6.6 C
Pristina
Friday, December 20, 2024

Zgjedhjet presidenciale në Kroaci, këto janë reagimet pas fitores së kandidatit të majtë

Rekomandime

Në Kroaci zgjedhjet presidenciale të së dielës i fitoi kandidati i majtë Zoran Milanoviç, i cili sfidoi presidenten aktuale konservatore Kolinda Grabar-Kitaroviç. Kjo është një fitore e rrallë e liberalëve gjatë votimeve të zhvilluara kohët e fundit në Evropë dhe vjen në një moment kur Kroacia ka kryesinë e radhës së Bashkimit Evropian. Të ndjekim reagimet e ndryshme të banorëve sot në Zagreb.

- Advertisement -

Kroatët patën reagime të ndryshme mëngjesit e sotshëm për presidentin e ri të sapozgjedhur.

Sfidanti i majtë Zoran Milanoviç fitoi zgjedhjet presidenciale të së dielës përballë një kandidateje konservatore. Është kjo një fitore e rrallë nga një kandidat liberal gjatë votimeve të kohëve të fundit në Evropën qendrore.

Me 99% të votave të numëruara, zoti Milanovic, ish-kryeministër i vendit, fitoi 53%. Ndërsa Kolinda Grabar-Kitarovic, gruaja e parë që u bë kryetare e shtetit kroat pesë vite më parë, mori 47% të votave.

- Advertisement -

Rezultati është një goditje për konservatorët në pushtet, në një moment kur Kroacia ka marrë presidencën e radhës së Bashkimit Evropian, ndërsa këtë vit pritet të zhvillohen edhe zgjedhjet parlamentare.

Një banore e Zagrebit mendon se zoti Milanoviç do ti sjellë më shumë sukses Kroacisë në Evropë.

- Advertisement -

“Mendimi im është se ky ndryshim është shumë i mirë. Mendoj se kështu do të jemi më të suksesshëm në Evropë. Ai (zoti Milanoviç) ka vërtet eksperiencë, karizmë, qëndrime. Personalisht, jam shumë i kënaqur dhe i gëzuar. I uroj gjithë të mirat”, thotë Vera Boriç Herceg, banore e Zagrebit.

Ndërsa një tjetër banor mendon se aftësitë gjuhësore të presidentes në largim, e bëjnë atë më të zonjën në komunikim.

“Personalisht isha në favor të Kolinda Grabar-Kitaroviç, sepse mendoj se ajo është më e lidhur me botën, është më e spikatur, flet disa gjuhë. Isha për të. Milanoviçi nuk më pëlqen. Është arrogant dhe jo i sjellshëm”, thotë Tomo Matiç, banor i Zagrebit.

Një banor i moshuar mendon se ndoshta do të kishte qenë më mirë të kishin kandiduar emra krejtësisht të rinj.

“Duhet të kishim parë gjetiu për kandidatë. Kjo nuk është dhe aq mirë. Milanoviçi ishte kryeministër për 4 vite. Kolinda ishte presidente për 5 vite. Ju lutem, nuk ka njeri tjetër? Ndonjë më të ri? Ndoshta atëherë do të kemi një jetë më të mirë. Nuk ka tokë të dytë në botë si Kroacia – është vendi më i mirë, me natyrën më të mirë, shumë të pasur, deti, pyjet malet dhe fabrikat tona. Arritëm t’i shkatërrojmë të gjitha. Shkatërruam gjithçka”, thotë i moshuari Toni, banor i Zagrebit.

Zonja Kitaroviç zhvilloi një fushatë që promovonte “Kroacinë e vërtetë”, diçka që zoti Milanoviç e përkufizoi si tepër të rrezikshme. Në përfundim të procesit, ajo i uroi fitoren zotit Milanoviç.

-Advertisement-

Më shumë artikuj

- Advertisement -

Të fundit