Avokati Tomë Gashi i ftuar në një emision ka folur rreth rastit ku ai shihej duke shqelmuar një shportë të plastikës të një personi që kërkon lëmoshë në sheshin e Prishtinës. Gashi ka thënë se ata persona keqpërdoren nga bosat e tyre. Ai ka thënë se nuk e ka goditur personin.
“Ka qenë shportë e plastikës, nuk është goditë asnjë person.
Unë kam zyrën aty, ai vend duket se është shënjestër, ata më së paku janë lypësa, apo persona që kërkojnë lëmoshë. Janë mashtrues, të cilët janë keqpërdorur prej bosave të tyre”, ka thënë Gashi.
Ai ka thënë se as Policia e as Inspektorati nuk kanë reaguar ndaj lypsëve në rrugët e Prishtinës.
“Kjo nuk ka qenë hera e parë, por besoj se do të jetë e fundit kur ne qytetarët reagojmë në mënyra të llojllojshme për t’i larguar.
Qytetarët kanë publikuar pamje, me dhjetëra e qindra herë. E kemi ftu policinë dhe inspektoratin.
Mu më ka ndodhur me dalë me inspektorat dhe me polici, kemi dalë dhe i kemi pa në situata të tilla, janë më të shëndoshë se unë, i bëjnë këto inskenime, ato vajtime që të trishtojnë. Për shkak se ai është njëfarë detyrimi me ua dhënë ndonjë lek, sepse ata as që janë të Kosovës, por s’ka lidhje ajo”, ka thënë ai.
Gashi ka thënë se Policia ka dënuar një klientë të tij pse ka qeshur në rrugë, kurse personat që kërkojnë lëmoshë vazhdimisht shkaktojnë zhurmë.
“Inspeksioni bën kontrollë, por në raport me këta persona të cilët janë mashtrues dhe pjesë të një grupi të organizuar për marrje të lëmoshës, në mënyra të tilla, të frikshme inspektorët kanë thënë se ne nuk mund t’i largojmë.
Policia e Kosovës e ka dënu një kliente timen e cila ka qeshur në orët e vona të natës, u kam thënë policëve si e keni dënu një person që ka qeshë një herë, por këta i keni në rrugë që dy vite.
Më tepër se dy vite ata janë aty permanent, njëri shtrihet në atë mënyrë të trishtueshme, pas një ore, është tek ministria e kulturës një dru, aty me ekipin e tij bëjnë fiskulturë, pastaj rituali vazhdon i njëjtë”, është shprehur ai.
Avokati Gashi ka thënë se i ka kërkuar personit që ta ndalë zërin por ai e ka fyer.
“Unë kam qenë duke ecur, jam ndalë me folë me të me i kërku me e ndalë zërin, sepse ka pasur edhe raste të mëhershme, nuk është hera e parë që kam folë me ta.
Fyerjet që ai i ka bërë, nuk mund t’i them tani, kam tentu me i thënë ule zërin, s’kam pasur kontakt fizik me të, sepse ka pasur pretendime se e kam goditur.
Aty ka pasur persona që kanë incizuar me telefona dhe s’kam reaguar. Në momentin që ka pasur fyerje nuk e kam prekë, ia kam largu shportën”, tha ai.
Ai ka thënë se veprimi i tij është individual dhe nuk ka të bëjë asgjë me Lëvizjen Vetëvendosje.
“Ai ka vazhdu me “punën” e tij, ka vazhdu me i mashtru qytetarët.
Nuk ma merr mendja që duhet me i kërku falje dikujt, përveç nëse dikush është traumatizu si individ, që s’ka pasë nevojë.
VV’ja s’ka të bëjë asgjë me këtë, këmba ime që e ka largu atë shportë, nuk është e Albin Kurtit”, ka thënë Gashi.