Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi sot në zyrat e FFK-së e ka pasur mysafir trajnerin, Bernard Challandes.
Ata diskutuan shumë gjëra, por nuk e folën të ardhmen e teknikut zviceran – që i bie se ai do të vazhdoj të qëndroj te ‘Dardanët’ deri në fund të kontratës së tij.
Ata bashkëbiseduan edhe për ndeshjet e ardhshme miqësore në qershor dhe ato të radhës kualifikuese, duke u zotuar se do të bëjnë më të mirën e mundshme, teksa ishin në një zë në faktin se në futboll janë rezultatet ato që vlerësojnë punën e gjithsecilit.
Nga ana e tij përzgjedhësi Challandes premtoi se do të vazhdojë të punojë me përkushtim dhe do të mundohet të bëjë më të mirën për Kosovën.
Presidenti Ademi po ashtu ka diskutuar edhe me përgjegjësin e Kombëtares nga KE, Bakir Burri, drejtorin e Kombëtares, Muharrem Sahiti dhe menaxherin Bajram Shala, me ç’rast kërkoi rregullsi dhe përkushtim nga secili pjesëtar i ekipit Kombëtar.
Ai theksoi se të gjithë do ta kenë përkrahjen e tij dhe të KE-së, përfshirë futbollistët, trajnerët dhe stafin, në mënyrë që të rikthehet sa më parë gjendja reale e rezultateve në kombëtaren tonë. Po ashtu, presidenti Ademi nënvizoi se do të mundohen të aranzhojnë sa më shumë ndeshje kontrolluese, të cilat do të ndihmonin që t’u jepet hapësirë sa më shumë futbollistëve për ta dëshmuar potencialin e tyre.