Për “Ditën e Çlirimit” – 12 Qershorin, vajza e dëshmorit Hysen Zogjani, Arbnore Zogjani, e cila i ka kënduar UÇK-së edhe në të kaluarën, ka lansuar si “Cover” një përpunim dhe interpretim me kitare akustike të këngës “Në Ditën e Flamurit” të Shyhrete Behlulit, e cila u dedikohej të burgosurve shqiptarë që u shkruanin letra urimi nënave të tyre për festën e 28 Nëntorit..
Zogjani thotë se Dita e Çlirimit sivjet është e mangët pa liderët e luftës dhe paqes në Kosovë.
“Veç më kushtoi zemra të këndoj për ta. Dita e Çlirimit sivjet është e mangët pa liderët e luftës dhe paqes në Kosovë. E falënderoj këngëtaren Shyhrete Behluli, e cila më lejoi ta përshtas dhe interpretoj këngën e saj “Në Ditën e Flamurit”. Urime 12 Qershori të gjitha nënave dhe baballarëve të çlirimtarëve. Urime Ditën e Çlirimit, Kosovë!”, ka shkruar Arbnore Zogjani, vajza e dëshmorit Hysen Zogjani.
Ish-udhëheqësit e UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi, së bashku me Salih Mustafën, Pjetër Shalën dhe udhëheqësit e veteranëve të UÇK-së, Hysni Gucatin dhe Nasim Haradinajn, po vazhdojnë të mbahen në Qendrën e Paraburgimit në Hagë pa u lejuar të vizitohen nga familjarët e tyre.