NGA PROF. DR. ENVER BYTYÇI
Dështimi i këtij koalicioni i intereson shumë armikut të betuar të Ibrahim Rugovës, pra Rexhep Qosjes. Do të shohim sa larg do të shkojë zoti Kurti në gjurmët e Qosjes. Por Qosja dhe LDK nuk shkojnë bashkë dhe duket se Kurti dhe Qosja nuk ndahen dot! Nëse i marrim këto emërues të mirëqenë, atëherë nuk është aspak çudi që Lëvizja Vetëvendosje ta orientojë bashkëpunimin e saj me Partinë Demokratike të Hashim Thaçit..
Dje (e hwnw 6 janar) janë mbushur plot tre muaj nga dita kur qytetarët e Kosovës shprehën verdiktin për të rrëzuar pushtetin e inkriminuar të PAN dhe për të sjellë në pushtet opozitën e përfaqësuar nga VV dhe LDK.
Votuesit e shprehën vullnetin e tyre që të dy partitë e opozitës të përfaqësohen njësoj në parlamentin e ardhshëm.
Kur në parlament ulen një numër deputetësh me diferencën minimale të mundshme me një deputet, kjo ka vetëm një interpretim: Të dy forcat politike duhet të përfaqësohen në mënyrë të barabartë dhe të balancuar në qeverisjen e vendit.
Këtë mesazh të votuesve nuk e ka lexuar Albin Kurti dhe Vetëvendosje, ndaj dhe nuk është arritur ende, edhe sot pas tri muajsh, marrëveshja për krijimin e qeverisë.
Por kjo ndodh se në Vetëvendosje po aplikohet një lloj taktike e “faktit të kryer”, e tipit “Unë po shkoj te presidenti, ju më sillni 5 emrat e ministrave tuaj”! Absurde kjo për një lider politik, e cila synon kompromisin për krijimin e qeverisë së re.
Ose Albin Kurti ka për qëllim të refuzojë bisedimet me Lidhjen Demokratike dhe të adresohet për një lloj koalicioni tjetër.
Ndryshe nuk shpjegohen ultimatumet ndaj partnerit, me të cilin kërkon të ushtrosh pushtetin.
Gjithkush e kupton se edhe në Lidhjen Demokratike ka grupe të interesuara që të dështojë koalicioni me Vetëvendosjen.
Tashmë dihen emrat dhe mbiemrat e ndërskamësve në këtë forcë politike.
Por sjellja e Albin Kurtit të çon në idenë se ai nuk e dëshiron kompromisin. Dhe nëse do të donim të analizonim shkaqet pse ndodh kjo, atëherë pa u përpjekur për spekulime, do të thosha se janë disa:
Së pari, në Vetëvendosje ka politikanë të indoktrinuar me ideologjinë qosiste të përjashtimit.
Rexhep Qosja së fundi u shfaq si babai shpirtëror i Albin Kurtit, kur u përpoq që të fajësojë LDK-në për zvarritjen e koalicionit qeverisës.
Sot kreu i VV dëshmoi se parapëlqen të imitojë Rexhep Qosjen.
Nuk i thuhet partnerit potencial “Më jep emrat e ministrave t’i çoj te presidenti” ende pa nënshkruar një marrëveshje me atë! Nëse Kurti do të vijojë të sillet kësisoj me LDK-në, nuk do ta krijojë qeverinë me këtë parti.
Dështimi i këtij koalicioni i intereson shumë armikut të betuar të Ibrahim Rugovës, pra Rexhep Qosjes.
Do të shohim sa larg do të shkojë zoti Kurti në gjurmët e Qosjes. Por Qosja dhe LDK nuk shkojnë bashkë dhe duket se Kurti dhe Qosja nuk ndahen dot! Nëse i marrim këto emërues të mirëqenë, atëherë nuk është aspak çudi që Lëvizja Vetëvendosje ta orientojë bashkëpunimin e saj me Partinë Demokratike të Hashim Thaçit.
Kjo do të thotë rikthim i komandantëve në pushtetin e ardhshëm. Për pasojë kuptimi i kësaj shkon te mosrespektimi i vullnetit të sovranit.
Së dyti, mesa duket kreu i Vetëvendosjes i përmbahet filozofisë ideologjike majtiste “Ose gjithçka, ose asgjë”, formulë e ngjashme me atë të Edi Ramës “Na jepni timonin të mos e ndajmë tepsinë”! Se çfarë përfaqësoi kjo aksiomë e kryeministrit të Shqipërisë, këtë po e vujanë jo vetëm shqiptarët e Shqipërisë, por edhe ata të Kosovës.
“Tamahu i madh të le pa gjë”, thotë një fjalë e urtë popullore. Por Kurti duket se mendon që atë që nuk ia jep LDK ta marrë te PDK.
Hashim Thaçi ka synim të vijojë edhe me një mandat të dytë në postin e presidentit të Republikës. Albini, mesa duket, ia garanton këtë ambicie, mjafton që qeveria të jetë plotësisht në duart e tij.
Por ky opsion është i pavotuar nga sovrani. Ndërkaq Kurti mori votat e qytetarëve me premtimin për ndëshkimin e korrupsionit dhe deri më sot nuk është provuar se si i ndëshkon të korruptuarit një forcë politike, e cila bashkëqeveris me ta.
Eshtë e sigurt se PDK dhe Thaçi e përkëdhelin ambicjen e zotit Kurti për të krijuar një kabinet qeveritar, në të cilin ai të jetë zot dhe shkop i tij. Modeli i Rilindjes është i gatshëm dhe zoti Rama mund të ofrojë për këtë ekspertizë perfekte.
Çfarë fiton dhe humb Vetëvendosje nga bashkëpunimi me PDK dhe refuzimin e një koalicioni me LDK-në?
Fiton pushtet ekzekutiv të pakufizuar. Për pasojë fiton mëvetësi autoritare, mundësi për t’u përfshirë në korrupsion dhe për të mos u zbuluar për shkak të kontrollit të agjencive të zbatimit të ligjit.
Fiton kontrollin e pushtetit të gjyqësorit në mënyrë të balancuar më presidentin e vendit. Pra fiton pushtet, për të mos bërë shtet.
Ndërkaq humbet autoritetin, legjitimitetin dhe besimin e qytetarëve. Sepse votuesit nuk ia dhanë votën Vetëvendosjes që të rikthejë në pushtet PDK-në.
Po të ishte ky qëllimi, atëherë ata do të votonin drejtpërdrejt origjinalin, d.m.th PDK-në, nuk do të votonin kopjen, dmth Vetëvendosjen. Albin Kurti, nëse synon karrierë politike të gjatë, ka vetëm dy mundësi:
E para, të lëshojë e të sillet me LDK-në si me një partner qeverisës të besueshëm, në mënyrë miqësore dhe korrekte. Pra të japë maksimumin për LDK-në e të ndajë pushtetin me të në mënyrë të balancuar, deri te kompromisi për marrjen e vendimeve në qeveri me parimin konsensual.
E dyta, të largohet nga Rexhep Qosja dhe filozofia e tij politike e përçarjes, e pykave, e ndarjes, e urrejtjes dhe hakmarrjes! Pa u ndarë me Rexhep Qosjen, Albin Kurti nuk do të mund të ndahet nga majtizmi ekstrem e për pasojë nuk do të bëhet një lider i shpresës për Kosovën.