Zyrtari i Lëvizjes Vetëvendosje Agim Bahtiri i cilëson si të papranueshme dhe skandaloze vendimet për emërimet në AKI.
Bahtiri thotë se këto emërime janë bërë që të zaptohen pikat kyqe të shtetit nga presidenti Thaçi.
“Cdokush duhet ta ketë të qartë se çdo vendim i marrë nga Qeveria pas zgjedhjeve të 6 tetorit do të shfuqizohet” shkruan ndër të tjera Bahtiri.
Postimi i plotë:
Emërimi i sotëm i Shefit të AKI-së dhe Inspektorit të Përgjithshëm të këtij institucioni shumë të rëndësishëm të sigurisë nga presidenti dhe kryeministri në dorëheqje është skandaloz dhe i papranueshëm. Kjo po bëhet me qëllim nga njeriu që po dëshiron ta mbajë pushtetin dhunshëm dhe pa zgjedhur mjete, e ai është presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.
Pas dorëheqjes së Qeverisë dhe sidomos pas zgjedhjeve të 6 tetorit Qeveria nuk guxon të merr vendime të rëndësisë së madhe për vendin, pasi që është pa legjitimitet, por që një avaz të tillë po e vazhdon kryeministri në dorëheqje Ramush Haradinaj, i cili vetëm sa për ta rehatuar një zyrtar partiak në pozitën e Inspektorit të Përgjithshëm, po vihet në shërbim të Hashim Thaçit.
Tashmë po shihet se prej përfundimit të zgjedhjeve të 6 tetorit, presidenti është mundur me çdo kusht ta destabilizoj vendin, duke vënë në lëvizje institucionet e caktuara, duke përfshirë Gjykatën Kushtetuese, Gjykatën Supreme dhe KQZ-në, të cilat nuk kanë lënë lëvizje pa bërë vetëm e vetëm që ta fusin një koalicion të dështuar në Kuvendin e Kosovës, me shpresën së në këtë mënyrë do ta pamundësojnë Qeverinë Kurti.
Me emërimet e sotme në AKI, presidenti po dëshiron që përmes militantëve partiak t’i zaptoj pikat kyçe të shtetit, për të cilat Kryeministri i ardhmëm, Albin Kurti, ka premtuar se do t’i ndryshoj pozitivisht.
Mirëpo, çdokush duhet ta ketë të qartë se çdo vendim i marrë nga Qeveria pas zgjedhjeve të 6 tetorit do të shfuqizohet, e veçanërisht vendimet që kanë të bëjnë me emërime.AB