2 C
Pristina
Monday, November 18, 2024

Mjekët dhe policët të pakënaqur që nga 300 euro shtesë mujore, ua ndalën si tatime 46 euro

Rekomandime

Mjekët dhe policët kanë marrë dy lajme sot, një të mirë dhe një që e kanë konsideruar të keq. Lajmi i mirë ishte se në kontot e tyre kanë dalë shtesat e premtuara për shkak të angazhimit direkt me pandeminë coronavirus.

- Advertisement -

Por, lajm të keq e kanë konsideruar se nga 300 euro shtesë të premtuara shteti ua ka ndalë 46 euro si tatime, ashtu siç bën rëndom me pagat. Dhe kjo, sipas disa pjesëtarëve të stafit mjekësor në Kliniken Infektive, aty edhe ku po përballen me të prekurit nga Covid, nuk është pritur mirë.

“Unë kam pagën 485 euro. Me shtesën që është dalë sot është dashur që të kem 785 euro në konto, por në fakt kanë dalë 739 euro, që i bie 46 euro janë ndalë si tatime”, ka thënë për Reporterin një pjesëtar i stafit mjekësor. I ka thënë Reporterit po ashtu se kjo ka ngjallë pakënaqësi tek mjekët, pasi ata kanë pritur që shtesat e premtuara të mos tatohen.

Nga 600 euro pra, sa është paraparë të marrin si mjete shtese, atyre u ndalen 92 euro.
“Nuk kemi qenë po ashtu të njoftuar se do të tatohen, kemi menduar ndryshe”, ka thënë ky pjesëtar i stafit mjekësor në QKUK.

- Advertisement -

Se këto shtesa janë tatuar njëjtë si pagat e rregullta e ka konfirmuar edhe një zyrtar i lartë i Ministrisë së Financave.

Gazeta Online “Reporteri.net” ka biseduar me Zv.Ministrin e Financave, Agim Krasniqi, për këtë çështje i cili në një mënyrë ka konfirmuar se nga shtesa prej 300 eurove janë ndalë 46 euro si tatime e kontribute.

- Advertisement -

“Nuk është thënë kërkun që jepet neto. Çdo e hyrë element i pagës duhet me u tatimu dhe me u dhanë kontributet. Shtesa ka shkuar në pagë, bëhet bruto, nalen tatimet, ligji ashtu e thotë. Nëse e ka pas pagën 700 euro një zyrtar dhe i është dhënë shtesa 300 euro bëhet paga 1 mijë euro bruto, në këtë 1 mijëshen ndalen kontributet”, ka thënë Krasniqi për Reporteri.net.

Qeveria në detyrë në Pakon Fiskale Emergjente për shkak të gjendjes me pandeminë kishte marrë vendim që t’i ndahen 300 euro shtesë mjekëve dhe infermierëve.

“Stafi mjekësor, policëve dhe zjarrfikësve. Qeveria e Republikës së Kosovës në bazë të këtij propozimi për këto kategori të nëpunësve publikë do të ndante një shpërblim shtesë në masën fikse prej 300 eurove për secilin në dy muajt në vijim. Pa marrë parasysh nivelin e pagës, gradës secili përfiton prej 300 euro për dy muaj në vijim”, kishte thënë në një konferencë Ministri i Financave dhe Transfereve, Besnik Bislimi.

Ndarja e nga 300 euro për muaj, për dy muaj angazhim, ishte paraparë si Masa 6, në kuadër të Pakos Ekonomike Emergjente

“Sigurimi i shtesës mbi pagë në vlerë prej treqind (300 €) euro për punëtorët në terren dhe që janë të ekspozuar drejtpërdrejtë rrezikut të infektimit në punën e tyre (jo i gjithë stafi i institucionit): Stafi mjekësor (mjekët dhe infermierët), policët e Policisë së Kosovës, zyrtarët (gardianet) e Shërbimit Korrektues, zyrtarët (zjarrfikësit) e Agjencisë së Menaxhimit të Emergjencave, personeli (ushtarët) i FSK-së, punëtorët që punojnë në Karantinë – Qendra e Studentëve të Prishtinës, zyrtarët (inspektorët) e Inspektoratit të Punës, zyrtarët (inspektorët) e Administratës Tatimore të Kosovës, Zyrtarët (doganierët) e Doganës së Kosovës, zyrtarët (inspektorët) e Inspektoratit të Tregut, zyrtarët (inspektorët) e inspektorateve përkatëse komunale, zyrtarët e Inspektorati të Mjekësisë së Punës, për muajin Prill dhe Maj deri në vlerë prej pesëmbëdhjetë milion (15,000,000.00 €) euro”, thuhej në tekstin e Pakos.

Se kanë mbetur paksa të pakënaqur e të befasuar me këtë gjë, kanë konfirmuar për Reporterin edhe pjesëtarë të policisë së Kosovës. Ata në kushte anonimiteti kanë thënë se në ditët në vazhdim do të flasin edhe për disa shtesa të tjera rreth pagesës së ushqimit për orarin e zgjatur në këtë kohë pandemie.

-Advertisement-

Më shumë artikuj

- Advertisement -

Të fundit