7 C
Pristina
Saturday, April 20, 2024

5 konkluzionet e ekspertizës së fundit nga Zvicra për rastin e Astrit Deharit, Instituti nuk e rekomandon zhvarrosjen

Rekomandime

Pesë konkluzione janë nxjerrë nga ekspertiza e Institutit të Mjekësisë Ligjore në Lozanë të Zvicrës për rastin e Astrit Deharit, sipas raportit të pranuar nga Prokuroria Speciale e Kosovës.

Konkluzionet e raportit të ekspertizës, vlerësojnë se analizat e ADN-së të ndërmarra mbi objektet që kanë qenë në kontakt me Astrit Deharin “në një moment të afërt me vdekjen”, nuk kanë treguar profil ADN-je përveç atij të VlKtlMES.

- Advertisement -

Në pikën e dytë të konkluzioneve të nxjerra nga ekspertiza në Institutin e Lozanës në Zvicër thuhet se ekzaminimi i fotografive të objekteve ka treguar se nuk është nxjerrë “asnjë gjurmë e gishtave që ka mundur të përdoret” për analizë.

“Gjithashtu ekzaminimi i objekteve fizike (shishja e plastikës #5, brisk roje #13, stilolapsi i lidhur për lidhësen e këpucës #14 dhe pjesa e metaltë #17 kanë treguar se tentativa të reja për të gjetur gjurmë të gishtave në këto objekte nuk ishin relevante”, thuhet në pikën e dytë të konkluzioneve.

Pika e pestë e konkluzioneve të këtij raporti të publikuar nga Paparaci, thotë se e vetmja mënyrë për të gjetur prova eventuale, do të ishte riekzaminimi i trupit pas zhvarrosjes. Megjithatë, raporti i Institutit të Lozanës nuk e rekomandon këtë masë.

- Advertisement -

“Trupi i të ndjerit përbën provën më të rëndësishme, por edhe provën e cila më së paku është përdorur. E vetmja mënyrë për të gjetur prova të mundshme do t’ishte të riekzaminohet trupi pas një exhumimi (zhvarrosje), megjithatë, duke pasur parasysh sa kohë ka kaluar dhe sa e rëndë është kjo masë, nuk e rekomandojmë”, thuhet në pikën 5, të raportit.

Prokuroria Speciale e Kosovës tha të martën se disa prej objekteve të analizuara kanë qenë brisku i rrojës, stilolapsi i lidhur me një lidhëse këpucësh dhe një pjesë metali.

- Advertisement -

Astrit Dehari ka humbur jeten më 5 nëntor të vitit 2016 teksa po mbahej në Qendrën e Paraburgimit në Prizren, si i dyshuar për sulmin ndaj ndërtesës së Kuvendit, në gusht të vitit 2016.

Autoritetet përgjegjëse në Kosovë fillimisht e kanë cilësuar vd*ekjen e tij si “vetëvrasje”, por familja Dehari ka kërkuar që të bëhet ekspertizë ndërkombëtare, për shkak të dyshimeve për këtë konstatim.

“Analizat toksikologjike plotësuese të gjakut periferik të Astrit Deharit, kanë treguar praninë kafeinës dhe mos prani të etanolit. Sa i përket ekshumimit të trupit të të ndjerit nuk ka rekomandim në ekspertizë dhe e njëjta nuk është rekomanduar që të ri ekzaminohet trupi duke pasur parasysh se sa kohë ka kaluar”, është thënë mes tjerash në gjetjet e raportit, ka thënë Prokuroria Speciale më 12 prill.

Dokumenti i dorëzuar më 1 prill të këtij viti është ekspertizë shtesë e kërkuar nga autoritetet e drejtësisë në Kosovë, pasi më 24 tetor të vitit 2019, Prokuroria Themelore në Prizren pati publikuar konkluzionet e ekspertizës së Institutit të Mjekësisë Ligjore për rastin e Deharit.

“Ashtu siç është thënë në ekspertizën tonë, ne kemi dyshime që lidhen me rrethanat e vdekjes së Astrit Deharit. Në fakt hipoteza e një vetëvrasjeje përmes mjeteve të caktuara nga mjekët ligjor duket pak e vërtetë dhe intervenimi i një personi të tretë në proces fatal duhet të kihet parasysh”, është thënë në konkluzionet e ekspertizës së vitit 2019.

Me këtë konstatim, Prokuroria e pati kthyer rastin në hetim, pas përfundimeve të mëparshme se bëhej fjalë për vetëvrasje.

Më 30 tetor të po atij viti, Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, ka marrë vendim që rasti i Astrit Deharit të kalojë nga Prokuroria Themelore në Prizren në juridiksion të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK) prandaj edhe janë kërkuar hetime shtesë.

Prokuroria Speciale ka thënë se do të vazhdojë hetimin e këtij rasti dhe do t’i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme.

Bashkë me Astrit Deharin, ishin arrestuar katër aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje, Frashër Krasniqi, Adea Batusha, Atdhe Arifi dhe Egzon Haliti.

Ata dyshoheshin për sulmin me mjet shpërthyes kundër Kuvendit të Kosovës që kishte ndodhur në mbrëmjen e 4 gushtit të vitit 2016.

Në shkurt të vitit 2017, familja Dehari vendosi që ekspertizën për këtë rast ta kryejë Qendra Universitare e Mjekësisë Ligjore në Zvicër.

-Advertisement-

Më shumë artikuj

- Advertisement -

Të fundit