0.8 C
Pristina
Sunday, November 17, 2024

Zhvillimet e mundshme politike, pas verdiktit të Kushtetueses

Rekomandime

Verdikti përmes të cilit Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka vlerësuar se dekreti i presidentit Hashim Thaçi për ta mandatuar Avdullah Hotin nga Lidhja Demokratike e Kosovës për postin e kryeministrit, është në përputhje me Kushtetutën, ka sqaruar shumë dilema se si duhet të interpretohen dispozitat kushtetuese edhe në të ardhmen, se si duhet të veprohet në rast të mocionit të mosbesmit ndaj qeverisë, vlerësojnë njohësit e zhvillimeve politike.

- Advertisement -

Por, sipas tyre, cilido që do të ishte vendimi i kësaj gjykate, reagimet nga subjektet e caktuara politike do të ishin të pashmangshme.

Megjithatë, siç thonë ata, verdikti i Gjykatës Kushtetuese duhet të respektohet nga të gjitha partitë politike, për shkak se vendimet e saj janë të paapelueshme dhe i obligojnë të gjitha institucionet që t’i respektojnë.

Modifikim i qëndrimit ose rrugë e vështirë për Vetëvendosjen

- Advertisement -

Lëvizja Vetëvendosje, e cila kishte kërkuar vlerësimin e Gjykatës Kushtetuese lidhur me kushtetutshmërinë e dekretimit të Avdullah Hotiti për kryeministër nga presidenti Thaçi, tashmë ka shprehur mospajtimin me verdiktin e saj, duke e cilësuar si të papranueshëm.

Analisti i çështjeve politike, Artan Muhaxhiri, thotë për Radion Evropa e Lirë se ka pasur mjaft indikacione të qarta nga udhëheqësit e Lëvizjes Vetëvendosje se nuk do të pranohet një vendim i Gjykatës Kushtetuese që nuk do të jetë në përputhje me pritjet e tyre.

- Advertisement -

“Tash është e qartë që vendimi nuk është i tillë. Prandaj, përfaqësuesit e Vetëvendosjes do të duhej ose ta modifikojnë qëndrimin e tyre, që do të ishte tejet pozitive për Kosovën në përgjithësi, ose t’i hyjnë një rruge të vështirë, të rëndë të sfidimit të këtij vendimi, gjë që do t’iu humbte shumë kohë edhe proceseve të Kosovës në përgjithësi, mirëpo do të ndikonte edhe në imazhin e skenës politike në tërësi”, thotë Muhaxhiri.

Analisti Arton Demhasaj, nga Organizata për Demokraci, Anti-korrupsion dhe Dinjitet – Çohu, duke folur për Radion Evropa e Lirë, thotë se pas verdiktit të Gjykatës Kushtetuese, pritet që të nisin procedurat për krijimin e qeverisë së re, brenda afatit të caktuar kohor. Nëse kjo nuk ndodh, atëherë vendi do të shkojë në zgjedhje. Por, sipas tij, reagimet e Lëvizjes Vetëvendosje janë krejtësisht të pritshme.

“Pra, mund të pritet reagim nga ana e Vetëvendosjes, qoftë përmes protestave dhe mbase edhe ndonjë rezistencë për sa i përket largimit nga institucionet. Por, unë nuk besoj që ka për të ndodhur, sidomos kjo e dyta. Protesta, normalisht, është demokratike dhe kushtetuese për aq sa respektohen normat dhe rregullat, si dhe është e qetë. Mund të protestojnë pa problem ata që janë të pakënaqur, por duke mos rezistuar dhe duke mos e penguar zbatimin e vendimit (të Gjykatës Kushtetuese) në praktikë”, thotë Demhasaj.

Qytetarët, për dhe kundër

Verdikti i Gjykatës Kushtetuese ka ngjallur reagime edhe te qytetarët, të cilët e kanë pritur në mënyra të ndryshme atë.

Emir Berisha, nga Drenasi, thotë se me vendimin e Gjykatës Kushtetuese mund të ketë mospajtime, por ai duhet të pranohet dhe respektohet.

“Duhet të pranohet dhe nuk ka tjetër mënyrë, sepse Gjykata Kushtetuese e ka vlerësuar. Është problem, por ai është organi më i lartë në shtet”, thotë Berisha për Radion Evropa e Lirë.

Shefki Shabani, nga Prishtina, thotë se Gjykata Kushtetuese me veridktin e saj e ka shkelur Kushtetutën, të cilën, siç thotë ai, e ka për obligim ta interpretojë drejt.

“Më 2014, thoshin se qeverinë e formon ai që është i pari. Tash kjo po shkelet. Nuk jam në asnjë parti. Por, nëse nuk e respekton Kushtetutën tënde, atëherë çfarë shteti je ti? A të ikim, ta lëshojmë të gjithë Kosovën? Kjo nuk është mirë”, thotë Shabani.

Njohësit e zhvillimeve politike vlerësojnë se pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, dinamikat e proceseve në Kosovë do të duhej të ndryshonin. Megjithatë, ato do të varen edhe nga polarizimet e mundshme në skenën politike.

Sipas Muhaxhirit, dinamikat e zhvillimeve do të varen sërish nga pozicionimi dhe veprimet eventuale të Lëvizjes Vetëvendosje.

“Nëse synohet që vendimi i Gjykatës Kushtetuese të mos pranohet apo të kërkohet ndonjë ide apo rrugë tjetër, atëherë kjo do të na fusë në një spirale të paqartë që do të ishte e dëmshme për shtetin e Kosovës dhe shoqërinë e saj në përgjithësi”, vlerëson Muhaxhiri.

Ndërkaq, Demhasaj pret që pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, Kosova të bëhet me qeveri të re shumë shpejt. Kjo do t’i hapte rrugë, sipas tij, përshpejtimit të procesit të dialogut me Serbinë.

“Ne e dimë se si po qëndron situata aktuale politike në vend për sa u përket çështjeve të dialogut. Në një mënyrë, Qeveria e (Ramush) Haradinajt ka rënë pikërisht për shkak të procesit të dialogut. Njëkohësisht, ka indikacione që të bindin se edhe Qeveria Kurti ra pikërisht për shkak të dialogut. Me gjasë, nëse krijohet Qeveria Hoti, dinamizimi i procesit të dialogut do të jetë shumë i madh dhe do të ketë menjëherë një rifillim të procesit të dialogut. Ndërsa, në aspektet tjera, të zhvillimit ekonomik apo të çështjeve tjera, nuk pres që do të ketë ndonjë dinamizëm kush e di se çfarë. Pak a shumë, ka për të qenë e njëjta dinamikë që e kemi tash e 20 vjet”, thotë Demhasaj.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, më 30 prill, ka dekretuar Avdullah Hotin nga Lidhja Demokratike e Kosovës për mandatar për kryeministër të ri, pas votimit të mosbesimit për Qeverinë e Albin Kurtit nga Kuvendi i Kosovës më 25 mars.

Po më 30 prill, Lëvizja Vetëvendosje e ka dërguar lëndën në Gjykatën Kushtetuese, duke pretenduar se Thaçi ka shkelur Kushtetutën.

Më 1 maj, Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka vendosur masë të përkohshme, duke pezulluar dekretin e presidentit Hashim Thaçi për të mandatuar Avdullah Hotin nga LDK-ja për kryeministër, deri më 28 maj, kur edhe është marrë vendim i plotë.

-Advertisement-

Më shumë artikuj

- Advertisement -

Të fundit