Këto janë momentet e pabesueshme ku efektivë të marinës britanike praktikojnë zbarkimet surprizë në anijet armike me anë të kostumeve të fluturimit si ato ne filmat fantastikë të tipit “Iron Man”.
Në video shihet një njeri duke fluturuar në ajër nga barka e marinsave te anija që po bastiset. Pasi ulet aty me sukses ai ngrihet përsëri në ajër për t’u kthyer te barka e sulmit.
Në një tjetër skenë impresionuese katër njerëz me mjetin e fluturimit shihen të ngrihen lehtësisht duke fluturuar drejt anijes. Menjëherë pas uljes në kuvertë ata përgëzojnë njëri-tjetrin duke shtrënguar duart.
Video e aksionit u publikua fillimisht nga Instituti Detar i SHBA me titullin: “Marina britanike teston kostumet ushtarake për operacione të shpejta të marrjes së kontrollit të anijeve.”
Aty shtohet se marina e SHBA po teston një mjet të tillë që mund të arrijë shpejtësi deri në 270 km në orë.
Kostumet fluturuese Jet Suit prodhohen nga kompania e re britanike Gravity Industries.
Ato janë prezantuar nëpër botë nga kreu i kompanisë Richard Browning i cili ka thënë se kanë një kohë fluturimi prej tetë minutash, dhe fuqinë e një mini-motori avioni.
Mbajtësi i tyre ka katër mini-motorë të lidhur në krahët e tij dhe një më të fuqishëm në kurriz.
Me to ai mund të arrijë shpejtësi prej 70 km në orë.