Një ditë para seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, Lëvizja Vetëvendosje ia ka përcjellë sinjalin e fundit LDK-së, duke deklaruar asesi se nuk do të pranojnë që të merren vesh për pozitën e presidentit, raporton Gazeta Express.
Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, e ka cilësuar si të padrejtë kërkesën e LDK’së për postin e presidentit dhe ka thënë se si e tillë është e papranueshme.
Në një intervistë për kallxo.com Haxhiu ka thënë se qytetarët kanë shprehur vullnetin që qeveria e ardhshme të formohet nga LDK-ja dhe VV-ja.
“Ne si subjekt politik veprojmë në bazë të rrethanave dhe duke pasur parasysh që edhe vet qytetarët e Republikës përmes vullnetit të shprehur në zgjedhjet e gjashtë tetorit e kanë dashur këtë koalicion, ne jemi angazhuar me të gjitha forcat tona për të arritur koalicion”, ka thënë ajo.
Sipas saj me LDK-në nuk është problem besimi në të, por kërkesa e saj për postin e presidentit.
“Unë nuk e shoh që ka mungesë besimi por ka kërkesa joracionale dhe jo të drejta që i ka parashtruar tash së fundi LDK-ja. Në fakt kur jemi lëshuar për të folur për përgjegjësitë qeverisës ka dalur edhe kërkesa që LDK-ja të ketë kandidatin për President, pra nuk shoh që ka një mungesë besimi, por ka kërkesa të cilat për Vetëvendosjen janë të pakapërcyeshme dhe të papranueshme”, ka thënë ajo.