Në ora 16:00 do të certifikohen rezultatet e zgjedhjeve të gjashtë tetorit, kjo pas më shumë se një muaj prej kur kosovarët iu ishin drejtuar kutive të votimit.
Gjykata Supreme sot ka refuzuar si të pabazuar kërkesën e Vetëvendosjes për të numëruar edhe disa kuti të votimit, që kishin ardhur në vend pas afatit të caktuar.
Derisa, kjo ankesë është shpallur si e pabazuar, nga KQZ-ja, kanë bërë të ditur në një përgjigje për Gazetën Express se në ora 16:00 do të certifikohen rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve.
“Sot, më 27 nëntor në orën 16:00, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të certifikojë rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës që janë mbajtur më 6 tetor 2019”, ka bërë të ditur zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.
Me këtë rezultat, VV-ja del si parti e parë, derisa, pas saj radhitet LDK-ja si parti e dytë më e votuar.
Koalicioni NISMA-AKR-PD ka siguruar gjashtë ulëse në Kuvend të Kosovës.