Deputeti i Kuvendit të Kosovës, Etem Arifi, do të duhej që më 9 mars të paraqitej në Qendrën e Paraburgimit në Prishtinë për ta vuajtur dënimin prej 1 vit e 3 muaj burgim pasi është dënuar për veprën penale të mashtrimit me subvencione.Por, deputeti nuk ishte paraqitur në burg.Këtë e ka konfirmuar për KALLXO.com zyrtari për informim i Shërbimit Korrektues të Kosovës, Isuf Iberdemaj.KALLXO.com ka kontaktuar edhe deputetin Arifi.
Ai ka konfirmuar se më 9 mars do të duhej të paraqitej për ta vuajtur dënimin.“Për momentin jam i sëmurë dhe është shtyrë ekzekutimi dhe ta shohim deri sa të jem në një gjendje më të mirë sepse kështu më kanë rekomanduar mjekët dhe gjykata”, tha ai.Megjithatë, kjo nuk e ka penguar deputetin të merrte pjesë në seancën e Kuvendit të Kosovës më 25 mars, kur u votua për rrëzimin e Qeverisë së Kosovës.Vetë deputeti e pranon se ka votuar për rrëzimin e Qeverisë Kurti.Lajmin se Etem Arifi nuk është paraqitur në burg për vuajtje të dënimit e ka konfirmuar zyrtari për informim i Shërbimit Korrektues të Kosovës, Isuf Iberdemaj.
Iberdemaj tha për KALLXO.com se i dënuari Etem Arifi nuk ishte paraqitur vullnetarisht për mbajtjen e dënimit dhe se për këtë Shërbimi Korrektues e ka njoftuar edhe Gjykatën e Prishtinës.Ndërsa Bajram Gashi, i dënuari i dytë, ishte paraqitur vullnetarisht për vuajtje të dënimit në Qendrën e Paraburgimit në Prishtinë.Kujtojmë se Etem Arifi dhe Bajram Gashi më 20 prill 2018 janë dënuar nga gjykata e shkallës së parë me dënim me kusht prej 2 viteve, dënim ky i cili nuk do të ekzekutohej nëse brenda 3 viteve nuk kryenin vepër të re penale.Por, Gjykata e Apelit kishte aprovuar ankesën e Prokurorisë Speciale sa i përket vendimit mbi dënimin, dhe aktgjykimin e shkallës së parë e kishte ndryshuar në këtë pjesë ku të akuzuarit Etem Arifi i kishte shqiptuar dënim me burgim prej 1 viti e 3 muaj, ndërsa Bajram Gashit i kishte shqiptuar dënim me burgim prej 1 viti.Deputeti Etem Arifi dhe Bajram Gashi, drejtori i OJQ-së “Zëri i Ashkalinjve”, akuzohen për përvetësim të rreth 26 mijë eurove.Sipas aktakuzës, Arifi e Gashi subvencionet e pranuara nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale për ashkalinj dhe egjiptas si dhe subvencionet nga Zyra e Ministrit për Integrim për festimin e ditës së flamurit për komunitetin ashkali nuk i kanë përdorur për qëllime të cilat u janë dhënë por i kanë përvetësuar për vete dhe persona të tjerë.Më tej, në aktakuzë thuhej se me rastin e aplikimit për marrjen e këtyre subvencioneve, Gashi në cilësinë e drejtorit të OJQ-së “Zëri i Ashkalinjve për Integrim” ka paraqitur të dhëna fiktive për OJQ-në në fjalë, të dhëna këto kusht për aprovimin e subvencionit.
Ndërkaq, i akuzuari Etem Arifi si person zyrtar, deputet nga Partia e Ashkalinjve për Integrim në Parlamentin e Republikës së Kosovës, në periudhën kohore dhjetor 2012-2013 në Prishtinë ka ushtruar ndikim te zyrtarët e Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale për dhënien e subvencioneve, edhe pse ka ditur që kjo OJQ është organizatë fiktive dhe falë ndikimit të tij OJQ-ja në fjalë ka pranuar nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale dhe nga Zyra e Kryeministrit për Komunitete për festimin e ditës së flamurit për komunitetin ashkali të holla në vlerën prej 25,646.00 eurove.Prokuroria pretendon se këto të holla të akuzuarit i kanë përvetësuar për vete.Me këtë, dy të akuzuarit ngarkohen me veprën penale mashtrim në subvencione në bashkëkryerje.