10.7 C
Pristina
Friday, November 22, 2024

Tragjedia e Abazëve, Isa e Shemsedini që u mbytën në Durrës varrosën pranë vëllait tjetër

Rekomandime

Në një distancë jo më të largët se tre metra tashmë prehen tre djemtë e familjes Abazi të fshatit Livoç të Komunës së Gjilanit. Dy prej tyre vdiqën të martën e 26 nëntorit në Durrës, në tërmetin vdekjeprurës që e goditi Shqipërinë. Ata u varrosën sot në praninë e mijëra qytetarëve. Të dy ata lanë pas 6 fëmijë jetimë. Më i madhi 8 vjeç e më i vogli 3-vjeçar.

Besimi është vetëm 8-vjeçar. Ai e mban emrin e axhës së tij të cilin ia kishin vrarë para më shumë se dhjetë viteve. Por, pranë varrit të axhës, Besimi, sot e varrosi babain e tij, Shemsedinin si dhe axhën tjetër, Isa Abazin.

- Advertisement -

Nën lot, po i këndonte lutjet e fundit për babën dhe axhën që gjetën të vdekur nën gërmadhat e një ndërtese në Durrës pas tërmetit i cili e goditi atë qytet mëngjesin e 26 nëntorit.


Varret e tre- vëllëzërve. Livoç- Gjilan
Dita e fundit kur Besimi e kishte parë babain e tij, kishte qenë dita e hënë e kësaj jave. Në mëngjes prindi i tij, bashkë me Isain , e disa persona të tjerë ishin nisur për në Shqipëri. Aty, kohë pas kohe shkonin për të punuar, punë kryesisht mekanike.


Besimi-djali i Shemsedinit të ndjerë
Por e marta kishte dal të jetë fatale për vëllezërit e Abazi. Ata e gjetën vdekjen pas tërmetit vdekjeprurës i cili e goditi Durrësin në mesnatën e 26 nëntorit të këtij viti.

- Advertisement -

Isa e Shemsedin Abazi, në momentin kritik kishin qenë në gjumë kur ndërtesa ku gjendeshin thuajse u rrënua e tëra. Por, për disa orë, këta dy vëllezër besohet se kanë qenë gjallë. Ata madje kishin pasur kontakte me ekipet e emergjencës. Por, pas disa orëve, të dy vëllezërit zhduken pa gjurmë, duke u gjetur vetëm pas 15 orëve qëndrim nën gërmadhat e një hoteli në Durrës. Por fatkeqësisht, ata u gjetën të vdekur.


Ceremonia e varrimit
Trupat e tyre u sollën të mërkurën në Kosovë, për t’u varrosur pastaj një ditë pas, të enjten, në varrezat e fshatit të tyre të lindjes, në Livoç të Gjilanit.

- Advertisement -

Familja kërkon ndihmë financiare

Me shuarjen e tre vëllezërve Abazi, familjet e tyre, tashmë po përballen me gjendje të rëndë ekonomike. Gjashtë fëmijë jetimë kanë mbetur pa përkujdesje dhe në kushte të vështira.

Për ta, po kërkohet ndihmë edhe nga ana e familjarëve. Për Gazetë Express, axha i të ndjerëve, Ramadan Abazi, ka kërkuar nga njerëzit vullnet mirë që ‘iu ndihmojnë jetimëve të dy djemve që vdiqën në tërmetin e së martës në Durrës.

“Sot i varrosëm. Nuk po e besojmë se janë ata. Kishin shkuar për punë, e na u kthyen në arkivol. I kanë lënë 6 fëmijë jetim. Me punën në Shqipëri e siguronin ekzistencën e familjes. Tash nuk e dimë si do t’ia bëjmë. I lusim të gjithë ata që kanë mundësi që t’i ndihmojnë këta fëmijë”, ka apeluar axha I të ndjerëve.


Njoftimi për vdekjen
E zyrtarët shtetërorë po shprehen të bindur se nuk do t’i lenë vet këta fëmijë. Kështu tha sot para të pranishmeve në ceremoninë e varrimit, kandidati për kryeministër, Albin Kurti.

Ai tha se Qeveria e ka për obligim ta ndihmojë dhe ta përkrahë familjen e tyre.

“Ne si Qeveri e kemi për obligim që ta ndihmojmë e ta përkrahim këtë familje, tragjedinë e se cilës do ta ndajmë të gjithë ne. Edhe në gëzim edhe në hidhërim do të jemi me ta. Le t’i qëndrojmë pranë kësaj familje që i humbi më të dashurit. Dhe duke i shprehur ngushëllim edhe për këta dy djem edhe për 40 të tjerët. Ne do të jemi këtu që t’i mbështesim. Mërzinë e kemi të pashmangshme. Ju faleminderit që keni ardhë këtu pranë familjes. Shëmsedini e Isai u prehshin në paqe”, ka thënë Kurti.


Albin Kurti në ceremoninë e varrimit të vëllezërve Abazi- Livoç-Gjilan
Tërmeti i fuqishëm prej 6.4 shkallë të Rihterit që goditi Shqipërinë mëngjesin e 26 nëntorit ishte fatal për dy vëllezërit të cilët nuk arritën t’i mbijetojnë shembjes së hotelit në të cilin gjendeshin.

Nga tërmeti që goditi Shqipërinë deri më tani janë konfirmuar 41 viktima dhe mbi 600 të lënduar.

-Advertisement-

Më shumë artikuj

- Advertisement -

Të fundit