Kur janë bërë gati një javë nga takimi i fundit, ku qëndruan për më shumë se tri orë, por pa arritur ndonjë rezultat konkret, kreu i VV-së, Albin Kurti dhe ai i LDK-së, Isa Mustafa ditën e sotme kanë pasur një takim tjetër, i cili po mbahet i “fshehtë” nga publiku.
Reporteri.net mëson se Mustafa e Kurti aktualisht ndodhen në Kuvendin e Kosovës në një takim që ka nisur qysh në orën 14:00 të pasdites së sotme.
Reporteri ka siguruar një foto ku shihet zyrtari e VV-së, Arianit Beqiri – njeri që i qëndron afër Kurtit – duke hyrë drejt Kuvendit të Kosovës. Aty shihet edhe vetura e kreut të VV-së, Albin Kurti.
Për dallim nga takimet tjera, asnjëra palë nuk ka njoftuar për këtë takim, siç ka ndodhur në rastet e mëparshme. Madje Kurti në një prononcim para mediave gjatë ditës së sotme tha se takimet do të vazhdojnë, por duke mos dhënë detaje se kur.
Kujtojmë se gjatë ditës së djeshme, dy anëtarët e Bundestagut gjerman, Christian Schmidt dhe Peter Beyer, kanë takuar liderin e LVV-së, Albin Kurtin dhe kreun e LDK-së, Isa Mustafën, nga të cilët kanë kërkuar të veprojnë në krijimin sa më të shpejtë të qeverisë së ardhshme.
Kërkesën e njëjtë në drejtim të këtyre dy partive e ka drejtuar edhe Zyra e BE-së në Kosovë, Ambasada e SHBA-së në Prishtinë dhe ajo e Britanisë së Madhe.
Bisedimet mes këtyre partive janë ngrirë që nga e shtuna e kaluar, kur të dy palët nuk arritën të merreshin vesh rreth postit të presidentit të cilin po e kërkon LDK-ja.
Madje, Mustafa pasi mblodhi Këshillin e Përgjithshëm këtë javë tha se nëse LVV zotohet ta mbështesë kandidatin e LDK-së për President, atëherë LDK është e gatshme të japë një nga 5 ministritë që i takojnë.
Kurti u kundërpërgjigj qysh ditën tjetër duke thënë se Mustafa nuk tha asgjë të re. Mirëpo sot në një prononcim para mediave, Kurti pranoi se oferta 6 me 4 e LDK-së do të diskutohet në takimet e ardhshme me këtë subjekt.