Ditë më parë media ka raportuar për takimin e shqiptarit Demo Berisha me eksponentë rusë dhe pro rusë. Në këtë takim i cili është mbajtur në Serbi, ish-ushtaraku jugosllav është parë i shoqëruar me Misha Vasiq (përfaqësues i së djathtës ekstreme pro ruse në Serbi), Sergey Belous (spiun rus i cili vepron i maskuar si gazetar) si edhe persona tjerë në mesin e të cilëve ishte fotoreporteri britanik pro-rus dhe pro serb Dean O’Brien, i cili vepron në Ukrainë.
O’Brien është një nga fotografët e rrallë perëndimorë të cilëve i është dhënë akreditimi i plotë civil dhe ushtarak nga “Qendra e Shtypit” në “Republikën Popullore të Doneskut”, rajon i kontrolluar nga separatistët pro-rus.
Ai është mjaft aktiv duke publikuar në rrjetet e tij sociale, fotografi dhe materiale tjera propagandistike, në mbështetje të forcave pro-ruse në Ukrainë. O’Brien shpërndan rregullisht publikime propagandistike të mediave ruse dhe deklarata të zyrtarëve shtetëror rus.
Fotoreporteri britanik pro-rus dhe pro-serb ka vizituar edhe disa lokacione të bombarduara nga NATO, përmes të cilave ai ka shprehur hapur mbështetjen e tij për Serbinë e Rusinë dhe kundërshtimin ndaj veprimeve të vendeve të NATO-s përfshirë Mbretërisë së Bashkuar.
Në vizitën e tij në Serbi O’Brien është takuar me vullnetarë/mercenarë serbë, të cilët kanë luftuar krah forcave pro ruse në Ukrainë, në rajonin e Donbasit.
Në rrjetin e tij social “Twitter” O’Brien gjithashtu ka promovuar grafitë pro serbe dhe pro ruse, një prej të cilave edhe grafiti në mbështetje të kriminelit serb të luftës Ratko Mladiq. Në disa prej grafiteve të fotografuara nga O’Brien shfaqet simpatia e serbëve për luftëtarët separatist pro-rus në Ukrainë.
O’Brien ka shoqëri edhe me gazetarin tjetër britanik pro-rus Graham Phillips, i cili njihet për afërsinë e tij me strukturat shtetërore ruse të sigurisë dhe mediat ruse. Phillips kishte vizituar Kosovën dhe kishte realizuar disa video propagandistike kundër Kosovës, gjë për të cilin institucionet e Kosovës e kishin shpallur Phillipsin person non grata.