Ish-kryeministri Ramush Haradinaj ka vazhduar me angazhime e tij të fundit në përfaqësimin e Qeverisë së Kosovës, derisa në Zyrën e tij të deritanishme është ulur Albin Kurti.
Haradinaj ka njoftuar se gjatë ditës ka marrë pjesë në forume bashkë me liderë nga Evropa, senatorë e kongresë amerikanë.
“Sot në Senatin Amerikan, mora pjesë në forumin e organizuar nga Senatori Inhofe Kryesues i Komitetit për Shërbimet e Armatosura dhe Gjenerali Jim Jones, rreth temës së kërcënimeve ndaj sigurisë duke e përfshi edhe atë kibernetike. Në këtë forum, mes senatorëve dhe kongresmenëve të SHBA si dhe udhëheqësve nga Europa Juglindore, diskutuam për nevojën e ngritjes së kapaciteteve për të qenë më të fortë në mbrojtje nga kërcënimet e sigurisë dhe influencës se Kinës dhe Rusisë në sistemet e telekomunikimit”, ka shkruar Haradinaj në Facebook, transmeton Gazeta Express.
Ish-kryeministri thotë se Kosova nuk ka rënë nën ndikimin rus e kinezë dhe se ka refuzuar bashkëpunimin me kompanitë e Kinës në fushën e telekomunikim.
“Siguria vjen e para! Kosova nuk ka rënë pre e kësaj influence pasi ka refuzuar investimet Kineze dhe Ruse e veçanërisht ka refuzuar kompanitë Kineze në fushën e telekomunikimit dhe 5G. Kosova me krenari është rreshtuar ne krah të SHBA-ve dhe partnerëve të saj dhe ky qëndrim i qartë forcon partneritetin dhe miqësinë”, ka shkruar ai.