Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se nuk pret “asgjë të mirë” nga bisedimet me Kosovën, sepse “nuk ka dialog real”.
Vuçiq këtë deklaratë e bëri në një konferencë për media pasi ndoqi stërvitjet ushtarake në Batajnicë dhe u ankua se askush s’po e detyron Kosovën të zbatojë marrëveshjet e nënshkruara në Bruksel.
“Jo me dëshirën tonë, jo me vullnetin tonë, por me dëshirën e atyre që as nuk mund të mendojnë se si do ta përmbushin diçka që kanë nënshkruar 10 vjet më parë, askush nuk po i detyron ta bëjnë këtë, por ata që nuk po i detyrojnë janë në gjendje të na detyrojnë dhe ngacmojnë ne dhe njerëzit tanë”, u tha Vuçiq gazetarëve në Batajnicë, pasi mori pjesë në stërvitjet ushtarake.
Ai u tha gazetarëve se qëllimi është që “ose të dëbohen serbët nga veriu ose të detyrohen të pajtohen me pavarësinë”, si dhe ta çojnë Serbinë drejt njohjes së pavarësisë së Kosovës.
Sipas tij, dialogu është reduktuar në “urdhra ndaj Serbisë, të cilat ajo nuk mund t’i përmbushë për shkak të Kushtetutës dhe qëndrimit të saj”.
Vuçiq u ankua se me kryeministrin e tanishëm të Kosovës nuk po mundet të dialogojë, siç ka bërë me të mëparshmit, shkruan N1.
“Gjithmonë kam qenë përkrahës i madh i dialogut, por i dialogut real. Dikur kemi pasur një dialog të vërtetë, sot me Kurtin, ai dialog nuk ekziston fare”, tha ai.
Ai foli edhe për vizitën që do ta ketë në Gjermani ku do të takohet me kancelarin gjerman Olaf Scholz, duke thënë se pritjet e tij janë që të dëgjojë kundërshtimet për qëndrimet e Serbisë.
“Kjo është gjithçka që pres. As keq, e veçanërisht, as mirë. Është një mundësi e mirë që të kemi pak kohë për të shprehur pikëpamjet tona. A do të ndryshojmë një qëndrimin gjerman për Kosovën – sigurisht që nuk do ta bëjmë, a do të ndryshojmë një pjesë të qëndrimit të tyre për sanksionet kundër Rusisë – është mjaft e sigurt që nuk do të bëjmë”, tha Vuçiq.