.

I pari ishte President i Republikës, dhe i dyti kryeministri. Një dyshe në pushtet që nga viti 2010, kur u zgjodh president Yanukovych duke mposhtur Victor Jushchenko, presidentin e parë pro-perëndimor në historinë e Ukrainës, që ishte i paaftë për të përfunduar të ashtuquajturin “Revolucion Portokalli” të vitit 2004.

- Advertisement -

Yanukovych i besoi Azarov udhëheqjen e qeverisë, dhe për rrjedhojë edhe postin e kryeministrit, si dhe një vend të spikatur në radhët e Partisë së Rajoneve. Kjo e fundit është bërë gradualisht më e rëndësishmja në vend. Kjo gjë u pa edhe në zgjedhjet parlamentare të vitit 2012, ku kjo parti fitoi 187 vende nga 450 në Verchovna Rada, Dhomën e Deputetëve të Ukrainës. Nuk ishte një shumicë absolute, por gjithsesi një shifër e mjaftueshme për të formuar një koalicion qeveritar dhe për të mbajtur Azarov në krye të qeverisë.

Megjithatë, parlamenti nuk dominohej nga pro-rusët. Në atë asamble ishin të mirë-përfaqësuara edhe partitë që e kundërshtonin afërsinë e Kievit me Moskën. Partia Atdheu Ukrainas, e krijuar nga ish-kryeministrja Julia Timoshenko dhe Aleanca Demokratike, e ish-kampionit të boksit Vitalij Klycko, ishte rreshtuar në opozitë me përkatësisht 102 dhe 40 deputetë.

- Advertisement -

Rezultati më i bujshëm në vitin 2012 u arrit nga Svoboda, që mori 10 për qind të votave, një ngjarje kjo e paprecedentë për një parti të ekstremit të djathtë. Por në sy ra dhe paraqitja e Partisë Komuniste me 32 deputetë. Pozitat e dyshes Yanukovych-Azarov nisën të lëkunden në nëntorin e vitit 2013, kur presidenti ukrainas shpalli synimin e tij për të mos-nënshkruar një marrëveshje me Bashkimin Evropian, duke preferuar në të njëjtën kohë të forconte aleancën me Moskën.

Prandaj nisën protestat popullore, të cilat më pas kulmuan me rrëzimin më 22 shkurt 2014 të presidentit Yanukovych. Nga pikëpamja thjesht politike, protestat e Sheshit Maidan sollën zhdukjen gati të plotë të njërës palë, asaj pro-ruse. Në pushtet u ngjitën partitë pro-perëndimore.

Figurat kryesore të Partisë së Rajoneve janë larguar nga Ukraina. Një mërgim ky “vullnetar” për të shmangur gjyqet për tradhti të lartë, pas aneksimit rus të Krimesë, dhe për shkak të fillimit të konfliktit në Donbas. Mbrëmjen e 20 shkurtit 2014, Yanukovych shkoi në Kharkiv.

Atje Partia e Rajoneve kishte një bazë të rëndësishme elektorale. Zyrtarisht, ish-presidenti ukrainas shkoi atje për një takim me drejtuesit lokalë të partisë. Në fakt, ai u ndje ndoshta më i sigurt në Kharkiv sesa në Kiev. Të nesërmen parlamenti ukrainas e shkarkoi.

Në atë moment, sipas asaj që u zbulua në vitin 2015 nga presidenti rus Vladimir Putin, elementët më ekstremistë të Sheshit Maidan do të kishin dashur ta shihnin të vdekur. Ndaj mbrëmjen e 23 shkurtit, me ndihmën e forcave ruse të sigurisë, Yanukovych arriti që të kalonte në territorin rus.

Që prej atij momenti ai nuk shkeli më kurrë në Ukrainë. Më 23 janar 2019, ai u dënua me 13 vjet burg për tradhti të lartë. Aktualisht Yanukovych jeton në qytetin rus Rostov. Protagonisti tjetër i atyre ngjarjeve, Mykola Azarov, mërgoi në Austri. Ish-kryeministri arriti të largohej nga Kievi para se situata të rëndohej.

Më 31 janar 2014, në përpjekje për të frenuar protestat, ai dha dorëheqjen nga posti i tij duke udhëtuar me avion drejt Vjenës. Edhe ai nuk është rikthyer më në Ukrainë. Përveç Janukovich dhe Azarov, nga vendi janë larguar edhe shumë udhëheqës të tjerë të Partisë së Rajoneve.

Ndryshimi i papritur i lidershipit në Kiev, u vulos më pas nga fitorja e biznesmenit properëndimor Petro Poroshenko në zgjedhjet presidenciale të majit 2014. Në tetorin e atij viti u zgjodh parlamenti i ri. Dhe Partia e Rajoneve nuk pati më asnjë përfaqësues. I vetmi formacion qartësisht pro-rus përfaqësohej nga lista e Bllokut Opozitar, e cila që nga ai moment mori në dorë trashëgiminë politike të Partisë së Rajoneve.

Gjithsesi Blloku fitoi vetëm 29 deputetë, duke pasur një rol gati periferik në parlamentin e ri. Mirëpo, ndër deputetët e zgjedhur në vitin 2014, sot bien në sy disa prej tyre. Së pari është Yevhen Murayev, me origjinë nga Kharkiv, që në vitin 2016 formoi një parti të re pro-ruse “Për Jetën”.

Më pas në vitin 2018, Murayev krijoi një parti tjetër të quajtur “Nashi”, që nuk hyri dot në parlament në zgjedhjet e vitit 2019. Blloku Opozitar drejtohet ndërkohë nga Jurij Bojko dhe Vadim Rabinovich. I pari ka qenë zëvendëskryeministër në vitet 2012-2014, dhe i dyti është një biznesmen me origjinë hebreje, që hyri në politikë vetëm pas protestave të Maidanit, dhe që ka një të kaluar të dyshimtë.

Murayev, Bojko dhe Rabinovich përfaqësojnë aktualisht emrat më të rëndësishëm në “galaktikën” politike pro-ruse të pas vitit 2014. Këtyre emrave duhet t’u shtohet edhe miku personal të Vladimir Putinit, Viktor Medvedchuk, një biznesmen, që ka pasur në pronësi disa televizione që u mbyllën vitin e kaluar me akuzën e propagandës pro-ruse.

Ai vetë u vendos nën arrest shtëpie me akuzën e tradhtisë të lartë ndaj atdheut. Në kushtet kur ish-presidenti Yanukovych dhe ish-kryeministrin Azarov, nuk mund të rikthehen dot në Ukrainë, Moska do të mbështetej tek Bojkos, Rabinovich dhe Murayev. Madje ditët e fundit është përfolur më shumë ky i fundit.

Shërbimet sekrete britanike, thonë se ai është i përzgjedhur nga Moska për t’u vendosur në krye të një qeverie të ardhshme ukrainase pas pushtimit. Gjithsesi Murayev ka mohuar çdo lloj kontakti me Kremlinin. Por një rol i mundshëm mund t’i besohet edhe Medvedchuk.

Por edhe në rastin e një pushtimi, ngritja e një qeverie me kolaboracionistë pro-rusë, nuk do të ishte aq e thjeshtë.

Përkundrazi, hyrja e ushtarëve rusë në Ukrainë, do të vinte shumë në vështirësi ato pak parti që janë më afër Moskës. Kjo është një arsye më shumë, për të besuar se rruga diplomatike mbetet për momentin më e rëndësishmja që duhet ndjekur. /abcnews.al

Nga Mauro Indelicato “Il Giornale”

-Advertisement-

Më shumë artikuj

- Advertisement -

Të fundit