Më shumë se 5 mijë kandidatë që garuan për 1 mijë e 2 ulëse të Kuvendeve Komunale do ta mësojnë të mërkurën rezultatin e tyre.
Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi, ka bërë të ditur se në Qendrën e Numërimit dhe të Rezultateve ka përfunduar numërimi i rreth 300 vendvotimeve për 38 komuna.
Elezi: Shpallja e rezultateve për kuvendet komunale do të bëhet në mbledhjen e KQZ-së
“Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve ka përfunduar procesi i rinumërimit i rreth 300 vendvotimeve të cilat u takojnë zgjedhjeve lokale për Kuvendet Komunale. Pas përfundimit të procedurave të parapara në këtë qendër, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të mundet të shpallë rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të 17 tetorit kuvendet komunale. Planifikojmë që shpallja e këtyre rezultateve të bëhet në mbledhjen e KQZ-së, e cila do të mbahet ditën e mërkurë më datën 3 nëntor”, ka thënë ai.
Ai tregoi se me shpalljen e rezultateve përfundimtare nuk përmbyllet ky proces, pasi subjektet politike dhe kandidatët kanë mundësinë të parashtrojnë ankesat e tyre në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa dhe në Gjykatën Supreme.
Elezi: Subjektet politike mund të paraqesin ankesat e tyre në PZAP dhe në Gjykatën Supreme
“Pas shpalljes së këtyre rezultateve, palët në këtë rast subjektet politike dhe kandidatët mund të paraqesin ankesat e tyre, fillimisht në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa dhe në rast se janë të pakënaqur me vendimin e këtij institucioni të njëjtat mund t’i drejtohen edhe Gjykatës Supreme. Si çdo herë Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të veprojë në përputhje me vendimet e këtyre institucioneve t’i zbatojë ato dhe pastaj të procedojë për certifikimin e këtyre rezultateve”, ka shtuar Elezi.
KQZ ditë më parë ka shpallur e më pas edhe ceritifkuar rezultatet përfundimtare për kryetarë komune.