Ketë javë është riaktualizuar çështja e shkëmbimit të territoreve për Kosovën, në politiken e brendshme të vendit më deklarata kur Hashim Thaçi akuzohet për një ide të tillë, derisa tashmë u be e ditur se edhe Bundestagu gjerman është kundër ndryshimit të kufijve aktual të Kosovës.
Të mërkurën ishte debati i parë, prej të cilit u bë e qartë edhe se përveç dy partive ideologjikisht të skajshme, e majta dhe Alternativa për Gjermaninë, katër partitë e qendrës: dy partitë e koalicionit, Unioni Kristian-Demokrat/ Unioni Kristian-Social (CDU / CSU) dhe Partia Socialdemokrate (SPD), si edhe liberalët (FDP) dhe Të Gjelbrit (Grüne), do të votojnë pro zgjatjes së mandatit.
Pikërisht këto katër parti e refuzojnë kategorikisht edhe këmbimin territorial si zgjidhje mes Kosovës dhe Serbisë, siç doli në pah nga deklaratat e folësve të tyre.
Qeveria gjermane planifikon të vërë në dispozicion deri në 400 ushtarë të Bundesëehr-it në kuadër të KFOR-it. Siç bëri të ditur ministri i jashtëm, Heiko Maas, aktualisht veprojnë në Kosovë 70 ushtarë të Bundesëehrit. Ministri socialdemokrat e përshkroi gjendjen e sigurisë relativisht të qëndrueshme, por tha se në aspektin politik marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë janë përkeqësuar, dhe premtoi angazhimin e mëtejmë të Gjermanisë për vazhdimin e dialogut,e dhe në kuadër të presidencës gjermane të BE-së, që fillon më 1 korrik. Maas shfrytëzoi rastin ta hidhte poshtë idenë për këmbimin e territoreve:
“Qëllimi është që të largohemi nga zgjidhjet me kufij, të cilat janë parashtruar në tryezë jo vetëm nga palët, por edhe nga të tjerë, që duan të ushtrojnë ndikim atje. Por kjo do të arrinte vetëm një gjoja-përparim, nëse do të quhej përparim, duke pasur parasysh gjendjen e atjeshme. Lojëra me ide të tilla vetëm sa e shtyjnë zgjidhjen për problemet komplekse dhe nuk çojnë askund vetëm se në një rrugë qorre.”
Të akuzuarit e vazhdueshëm të një ideje të tillë për shkëmbim territoresh janë presidenti aktual i Kosovës, Hashim Thaçi dhe ai i Serbisë Aleksander Vuçiq, derisa shpesh është akuzuar edhe kryeministri i Shqipërisë Edi Rama.
Thaçi dhe Vuçiq i nxorën hartat
Në lidhje më ketë profesori dhe opinionisti Enver Bytyçi ka thënë për “Bota Sot” se çështja e shkëmbimit të territoreve është riaktivizuar në vjeshtën dhe dimrin e kaluar dhe duket se ka fituar terren në këto kohë pandemie, veçmas pas rrëzimit të qeverisë Kurti.
“Në Samitin e Berlinit të 19 prillit të 2019-ës, megjithëse Thaçi dhe Vuçiq, të nxitur nga Rama, i nxorën hartat në sallën e samitit, këta morën një refuzim të egër kundër këtij projekti nga ana e zonjës Merkel. Madje, sipas burimeve të brendshme, zonja Merkel e ka paralajmëruar Edi Ramën, se nëse mbështet projektin e ndarjes së Kosovës do të përballet me një reagim të ashpër të Gjermanisë, duke i kujtuar aspiratën e shqiptarëve për integrim në BE”, thotë profesori derisa shton se, kjo është arsyeja pse Edi Rama punon në fshehtësi për projektin e Aleksandër Vuçiq dhe nuk flet për projektin në fjalë.
“Hashim Thaçi ishte protagonisti i ndarjes, së bashku me Vuçiq. Në dy televizione të Tiranës presidenti Thaçi mohoi se ka në agjendë ndarja e Kosovës, por i shtoi dyshimet kur thoshte se “në momentin e duhur do të jetë transparent” dhe gënjeu kur tha se “si president e ka detyrim kushtetues të udhëheqë dialogun me Serbinë”! Sa për aspektin e transparencës, ai ka në plan që marrëveshjen me shkëmbim të territoreve ta bëjë fakt të kryer dhe pasi ta firmosë atë ta bëjë transparente. Sa i përket udhëheqjes së dialogut, të gjithë e dinë se vitin e kaluar Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka njohur si autoritet të udhëheqjes së bisedimeve me Serbinë vetëm kryeministrin. Pikërisht ky vendim i Kushtetueses e bëri Thaçin që t’i bashkojë vasalët e tij dhe ta rrëzojë qeverinë legjitime me 25 mars të këtij viti. Ai nuk kishte asnjë mundësi të firmoste një marrëveshje të tillë në kundërshtim me vullnetin dhe bindjen e kryeministrit Kurti. Zgjodhi aleatin e përhershëm, Isa Mustafa, i cili në vitin 2014 iku nga VLAN-i për t’u bashkuar me Thaçin në qeverisjen e vendit” ka thënë Bytyçi.
Luftë nëse ndodh ndarja e Kosovës
Sipas tij, duhet ditur se ndarja e Kosovës përmes shkëmbimit të territoreve e nxjerr shtetin dhe institucionet e tij jashtë funksionit.
“Ka dy elementë që e përbëjnë shtetësinë: Popullsia dhe territori. Ndaj në ligjet ndërkombëtare është i sanksionuar parimi i mos ndryshimit të territorit. Nuk ka rast të vetëm në botë kur ndryshimet territoriale të mos kenë çuar në konflikte. Ndërsa në Ballkan kemi një histori 200 vjeçare të luftës së Serbisë për territore të popujve dhe kombeve të tjera. Në rastin konkret ajo lufton për të vënë dorë në pjesën më të pasur dhe më vitale të Kosovës, në veri”.
Ai shton se, është e sigurt se ndarja e Kosovës do të pasohet me ndarjen e Republikës Serbe.
“Dhe prej këtu konflikti për territore e ndarje do të kalojë në Mal të Zi, ku popullsia serbe përbën 33% të këtij vendi. E më tej, kërcënohet ekzistenca e shtetit të Maqedonisë. Këto lëvizje fillojnë në veri të Kosovës dhe përfundojnë në konflikte të përgjakshme në të gjitha territoret ish-jugosllave. E gjitha për shkak të apetit serb për territore. Kjo është politikë e shekullit 19-të dhe fillimit të shekullit XX. Dhe më në fund këto ndarje çojnë në rritjen e pranisë ruse në Ballkan dhe eliminimin e rolit të BE-së në këtë rajon”.
“Bundestagu i Gjermanisë e kundërshtoi me forcë një politikë të tillë. Eshtë një ogur i mirë ky. Është një nxitje e shqiptarëve që e duan atdheun në çdo centimetër katror për ta mbrojtur territorin shqiptar nga armiqtë e kombit tonë, ku tashmë bën pjesë edhe presidenti Thaçi, përveç Baton Haxhiut! Jam i sigurt, se në Kosovë do të fillojë një luftë e re, nëse Thaçi a dikush tjetër pajtohet me ndarjen e saj. Lufta është legjitime në çdo kohë kur dikush cenon territorin e vendit, qoftë ky dikush edhe presidenti i një vendi të caktuar, sepse atdheu nuk është i presidentëve, madje nuk ka qenë as vetëm i perandorëve! Zgjidhja është e thjeshtë: Të bashkohen politikanët në Prishtinë dhe të betohen se kurrë nuk do të pranojnë dhe nuk do të lejojnë që të cenohet territori i Kosovës! Por në vend të bashkohen, është Hashim Thaçi që i ka përçarë ata” ka thënë për “Bota Sot” profesori dhe opinionisti Enver Bytyçi.
Që nga viti i kaluar, çështja e këmbimit të territoreve midis Kosovës dhe Serbisë ka vazhduar të jetë objekt diskutimi edhe gjatë këtyre javëve të fundit në qarqet politike vendore por edhe ato ndërkombëtare.
Njohësi çështjeve politike Rexhep Elezaj në një bisedë për “Bota Sot” ka thënë se çështja e këmbimit të territoreve midis Kosovës dhe Serbisë ka vazhduar të jetë objekt diskutimi edhe gjatë këtyre javëve të fundit në qarqet politike vendore si dhe ato diplomatike evropiane dhe në SHBA, edhe pranë faktit se dialogu Prishtinë-Beograd ka më shumë se një vit e gjysmë që është ndërpre.
“Kjo tregon se sa e rrezikshme për Kosovën ka qenë ideja e këmbimit të territoreve, e iniciuar para më shumë se dy viteve nga presidenti serb Aleksander Vuçiç dhe e miratuar nga ai i Kosovës, H. Thaçi, të cilët me një nismë të këtillë ogurzezë në dëm të pavarësisë dhe shtetësisë së Kosovës, të gjitha çështjet tjera të cilat do duhej të ishin trajtuar në agjendën e dialogut, siç janë dëmet dhe riparimet e luftës, koncesionet, çështja e të pagjeturve dhe ajo njohjes së pavarësisë së Kosovës nga ana e Beogradit zyrtarë, etj, u spostuan në plan të dytë dhe tretë, dhe, ky ishte pikërisht synim taktik dhe strategjik i Alekander Vuçiçit, që të fitojë sa më shumë kohë dhe këto tema kyçe për Kosovën të mos bisedohen fare!”.
“Lirisht mund të them, se pala serbe në këtë plan diplomatik ia ka dalë me sukses, që përmes temës së këmbimit të territoreve tërë diplomacinë euro-perëndimore ta zhys në një debat pa kufi, i cili madje shkaktoi polarizim dhe përçarje, sikur brenda BE-së, po ashtu edhe në SHBA, pro dhe kundër ndryshimit të kufijve. Mirëpo, për fat të mirë të Kosovës, edhe pse qysh me kohë dihej qëndrimi i Gjermanisë lidhur me çështjen e ndryshimit të kufijve midis Kosovës dhe Serbisë, e që ishte kategorikisht kundër, dje Bundestagu gjerman, ia vuri pikën kësaj çështjeje tejet me rëndësi, i cili u deklarua hapur kundër çdo ndryshimi të kufijve në Ballkanin perëndimorë, por edhe kudo tjetër në Evropë. Sepse, siç u tha në debatin e djeshëm në Bundestag, një akt i tillë do ta fuste gjithë Evropën në luftëra të reja si dhe spastrime etnike të tmerrshme. Pra, Gjermania si udhëheqëse e BE-së në gjashtëmujorin e ardhshëm, në fakt dje e ka mbyllur definitivisht çështjen e këmbimit të territoreve midis Kosovës dhe Serbisë, dhe këtë momentum të ri udhëheqësit politikë kosovarë duhet ta shfrytëzojë me mençuri maksimale, duke ndërtuar favore të reja në arenën ndërkombëtare”, ka thëne ai.
Sipas Elezaj, në kuadër të këtyre rrjedhave të fundit lidhur me këmbimin e territoreve Kosovë-Serbi, ideja dhe angazhimi i presidentëve Thaçi-Vuçiq, mendoj se ka pësuar debakël të rënd personal, politik dhe diplomatik, sepse kjo temë si dhe synimi i tyre për ta copëtuar Kosovën po dështon turpshëm dhe përfundimisht.
“Sa i përket marrëveshjes finale midis Kosovës dhe Serbisë, ajo edhe ashtu sipas kompetencave që presidentit ia jep kushtetuta e Kosovës, ai nuk ka pasur të drejt që ta merr përsipër dhe në emër të Kosovës të zhvillojë bisedime me palën serbe, sepse vetëm qeveria e Kosovës, pra kryeministri, kanë të drejt dhe obligim kushtetues që ta ndërtojnë dhe zbatojnë politikën e jashtme të vendit, e jo presidenti Thaçi, i cili i ka uzurpuar këto të drejta qe disa vite. Prandaj, dialogu me Serbinë i filluar qysh para 7 viteve nuk ka dhënë deri më tash asnjë rezultati pozitiv për Kosovën, për t’i dhënë fund njëherë e mirë normalizimit të raporteve fqinjësore midis dy popujve dhe dy shteteve sovrane që me shekuj ishin në armiqësi dhe konflikte historike”, shton ai.
“Çdo marrëveshje finale me Serbinë nuk mund të lihet në dorë të presidentit Thaçi, sepse dialogu dhe çdo dialog tjetër, janë ekskluzivisht në kompetencat e qeverisë, dhe se kurrfarë marrëveshje me Serbinë nuk mund të nënshkruhet nga askush pa miratimin e saj në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Dhe, çdo lloj shkeljeje e kësaj procedure ligjore dhe kushtetuese do prodhon pa dyshim dëme të pariparueshme si dhe destabilizim politik për shtet ndërtimin dhe zhvillimin e më tejmë social dhe ekonomik të vendit tonë” ka thënë njohësi çështjeve politike Rexhep Elezaj.
“Në kuadër të marrëveshjes midis Kosovës dhe Serbisë janë disa opsione në tavolinë”
E njohësi i çështjeve juridike dhe të Kushtetutës Muhamet Kelmendi ka thënë për “Bota Sot” se në kuadër të marrëveshjes midis Kosovës dhe Serbisë janë disa opsione në tavolinë.
Sipas tij, tash edhe Unioni Evropian ka kaluar në anën që predikon një marrëveshje qoftë edhe me ndryshim të vijës kufitare a më ndërrim të territoreve. Dhe, ne kuadër të marrëveshjeve jo vetëm midis Kosovës dhe Serbisë por kudo nuk përjashtohen zgjidhjet e çështjeve me ndryshim të kufijve aktual.
“Në kuadër të marrëveshjes midis Kosovës dhe Serbisë janë disa opsione në tavolinë. Tash edhe Unioni Evropian ka kaluar në anën që predikon një marrëveshje qoftë edhe me ndryshim të vijës kufitare a me ndërrim të territoreve. Në kuadër të marrëveshjeve, jo vetëm midis Kosovës dhe Serbisë por kudo nuk përjashtohen zgjidhjet e çështjeve me ndryshim të kufijve aktual. Një zgjidhje është ajo e Thaçit me Vuçiq për ndërrim të viseve midis tyre. Ketë po e përkrah politika aktuale në Uashington dhe ajo ne Bruksel, kjo e fundit në Bruksel nuk ka ende qëndrim unik”, ka thënë Kelmendi.
Ai po ashtu ka shtuar se disa shtete në Union, si Gjermania, pastaj Anglia janë kundër ndryshimit të kufijve. Por, duket se edhe këto shtete duke tërhequr idenë e sui-generis, më në fund mund të pajtohen më marrëveshje.