Një takim shumë i shkurtër ndodhi sot në presidencë në mes të liderit të LV-së, Albin Kurtit dhe presidentit të vendit, Hashim Thaçi.
Menjëherë pas takimit Kurti dhe Thaçi që zhvilluan konsultime për formimin e qeverisë dolën në pah mospajtimet.
Thaçi shkroi në Facebook, se Kurti nuk ishte i gatshëm që sot të propozonte të nominuarin për kryeministër nga VV-ja. Për këtë arsye, deri të mërkurën, Thaçi i ka dhënë kohë Kurtit që të bëjë nominimin e kandidatit.
Megjithatë, në shkrimin e të parit të shtetit, vërehet se ai ka lënë të nënkuptohet se nëse Kurti nuk iu përmbahet këtij afati, do të vazhdojë me veprime të tjera kushtetuese dhe ligjore, raporton Gazeta Express.
“…Kam vendosur që t’i ofroj z. Kurti kohë shtesë edhe 48 orët e ardhshme për nominimin e kandidatit/kandidates për kryeministër të ardhshëm të Qeverisë së Republikës së Kosovës, para se të marr veprimet e radhës kushtetuese dhe ligjore”, ka shkruar presidenti.
Shkrimi i presidentit Hashim Thaçi në Facebook pas takimit me Albin Kurtin
Por, ndaj kësaj reagoi Vetëvendosje duke thënë se Thaçi nuk mund të vendos asnjë afat.
“Mund të them që në asnjë moment Presidenti nuk ka përmendur kufizim kohor për nominimin e kadidatit/es për Kryeministër, e aq më pak afatin prej 48 orëve.Ky kufizim kohor apo çfarëdo kufizimi i ngjashëm, nuk ka bazë kushtetuese” ka shkruar Kreshnik Ahmeti, Sekretar për Marrëdhënie me Jashtë i Lëvizjes Vetëvendosje.
Kurti ndërkaq pas takimit me Thaçin u ka thënë gazetarëve se propozimet Presidentit do t’i dërgohen menjëherë pasi të mbahet mbledhja e Kryesisë së Vetëvendosjes.
Por, tashmë dihet se VV ende nuk ka arritur marrëveshje me LDK’në, të cilës i ka bërë thirrje që t’ia dërgojë propozimet për postet qeveritare.
Kushtetuta e Kosovës e saktëson se pas zgjedhjeve, presidenti i vendit propozon në Kuvend, kandidatin për kryeministër, kjo në konsultim me partinë politike që ka fituar shumicën e nevojshme për të krijuar qeverinë.
Në këtë rast, kandidati për kryeministër, ka kohë jo më shumë se 15 ditë pas emërimit që të paraqes përbërjen e qeverisë para Kuvendit, e të kërkojë miratimin e tij.
Në rastin e Kurtit, ashtu siç edhe ka paralajmëruar presidenti, nëse ai nuk arrin që të vërtetojë që ka shumicën e votave, Thaçi brenda 10 ditësh emëron kandidatin tjetër sipas të njejtës procedurë.
Secila parti, përmes mbledhjes së nënshkrimeve mund të jetë i nominuar pas Kurtit, në rast se e dëshmojnë se e kanë shumicën.
Zgjedhjet e reja janë opsion i vetëm nëse në këto dy raste dështon formimi i qeverisë së re.
Në anën tjetër, lideri i LV-së, Albin Kurti ka thënë sot para mediave se takimi me Thaçin nuk ka provuar efekt juridik.
“Sot isha në takim me presidentin e Republikës, ky ishte një takim i shkurtër konsultativ pa efekte juridike, lidhur me fazën e ardhshme konstituive të institucioneve që sot i kanë mbushur tre muaj. Unë dëgjova presidentin në këtë takim disaminutësh, unë dëgjova presidentin që shprehu interesimin për krijimin e qeverisë, por, njëkohësisht edhe tha që e di që ju nevojitet një kohë e caktuar, por, gjithashtu ne do ta bëjmë propozimin”, ka thënë Kurti