Ndërkaq, Thaçi thotë se s’ka një marrëveshje të tillë mes dy vendeve, dhe një pretendim të tillë e quan “lajm të rremë”.
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka reaguar ndaj një shkrimi të Shaun Byrnes, diplomat i pensionuar amerikan që shërbeu si shef i misionit mbikëqyrës amerikan në Kosovë më 1998-99.
Në shkrimin e tij të botuar në blogun e analistit të njohur, Daniel Serwer, Byrnes thotë se Presidenti i Kosovës, Thaçi, dhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, kanë përgatitur një draft-marrëveshje gjithëpërfshirëse për t’i dhënë fund konfliktit që ka përcaktuar marrëdhëniet e Serbisë me qytetarët e saj shqiptarë për një shekull. Por, ai thotë se në këtë marrëveshje raportohet se përfshihet shkëmbimi i territoreve.
Ndërkaq, Thaçi thotë se s’ka një marrëveshje të tillë mes dy vendeve, dhe një pretendim të tillë e quan “lajm të rremë”.
“Zhgënjyese të shohësh miqtë e Kosovës dhe të mitë, Daniel Serwer e Shaun Byrnes, duke u mashtruar nga lajmet e rreme.
Nuk ka marrëveshje apo asgjë të tillë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Një e tillë mund të arrihet përmes një procesi transparent me lidershipin e SHBA-së dhe ju ftoj që të ndihmoni.
Grenelli është duke bërë një punë të shkëlqyer”, ka shkruar Thaçi në një postim në Twitter, duke iu kundërpërgjigjur shkrimit të Shaun Byrnesit.
Ai më tej thotë se Uashingtoni e ka vëmendjen e plotë në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe shton se është barra e gjeneratës tonë “që t’i japim fund konfliktit dhe të hapim rrugën për integrimin euroatlantik dhe prosperitetin ekonomik”.
“Ne kemi nevojë për mbështetje në këtë proces, e jo pengesa, e as kundërshtime. Kjo ka të bëjë për fëmijët tanë”, përfundoi Thaçi.