1.4 C
Pristina
Thursday, December 26, 2024

Zyrtarë të lartë në Kosovë me disa vende pune, kryeprokurori Lumezi rekordman me 5 pozita

Rekomandime

Në vitin 2018, Kuvendi i Kosovës e miratoi Ligjin për parandalimin e konfliktit të interesit në ushtrimin e funksionit publik.

- Advertisement -

Mirëpo ky ligj, nuk po gjen zbatim të plotë në praktikë.

Zyrtarët e lartë të sistemit të drejtësisë, prej miratimit të ligjit, vazhdojnë të mbajnë dy e më shumë pozita drejtuese si dhe të kompensohen për punët shtesë që bëjnë në kuadër të orarit të rregullt të punës.

Ka qenë kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, që ka mbajtur deri shtatë pozita; tri prej tyre pozita drejtuese (kryeprokuror i Shtetit, kryesues i Këshillit Drejtues të Akademisë së Drejtësisë dhe kryetar i Komisionit për Provim të Jurisprudencës).

- Advertisement -

Në deklarimin e fundit të pasurisë në AKK (Agjencia Kundër Korrupsionit), kryeprokurori Aleksandër Lumezi ka deklaruar pesë angazhime: kryeprokuror i Shtetit, anëtar bordi në Akademinë Policore të Kosovës, kryetar i Bordit të Akademisë për Drejtësi, anëtar i Këshillit Prokurorial të Kosovës dhe anëtar i Bordit i Inteligjencës Financiare.

Aktualisht në sistemin e drejtësisë kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës është Albert Zogaj, që krahas pozitës së gjyqtarit në Gjykatën Supreme, kryesuesit të Këshillit Gjyqësor, po ashtu është edhe kryetar i Komisionit për Dhënien e Provimit të Jurisprudencës.

- Advertisement -

Zyrtarët që janë përgjegjës për zbatimin e këtij ligji, thonë se ai është duke u zbatuar në përpikëri, porse monitoruesit e sistemit të drejtësisë, thonë se ky ligj është injoruar nga institucionet.

Gzim Shala është hulumtues i lartë në Institutin e Kosovës për Drejtësi. Ai në hulumtimet që ka bërë për zbatimin e Ligjit për parandalimin e konfliktit të interesit, thotë se ka gjetur shumë shkelje ligjore.

“Në praktikë, ne kemi parë një injorim të këtij ligji, veçanërisht nga ana e sistemit të drejtësisë të cilin ne e monitorojmë sistematikisht dhe që në këtë rast, nuk ka pasur vullnet nga ana e të njëjtëve që ta zbatojnë në praktikë këtë ligj. Marrim shembull mbajtjen e më shumë se një pozite, Ligji për parandalimin e konfliktit të interesit e përcakton qartë që asnjë person nuk mund të mbajë një pozitë të dytë udhëheqëse, përveçse nëse përcaktohet kjo shprehimisht me ligj”, thotë Shala.

Më shumë se një pozitë drejtuese sipas Shalës, kanë mbajtur vetë drejtuesit e sistemit të drejtësisë.

“Dhe ne kemi pasur kryeprokurorin e Shtetit dhe po ashtu kryetarin e Gjykatës Supreme, që kanë qenë edhe kryesues të Bordit të Akademisë së Drejtësisë. Pra një pozitë e dytë udhëheqëse në rastin konkret. Kjo ka ndodhur përkundër faktit se me ligj të veçantë, nuk është e përcaktuar që të njëjtit të jenë edhe kryesues të këtij bordi”, thotë Shala.

Përgjegjësia më e madhe për zbatimin e këtij ligji sipas monitoruesve, qëndron mbi Agjencinë Kundër Korrupsionit, institucion ky që sipas monitoruesve, vazhdimisht ka lejuar që zyrtarët e lartë të mbajnë më shumë se një pozitë drejtuese dhe të kompensohen kundërligjshëm.

Drejtori i AKK-së nuk ka pranuar të flasë për këtë temë, por përmes një përgjigje të shkruar, paraprakisht kishte thënë se zbatimi i këtij ligji është përgjegjësi edhe e institucioneve të tjera.

“Sa i takon zbatimit të tij në praktikë, Agjencia Kundër Korrupsionit, duke qenë përgjegjëse për këtë, është e bindur se nga këndvështrimi i detyrave, përgjegjësive dhe mandatit të saj, e ka zbatuar dhe e zbaton në përpikëri këtë ligj”, ka thënë Shaip Havolli.

Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Drejtësisë, Ardian Bajraktari, thotë që zyrtarëve publikë duhet t’iu ndalohen angazhimet e shumëfishta, pasi siç thotë ai, këtë e përcakton qartë ligji.

“Gjithsecili pozicion ka përgjegjësi. Kush më shumë, e kush më pak, mirëpo në bindjen tonë, ata që janë funksionarë të lartë krahas ushtrimit të funksionit të tyre, në të njëjtën kohë ushtrojnë edhe dy-tri apo me tepër pozicione, është e diskutueshme mundësia që të jenë sa duhet efikas dhe efektiv në ushtrimin e funksioneve që kanë”, thotë Bajraktari.

Gzim Shala nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, thotë se injorimi i këtij ligji ka ndodhur për shkak të mungesës së vullnetit për t’i prekur njerëzit e fuqishëm brenda sistemit të drejtësisë.

“Definitivisht ka pasur mungesë të llogaridhënies. Fillimisht, barra kryesore bie mbi Agjencinë Kundër Korrupsion, e cila nuk ka marrë masat e nevojshme si institucion i mandatuar për mbikëqyrjen e zbatimit të këtij ligji. Kjo është e para. E dyta, është lejuar që ky ligj të injorohet nga ana e sistemit prokurorial dhe sistemit gjyqësor”, thotë Shala.

Për këtë temë, janë dërguar pyetje te kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës, Jetish Maloku.

Ai është pyetur për veprimet që sistemi prokurorial ka ndërmarrë për evidentimin e rasteve, kur zyrtarët e sistemit të drejtësisë shkelin Ligjin për parandalimin e konfliktit të interesit në ushtrim e funksionit publik.

Maloku ka mohuar se brenda sistemit prokurorial ka zyrtarë që angazhohen në vende të tjera të punës dhe që përfitojnë jashtëligjshëm nga kompensimet.

“Ne edhe me herët e kemi sqaruar se asnjë zyrtar i lartë në sistemin prokurorial, nuk është shpërblyer me ndonjë pagesë pa bazë ligjore”, ka thënë Maloku përmes një përgjigje me shkrim.

Pyetje i janë dërguar edhe kryeprokurorit të Shtetit, Aleksandër Lumezi, mirëpo ai nuk është përgjigjur.

Kërkesë për intervistë i është dërguar edhe kryesuesit të KGJK-së, Albert Zogaj, mirëpo ky i fundit ka thënë se e ka të pamundur për shkak të angazhimeve të shumta.

Agjencia Kundër Korrupsionit, për këtë temë është pyetur për veprimet konkrete, si dhe rastet të cilat i ka denoncuar, mirëpo zyrtarët e këtij institucioni nuk kanë kthyer përgjigje në këtë pyetje.

Derisa ky ligj vazhdon të mos gjejë zbatim të plotë në praktikë, monitoruesit e sistemit të drejtësisë thonë se përmes mbajtjes së dy apo më shumë pozitave, zyrtarët përfitojnë kundërligjshëm shuma të konsiderueshme parash.

-Advertisement-

Më shumë artikuj

- Advertisement -

Të fundit