Po bënin hiking në fshatin Strazh të Kaçanikut me disa turistë, por dy persona rreth orës 14:00 u ndanë nga grupi duke rezultuar si të zhdukur për orë të tëra. Të cilët deri vonë kanë pasur kontakt me telefon me grupin, por më vonë i është ndërprerë kontakti.
Në orën 18:00 Policia e Kosovës është njoftuar me rastin, derisa i menjëhershëm ka qenë reagimi i tyre bashkë me FSK-në e rojet e pyllit.
Të njëjtit kanë nisur kërkimin për personat e humbur, ndërsa mobilizimi i tyre ka rezultuar i suksesshëm.
Por, ai që është heroi i këtij rasti është pikërisht Agim Luta, roje i pyllit në Parkun Kombëtar.
Luta ka folur për IndekSonline derisa ka treguar se në çfarë gjendje dhe ku i ka gjetur personat që kishin humbur gjurmët.
“Kërkimi ka zgjat thuajse dy orë. Mua me kanë njoftuar disa persona për këtë rast dhe i kam pyt ku kanë qenë së fundmi. Posa mora këtë informacion, kam vazhduar rrugën me tre persona të tjerë dhe kam shku në vendin e ngjarjes. I kemi gjet në vendin e quajtur si Reka e Jasikës. Gjendja e personit mashkull ka qenë e mirë, ndërsa e vajzës ajo ka qenë e stresuar”.
Luta thotë gjithashtu se nuk ka qenë i lehtë ky kërkim për shkak të motit të lig.
“Tereni ka qenë shumë i vështirë, pa rrugë dhe vetëm pyll. Kemi ngecur shumë, por ja kemi dalë”.
Ndryshe, Agim Luta është nga Kaçaniku dhe ka shërbyer për disa vite në Forcën e Sigurisë së Kosovës dhe është pensionuar me kontribut. Ndërsa, ka pesë muaj që punon si roje pylli në Parkun Kombëtar për Mbrojtjen e Natyrës dhe ruajtjen e kafshave të egra