Dy figurat kryesore të Skenderajt kanë vazhduar përplasjet mes vete. Ka qenë kryetari aktual i kësaj komune, Bekim Jashari, ai i cili ka lëshuar akuza të rënda ndaj Sami Lushtakut, duke thënë se ky i fundit ka qenë larg vatrave të nxehta të Iuftës, ka blerë vilë në vitin 1998 dhe se falë mbështetjes së familjes Jashari është bërë komandant i UÇK-së. Këtyre deklaratave iu është përgjigjur Lushtaku.
Në një prononcim për Gazetën Express, Lushtaku ka deklaruar se ai ka qenë edhe para Iuftës edhe gjatë Iuftës në Kosovë dhe se këtë më së miri e dinë qytetarët që i kanë parë çdo ditë.
Sipas Lushtakut, Bekim Jashari po e keqpërdor emrin e familjes Jashari me deklarata të tilla dhe se po bën gabim të madh.
“Paj deklarata sikur të tjera të Bekimit. Unë mendoj që Bekimi duhet me u marrë me mu për faktin se si kryetar i komunës ka dështu komplet dhe tash për me u ba pak ma interesant merret me mu.
Unë kam qenë edhe para Iuftës edhe gjatë Iuftës në Kosovë dhe këtë më së miri e dinë bashkëqytetarët e mi dhe qytetarët që na kanë parë për çdo ditë.
Nuk du për shkak të familjes me dhanë naj koment, sepse ai është duke e keqpërdorur kurorën e familjes Jashari, që mendoj që po bën gabim të madh”, ka thënë Lushtaku.
Lushtaku thotë se Jashari s’duhet të frikësohet pse ai e viziton Drenicën, por se duhet të punojë fort dhe të angazhohet për zgjedhje.
Sipas tij, Bekimi vjen nga një familje e mirë, por se është djalë i keq.
“Unë jam kandidat për kryetar komune dhe ky është problem më i madh i Bekimit. Atij i mungon kjo pjesa politike.
Ai ka hy në politikë tash e ne me fushatë merremi qe 20 vjet, s’jemi ndalë asnjëherë dhe gjithmonë kemi shkuar nëpër oda edhe takohemi me miq e shokë. Bekimi s’duhet të frikësohet pse unë shkoj në Drenicë.
Prandaj thashë, ai ka hy në politikë, do me qenë kandidat për kryetar, lë të punojë fort e të angazhohet dhe nëse qytetari ia jep bekimin, unë ia jap dorën.
Nuk dua të merrem shumë me Bekimin. Për mu është një fëmijë, siç e ka thanë njëherë një nip i jemi, është i familjes së mirë, por është një djalë i keq”, ka thënë Lushtaku për Express.
Ndryshe, kreu i Komunës së Skenderajt, Bekim Jashari, mbrëmë ka shpërthyer në akuza të rënda për kreun e Degës së PDK-së, Sami Lushtaku, duke thënë se falë mbështetjes së Jasharëve ai është bërë komandant i UÇK-së, sepse rrethi i ngushtë i ish-komandantit legjendar s’do ta lejonte të bëhej.
“Ne e kemi përkrahë, sepse sikur mos ta kishim përkrahë, Samiun nuk do ta kishin lënë të bëhej komandant. S’do ta kishin lënë rrethi i ngushtë i Adem Jasharit”, ka thënë Jashari.
Jashari tutje ka thënë se Sami Lushtaku një pjesë të madhe të kohës ka qëndruar larg pikave të nxehta të Iuftës.
Përveç kësaj, Bekim Jashari ka thënë se Sami Lushtaku gjatë kohës së Iuftës ka blerë vilë, saktësisht në vitin 1998.
“Samiu ka ble tokë në lagjen 3. Villën që e qet kanihere”, ka thënë Jashari.
I pari i Skënderajt ka thënë se s’ka asgjë personale me Sami Lushtakun, por thotë se ky i fundit në vazhdimësi bën fushatë kundër.
“Ai u prish me mu. Veç nëse iu ka nalë uji dikun. Unë s’kam asgjë personale me Saminë.
Ai para gjashtë muajve e ka nisë fushatën, e po iu thotë njerëzve që Bekimi s’ka me kandidu ma. Lloj lloj fjalë të ndryshme dëgjoj që Samiu i thotë nëpër oda në Drenicë”, ka thënë Jashari.