9.8 C
Pristina
Monday, May 6, 2024

100 ditëshi i Gërvallës: Skandale e fjalime problematike, Kosova pa ambasadorë në plotë vende

Rekomandime

Sot Qeveria Kurti II shënon 100 ditë në pushtet. Në një mbledhje solemne, kabineti qeveritar i udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti ka shpalosur vendimet e sukseset që besojnë se i kanë arritur gjatë më shumë se 3 muaj në pushtet. Por në takimin e ekzekutivit, mungoi ministrja e MPJD-së, Donika Gërvalla, e cila gjatë 100 ditëve si kryediplomate pati një histori me huqje, skandale e deklarata jo fortë të mira.

- Advertisement -

Fjalimin e përgatitur që listonte punët e bëra në 100 ditët e para në MPJD e lexoi zëvendësministrja e këtij dikasteri, Liza Gashi.

Gjatë fjalimit, zëvendësja e Gërvallës përmendi vendimet e të arriturat e Ministrisë së Punëve të Jashtme e Diasporës në muajt e parë qeverisës.

Megjithatë, kjo Ministri dhe vet udhëheqësja e saj politike, në këto 100 ditë, mbahen mend më shumë për postime skandaloze në Twitter, fjalime problematike, deklarata diskutabile e vendime të kritikueshme.

- Advertisement -

Gazeta Online “Reporteri.net” u sjell një përmbledhje të të gjitha ngjarjeve kryesore në Ministrinë që për shefe ka Donika Gërvallën:

Pafundësia e skandaleve

- Advertisement -

Vetëm dy javë pasi u emërua, si ministre Donika Gërvalla mbajti fjalim në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

Por, ky fjalim u kritikua nga opozita e shoqëria civile për shkak se para Këshillit të Sigurimit Gërvalla theksoi se qytetarët e Kosovës kanë votuar për t’u çliruar nga korrupsioni e krimi.

“Raporti i UNMIK është vetëm një javë pas krijimit të Qeverisë sonë të re. Shumica ka votuar që të çlirojë veten nga korrupsioni dhe krimi. Jemi në një udhëtim për të përmbushur vullnetin dhe kërkesat e popullit tonë, për ta bërë vendin tonë të ri plotësisht të njohur ku sundimi i ligjit dhe demokracia funksionojnë”, kishte thënë Gërvalla.

Në të njëjtin fjalim, ministrja që jetoi në Gjermani e akuzoi këtë të fundit për gjenocid ndaj serbëve, hebrenjve e shqiptarëve gjatë kohës sa në krye të shtetit gjerman qenë nazistët.

“Vetëm 80 vjet më parë, Gjermania naziste kishte filluar bombardimin e Beogradit dhe kishte bërë gjenocid ndaj serbëve, hebrenjve dhe të tjerëve, përfshirë këtu edhe popullin shqiptar, që u ngrit kundër fashizmit”, tha Gërvalla.

Kryediplomatja u kritikua fortë edhe kur gjatë një përplasjeje me PDK-në, tha se Gjykata Speciale nuk piku nga qielli.

“Ju jo vetëm që nuk e keni luftu dhe nuk keni ndërmarr asgjë për dënimin dhe gjykimin e krimeve të pas luftës, por jeni mundu ta evitoni gjykimin e krimeve në Kosovë dhe ju jeni ata që në këtë formë e keni bërë të mundur Gjykatën Speciale. Gjykata Speciale nuk ka piku nga qielli. Ky koalicion qeveritar nuk e ka kriju Gjykatën Speciale, atë e keni krijuar ju”, deklaroi Gërvalla në Kuvend.

Diplomacia e ‘çalë’ e Twitter-it

Hiç më mirë Kryediplomates Gërvalla nuk i shkoi edhe me postime në Twitter.

Përgjatë 100 ditëve, Gërvalla dhe MPJD lëshuan disa deklarata të pakuptima të Twitter, rrjeti social që përdoret shumë nga politikanët për t’i shprehu qëndrimet e tyre zyrtare.

Ministria që ajo udhëheq e bëri një postim në anglisht e që u cilësua si ‘skandaloze’, teksa kritikonte Presidenti e Rusisë, Vladimir Putin, theksonte se Kosova është gati për aleatët e saj.

“Putini po bëhet më agresiv, duke shfrytëzuar dobësimin e Perëndimit. Pa miratimin e Putinit asnjë sulm i Bjellorusisë ndaj avionit, asnjë kërcënim i ri nga Vuçiq me mbi 30 tanke, 30 mil. transportues nga Rusia. NATO, SHBA, BE duhet të marrin masa për të mbrojtur dhe mbrojnë aleatët. Kosova është gati”, thuhej në postimin e MPJ-së në gjuhën angleze.

Pas kritikave të shumta, postimi u fshi nga Twitter dhe Ministrja Gërvalla theksoi se e merr përgjegjësinë politike për këtë cicërimë.

“E marrë përgjegjësinë politike për atë Tweet. Përpjekja për të shkruar reagimin në 270 shkronja, ka shkaktuar një tekst pa lidhëse. E kemi marrë të njëjtin tekst e kemi zgjeruar. I kemi futur lidhëzat. Është i njëjti mesazh. Mendoj që kemi një tekst të kuptueshëm. Teksti është përmirësuar dhe në të ardhmen nuk do të ndodhë asnjëherë”, theksoi Gërvalla.

Por, kryediplomatja e ngatërroi edhe flamurin e NATO me atë të OKB-së në një postim pas takimit me Sekretarin e Përgjithshëm të aleancës ushtarake, Jens Stoltenberg.

Po ashtu në Twitter, Gërvalla i reagoi gazetës gjermane NZZ rreth tekstit në të cilën ajo ishte intervistuar e ku flitej për krimet e UÇK-së ndaj serbëve e të tjerëve, shkruan Gazeta Online ‘Reporteri.net’.

“NZZ publikoi pohimin e rremë se UÇK-ja bëri vrasje pas përfundimit të luftës. UÇK-ja u shpërbë pas çlirimit të Kosovës në qershor 1999. Nëse krimet thuhet se janë kryer, ato janë bërë nga individë, jo nga UÇK-ja”, shkroi në Twitter Gërvalla.

Shkarkimi i ambasadorëve

Në fund të majit, pas rekomandimit të MPJD e me dekrete të Presidentes Vjosa Osmani u shkarkuan 12 ambasadorë të emëruar me anë të çelësit politikë.

Nga detyra e ambasadorit u shkarkuan Beqë Cufaj (Gjermani), Arbër Vllahiu (Shqipëri), Nait Hasani (Shqipëri), Lirim Grejqevci (Holandë), Shpend Kallaba (Hungari), Gezim Kasapolli (Kroaci), Avni Kastrati (Slloveni), Hajdin Abazi (Australi), Gjergj Dedaj (Maqedoni e Veriut), Ylber Hysa (Mal i Zi) dhe Amir Ahmeti (Katar).

Për këto shkarkime u kritikuan fortë nga partitë opozitare e shoqëria civile, ndërkaq u ngritën dyshime për ligjshmërinë e tyre duke sqaruar se diskrecioni i Presidentes nuk është absolut.

Shkarkimi i ambasadorit në Australi, Hajdin Abazi, bëri që kjo ambasadë të mbetet pa asnjë diplomat duke shkaktuar ‘mbylljen’ de facto të saj.

Krahas këtyre vendeve, Kosova nuk ka shef të misioneve edhe në Washington, Londër, Bruksel, Paris e Tokio.

Në fjalimin e saj, zv.ministrja Gashi tha se MPJD tashmë ka nis procedurat për zëvendësimin e ambasadorëve të shkarkuar.

Peng i deklaratave të mëhershme

Në muajt e parë të udhëheqjes së MJPD-së, Gërvalla u përball me kritika të shumta për deklarata të bëra në të kaluarën për ish-komandantët e UÇK-së përfshirë Ramush Haradinajn, Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Rexhep Selimin etj.

Në këto deklarata ajo e kishte e akuzuar vëllezërit Haradinaj si vrasës ordiner e Selimin e cilësonte si figurë e diskredituar e botës së krimit.

Ndërkaq për Veselin qe i vuri epitetin e kokës së një organizate kriminale. Deklaronte se do të dërgonte dëshmi kundër tij në Gjykatën Speciale, ku tash ish-kreu i Kuvendit po përballet me akuza për krime lufte.

Karshi këtyre akuzave, Gërvalla pati thënë se do të vazhdonte kërkimin e drejtësisë për të gjitha viktimat.

“Sot po dëgjoj si po bërtasin fort pikërisht ata që me heshtjen dhe me veprat e tyre e sollën Kosovën në këtë gjendje të turpshme. Vetëm me guxim dhe shumë punë do të mund t‘ia kthejmë Kosovës faqen e bardhë, jo me heshtje dhe mashtrim”, thuhej në reagimin e Gërvallës.

Gjatë 100 ditëve në krye të ministrisë që udhëheq diplomacinë, Gërvalla pati disa takime me homologët e saj e 4 vizita zyrtare jashtë vendit.

Së bashku me shefin e saj në Qeveri, kryediplomatja mbajti fjalim para deputetëve të Parlamentit Evropian, ndërkaq në takime bilateral ajo takoi homologun e saj gjerman, italian turk, kroat, grek e ambasadorët e shumtë të akredituar në Prishtinë./Reporteri.net/.

-Advertisement-

Më shumë artikuj

- Advertisement -

Të fundit