1.7 C
Pristina
Thursday, December 26, 2024

Vjosa Osmani shoqëruese e liderit a lidere? Flasin njohësit

Rekomandime

Vjosa Osmani, që ka mbetur e vetme udhës në politikë, sheh një alternativë para vetës. Të bëhet bashkë me rivalin e saj të zgjedhjeve të kaluara, Albin Kurtin. Të dy luftonin për shef të Qeverisë, ndërsa tash vetëm Kurtit i ka mbijetuar ambicia. Sipas Astrit Gashit, Vjosa Osmani tregon se është përcjellëse e liderit, e jo vetë lidere. Politologu Fitim Salihu thotë se Osmanin Kurti, duke e futur në listë, e bën vartëse të tij

- Advertisement -

Muaj më parë, anëtarët e Lidhjes Demokratike të Kosovës shkarkuan nënkryetaren e kësaj partie, Vjosa Osmani. Ajo aktualisht po mban pozitën e kryetares së Kuvendit të Kosovës si dhe ushtruese e detyrës së Presidentit.

Menjëherë pas largimit të saj, politikanë e analistë parashikuan se në zgjedhjet e ardhshme, lider i Vetëvendosjes, Albin Kurti dhe Vjosa Osmani do të bashkoheshin për një qeverisje të përbashkët.

Në një emision televiziv, Osmani tha se është në proces të diskutimeve me liderin e VV-së, Albin Kurti për një bashkëpunim. E këtë bashkëpunim, analistët vendorë po e cilësojnë si të mundshëm, por se nga ky bashkëpunim do të dëmtohej Osmani.

- Advertisement -

“Jemi në proces të diskutimeve me Kurtin për bashkëpunim. Nuk është vetëm dëshirë e dyanshme për domosdoshmëri që t’i bashkojmë forcat, është më shumë se bashkim i politikanëve”, ka thënë Osmani.

Analisti Astrit Gashi thotë për Gazetën Express se tashmë është e qartë se Vjosa Osmani nuk ka guxim që të hyjë në garë e vetme. Sipas tij, kjo është një matematikë e gabuar.

- Advertisement -

“Kjo matematikë duket fillimisht elektorale. Tashmë është e qartë se Vjosa Osmani nuk ka guxim që të hyjë në garë e vetme dhe të sfidohet me rezultatin elektoral nga frika se do të bie nën prag ose edhe po ta kalojë atë do të ketë numër të vogël të deputetëve dhe kësisoj me pak fuqi. Unë mendoj që kjo është matematike e gabuar sepse Vjosa me shumë gjase ajo jo vetëm se do ta kalonte pragun, por edhe do të dilte me një numër domethënës të deputetëve”, thotë Gashi.

Megjithatë, Gashi këtë bashkëpunim po e cilëson si jo të duhur. Sipas tij, Osmani nuk ndihet e sigurt me votën e saj dhe për të mirëmbajtur imazhin e një politikaneje shumë të votuar i duhet të peshkojë votues të partive të tjera.

“Së dyti ky veprim i Osmanit, na e shfaqë atë si një politikane që e portreton veten jo si një lidere, që merr përgjegjësi e ka guxim, por si një përcjellëse e liderit, një person i dytë sa herë të kemi zgjedhje, ndërkohë që sa herë që të mbarojnë zgjedhjet merr pozicione lideriste. Lista e përbashkët mes Osmanit dhe LVV është edhe një dëshmi që Osmani nuk ndihet e sigurt me votën e saj dhe për të mirëmbajtur imazhin e një politikaneje shumë të votuar i duhet të peshkojë votues të partive të tjera. Kësaj radhe të VV-së. Kjo është arsyeja e vërtet dhe e vetme e këtij bashkëpunimi parazgjedhor”, thotë Gashi.

Njëjtë këtë bashkëpunim po e sheh edhe analisti tjetër, Fitim Salihu, i cili thotë se nëse VV-ja arrin ta fus Osmanin në listë, atëherë Kurti do ta shndërronte në vartëse të tij atë që para një viti ishte rivalja e tij kryesore.

Pra sipas analistëve, një bashkëpunim i tillë do ta dëmtonte Osmanin.

“Besoj që nuk do të ishte bashkëpunim i befasishëm, duke e parë historinë e gjatë të afërsisë mes Kurtit dhe Osmanit. Por, unë besoj që një bashkëpunim i tillë do ta dëmtonte Osmanin. Nëse arrin ta fus Osmanin në një listë me VV-në, Kurti do të dëshmohej një politikan i shkathët sepse me këtë lëvizje ai do ta neutralizonte politikisht Osmanin dhe do ta shndërronte në vartëse të tij atë që para një viti ishte rivalja e tij kryesore”, thotë Salihu.

Njëjtë si Gashi, edhe Salihu thotë se Vjosa Osmani duhet të garonte vetë, pas sipas tyre, ajo jo vetëm që do ta kalonte pragun, por edhe do të dilte me një numër të deputetëve.

“Personalisht besoj që Vjosa Osmanit do t’i konvenonte më së shumti një parti më vete dhe garimi më vete. Në këtë mënyrë, besoj se Osmani do t’i shkëpuste LDK-së shumë më shumë vota se sa do t’i shkëpuste duke u futur në një listë me VV-në. Shumë opinionistë kanë thënë se Osmani nuk do ta kalonte as pragun nëse garon e vetme, por unë personalisht besoj që Vjosa Osmani e ka krijuar një profil të atillë politik që pa asnjë problem ta kalojë pragun zgjedhor edhe si e vetme”, thotë Salihu.

Osmani u kishte bërë thirrje deputetëve të Kuvendit të Kosovës që të mos votojnë rrëzimin e Qeverisë përmes mocionit që e kishte ngritur atëkohë, grupi i saj parlamentar.

Madje edhe në seancën e 3 qershorit, kur u votua për Qeverinë Hoti, Osmani nuk mori pjesë.

Në zgjedhjet e 6 tetorit 2019, Osmani ishte kandidatja e LDK-së për kryeministre, e cila doli e dyta sa i përket numrit të votave në Kosovë, pas Albin Kurtit. Në zgjedhjet e fundit parlamentare, ajo mori 176 mijë vota.

-Advertisement-

Më shumë artikuj

- Advertisement -

Të fundit