Në një video që u publikua ditëve të fundit shihet Qani Rexhepi, vëllai i kryetarit të Bashkësisë Islame në Maqedoninë e Veriut Sylejman Rexhepit, duke e ofenduar rëndë heroin Adem Jashari.
Pas raportimeve se të njëjtit ishin dekoruar nga OVL-ja e UÇK-së, këta të fundit e sqaruan se nuk kanë ndarë mirënjohje për Qani Rexhepin dhe tre pjesëtarët e Medresesë “Isa Beu” në Maqedoninë e Veriut – që shihen në këtë video të publikuar nga një gazetar maqedonas.
Por, imami në xhaminë e Drenasit Osman Musliu reagoi ashpër pse OVL-ja e UÇK-së nuk e revokoi mirënjohjen e dhënë për vëllain e myftiut që e fyu rëndë Adem Jasharin.
“U nervozova kur e pashë këtë video që del një familjar i myftiut lëshon muzikë serbe në mes të Kosovës dhe merr guximin që ta shajë Adem Jasharin. Unë nuk e mbroj Adem Jasharin, sepse ai e ka mbrojtur veten shumë herët prej kur e ka nisur luftën që të na çlirojë prej okupatorit serb. Nuk ka shqiptar që mund ta mbrojë Adem Jasharin”.
“Unë u mllefosa aq shumë edhe e bëra një postim ku reagova. Kur e pashë në konferencën për media Nasim Haradinajn në seli të OVL-së së UÇK-së e analizova. Më dolën pesë të pavërteta me ato që tha ai. Para se ta fillojë konferencën, Nasimi kur e shpjegoi këtë video filloi me ‘gazetarin kontravers’, derisa unë gjeta argumente që ky gazetari veç e ka ripublikuar këtë video, sepse më 4 maj kjo video ishte nëpër portale të Maqedonisë së Veriut”.