Nënkryetari i Prishtinës, Muhedin Nushi, ka treguar masat preventive që i ka ndërmarrë Komuna ndaj përhapjes së coronavirusit.
Ai i ka lutur qytetarët që të lajmërohen fillimisht në numrin e urgjencave 194, ku mund të këshillohen se a duhet të drejtohen në Qendrën e Mjekësisë Familjare apo QKUK.
“I lus qytetarët që të mos iu drejtohet drejtpërsëdrejti Klinikës Infektive, por fillimisht të drejtohen në Qendrën e Mjekësisë Familjare.
I lus që të lajmërohen fillimisht në numrin e urgjencave 194. Ky është numri i urgjencave ku qytetarët mund të këshillohen se a duhet të drejtohen në QMF apo QKUK”, tha ai për Klan Kosova.
Ai ka folur edhe për masat preventive që i ka ndërmarrë komuna e Prishtinës. “Masat preventive që i ka ndërmarrë Komuna e Prishtinës – ju e dini se nga e hëna është marrë vendimi për t’u mbyllur katër qendrat për të moshuarit – qëllimi i mbylljes ka qenë se kjo është grupmosha më e rrezikuar”.
“Pardje është marrë vendimit tjetër në nivel të komunës ku në përputhje me vendimin e Qeverisë janë mbyllur të gjitha shkollat në Komunën e Prishtinës. Po ashtu është marrë vendimi që të gjitha tubimet dhe aktivitetet kulturore si dhe lejet e lëshuara deri tani të pezullohen”.
Ai tha se të gjithë punëtorët e Komunës, posaçërisht ata që janë në kontakt me qytetarët janë të pajisur me maska, dorëza dhe dezinfektues ku që nga dje janë duke i përdorur.
“Hapësirat e objekteve të Komunës së Prishtinës dezinfektohen gjatë vikendit për shkak se gjatë këtyre ditëve nuk do të ketë shërbime për qytetarët”.
Nushi ka theksuar se të gjitha Qendrat e Mjekësisë Familjarë janë të përgatitura për çfarëdolloj intervenimi që mund të ketë nevojë.