10.7 C
Pristina
Friday, November 22, 2024

Biznesi në qendër të Prishtinës sulmohet me breshëri plumbash

Rekomandime

Zyrat e një agjencie marketingu në lagjen “Dardania” në Prishtinë janë sulmuar me një breshëri plumbash nga dy persona, te enjten rreth orës 2 të mëngjesit. Kompania ‘Pixie Group’ që ka qenë cak e sulmit është në pronësi të vëllezërve Valon e Hekuran Konjusha.

Dy persona të panjohur ende për policinë, te enjten rreth orës 02:30, nga parkingu kanë sulmuar me një breshëri plumbash zyrat e kompanisë së marketingut digjital “Pixie Group” që ndodhen në lagjen Dardania të Prishtinës.

Rastin e ka njoftuar Policia e Kosovës, të premten, në raportin 24 orësh.

- Advertisement -

Në vendngjarje, sipas Policisë, u gjeten 12 gëzhoja plumbash, një pjesë e të cilave përfunduan në xhamat e lokalit të kompanisë që u sulmua.

“Përveç dëmeve materiale, nuk raportohet për të lënduar”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Gëzhojat që u gjeten në vendin e ngjarjes, siç mëson Gazeta Online “Reporteri” dyshohet se janë, një pjesë të një arme të gjatë automatike dhe të tjerat të një pistolete.

- Advertisement -

Përveç lokalit të ‘Pixie Group’, Reporteri.net ka marrë vesh se me të njëjtat armë të zjarrit, dy të dyshuarit, gjatë shkrepjes së plumbave, dëmtuan edhe dy vetura të tipit ‘Mercedes’ që ndodheshin në parkingun përballë ku ndodhi sulmi.

Gazeta Online “Reporter” ka arritur të sigurojë edhe pamje të momentit ku ndodhi sulmi ndaj zyrave të kompanisë ‘Pixie Group’ në Prishtinë. Në to shihen sulmuesit e armatosur derisa shkrepin plumbat në drejtim të biznesit që ndodhet në një nga lagjet e qendrës së Prishtinës, dhe pastaj largohen me vrap nga vendi i ngjarjes.

- Advertisement -

Kompania ‘Pixie Group’, që ofron shërbime të marketingut digjital, e themeluar qysh në vitin 2013, ka tre pronarë të regjistruar në Agjencia e Regjistrimit të Bizneseve të Kosovës.

Pronarë të kësaj kompanie figurojnë vëllezërit Valon e Hekuran Konjusha.

Gazeta Online “Reporteri.net”, të premten ka qëndruar tek zyrat e ‘Pixie Group’ në lagjen “Dardania”. Një ditë e gjysmë pas sulmit me armë zjarri, zyra qendrore e këtij biznesi i kishte ende të mbyllura dyert.

Por, në afërsi të saj, në një lokal tjetër po qëndronte Valon Konjusha, njëri prej bashkëpronareve.

Ai nuk pranoi të japë detaje rreth sulmit, për Reporterin, përkundër se pranoi se e di se çka fshihet pas këtij sulmi me armë ndaj biznesit të tij.

“Krejt i dimë na”, tha ai shkurt, duke e mbyllur bisedën me ekipin e gazetës.

Por, për dallim nga Konjusha, për Policinë e Kosovës, të dyshuarit për sulmin mbeten ende të panjohur. Rasti, nga këta të fundit po trajtohet si “Shkaktim i Rrezikut të Përgjithshëm” dhe “Dëmtim Prone”.

Në xhamat e lokalit të biznesit ‘Pixie Group’ vërehen ende vrimat e pesë plumbave që u shkrepen në to, derisa xhama të thyer në tokë, të premten, kishte edhe pak metra përballë, në parkingun, ku u dëmtuan dy vetura nga të njëjtit sulmues.

-Advertisement-

Më shumë artikuj

- Advertisement -

Të fundit