1 C
Pristina
Monday, December 23, 2024

Vetëvendosje lanson skenarin e rrëzimit të Kurtit dhe fitoren e thellë nëse mbahen zgjedhje

Rekomandime

Zyrtarë të Lëvizjes Vetëvendosje kanë filluar kalkulimet dhe po dërgojnë mesazhe gjithandej se çfarë do të ndodhte në rast të rrëzimit të Kurtit për shkak të presionit ndërkombëtar. Sipas tyre, nëse vendi shkon në zgjedhje, fitorja do të ishte aq thellë, sa do të harrohej ajo e shkurtit të vitit të kaluar, edhe pse sondazhet tregonin rënie. Kjo gjuhë e partisë në pushtet vjen pas presionit të Perëndimit për shtyrjen e afatit për targat dhe përplasjeve me Serbinë.

- Advertisement -

Në deklaratat e zyrtarëve të Lëvizjes Vetëvendosje ka nisur të hyjnë parashikimet për zgjedhjet e përgjithshme, në rast se ato do të mbaheshin së shpejti.

Anëtari i kryesisë së LV-së, Arlind Manxhuka, ka shpërndarë mbrëmë në profilin e tij një sondazh të kryer në Facebook, sipas të cilit, nëse zgjedhjet do të mbaheshin këtë të diel, Vetëvendosjen do ta votonin 76 për qind.

Nuk ka matje të opinionit, të publikuara pas situatës së krijuar në vend, por në matjet e shtatorit, të kryera nga UBO Consulting, thuhej se VV-ja ka rënë te 37 për qindëshi.

- Advertisement -

Qeveria Kurti e ka shumicën dhe i ka edhe pak më shumë se dy vjet deri në përfundimin e mandatit. Zgjedhjet kanë nisur të përmenden në opinion paralelisht me pakënaqësinë e deklaruar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për Qeverinë e Kosovës.

Bashkë me deklaratat çdoherë e më të hapura të SHBA-së kundër qëndrimit të Qeverisë së Kosovës për targat dhe për Asociacionin, janë rritur kritikat për Kurtin se po i lëndon raportet me Amerikën.

- Advertisement -

Derek Chollet, asistent i Sekretarit të Jashtëm të SHBA-së, Antony Blinken, shkroi dje se ka folur me presidentin serb, Aleksandër Vuciq dhe se ndan me të të njëjtin zhgënjim me Qeverinë Kurti.

“Mirë të flas me Presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Ndava zhgënjimin tonë me vendimin e Kosovës për të mos shtyrë vendimin për targat”, ka shkruar Cholleti në Tëitter.

Dhe, sa më shumë që Qeveria kritikohet për qëndrimet e pakoordinuar me SHBA-në, aq më shumë pushtetarët e kanalizojnë këtë si qasje pro Vuciqit.

Ndonëse nuk është e qartë se si, zyrtarët e LV-së flasin se cka do të ndodhë “nëse Vuciq e con Kosovën në zgjedhje”.

Kryeparlamentari Glauk Konjufca e ka lidhur mundësinë e mbajtjes së zgjedhjeve me presidentin serb, Aleksandër Vuciqin.

“Nuk kisha pas dëshirë me mendu që Aleksandar Vuçiq mund ta dërgojë në zgjedhje Republikën e Kosovës, kur të dojë. Këtu te jemi të qartë, nëse ky ka qenë qëllimi i Serbisë dhe i Vuçiqit që të shkaktojë zgjedhje në Kosovë, apo ndonjë lloj destabilizimi, apo zgjedhjet si rezultat i destabilizimit edhe i sfidimit të situatës së sigurisë në Kosovës, atëherë mendoj që kjo jo vetëm që nuk është e mundshme por besoj që edhe i gjithë spektri politik është i bashkuar në Kosovës, që kjo është e palejueshme dhe e patolerueshme”, ka thënë Konjufca.

Si Konjufca, një ditë pas, foli edhe miku i tij, deputeti Mefail Bajqinovci. Sipas tij, nëse Vuciq e con Kosovën në zgjedhje, LVV do të shkonte afër 60 për qind.

“Vendi nuk shkon në zgjedhje sepse nuk e kanë fuqinë dhe mundësinë. Nëse Vuçiqi e ka atë fuqi ta çojë Kosovën në zgjedhje, vaj halli për ne. Nëse Vuçiqi e ka atë fuqi ta dërgojë Kosovën në zgjedhje, është mirë të mos tregojë se sa do të jetë përqindja që do ta fitojë Lëvizja Vetëvendosje, do të shkonte afër 60 për qind”, ka thënë ai.

Ndërkaq, rezultatin si të Manxhukës, e ka shpërndarë edhe anëtarja e kryesisë së LV-së, Fatmire Kollçaku, që së fundmi po habit me deklarata, në përpjekje për ta glorifikuar figurën e Kryeministrit Kurti.

Duke e publikuar sondazhin e Facebook-ut me 76 për qind, Kollçaku, ka shkruar se “Nuk është koha për zgjedhje, por për unitet #përshtet”.

Zgjedhjet e fundit të përgjithshme, ato të 14 shkurtit të 2021-s, Lëvizja Vetëvendosje i ka fituar me mbi 50 për qind. Ky ishte rezultati më i thellë i fitores së një partie në Kosovë.

LV-ja këtë fitore e arriti pasi disa muaj më parë, partnerja qeveritare LDK e kishte rrezuar nga pushteti, bashkë me opozitën. Rrëzimi i Qeverisë ndodhi, pasi Kryeministri Kurti nuk po i bindej kërkesave të administratës së atëhershme amerikane për pezullimin e reciprocitetit me Serbinë.

Atëherë SHBA-ja drejtohej nga republikanët dhe LV-ja ishte entuziaste se me fitoren e demokratëve në Amerikë dhe me fitoren e saj në Kosovë, raportet mes aleateve do të lulëzonin.

Kurti, që publikisht thotë se raportet me SHBA-në janë të paprekura, merr çdo ditë mesazhe nga zyrtarë amerikanë, të cilët deklarohen herë “të shqetësuar”, e herë “të zhgënjyer”, që ai nuk i dëgjoi për shtyrjen e afatit për zbatimin e vendimit për zëvendësimin e targave ilegale në Kosovë.

-Advertisement-

Më shumë artikuj

- Advertisement -

Të fundit