3.4 C
Pristina
Monday, November 18, 2024

Presidentit i kërkohet dorëheqja nëse Gjykata ia rrëzon dekretin

Rekomandime

Gjykata Kushtetuese pritet që më së largu deri më 29 maj të interpretojë ligjshmërinë e nominimit të Avdullah Hotit si mandatar për kryeministër nga presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi. Ani pse nuk dihet përmbajtja e aktgjykimit, presidentit të vendit i është kërkuar të japë dorëheqje nga pozita në rast se del që ka shkelur Kushtetutën. Për Gazetën Express kanë folur nga partitë dhe njohësit e çështjeve politike.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi mbrëmë për herë të parë e ka përmendur mundësinë e dorëheqjes, në rast se Gjykata Kushtetuese vendos në favor të Lëvizjes Vetëvendosje në aktgjykimin ku do të interpretohet ligjshmëria e dekretit për mandatarin.

- Advertisement -

Thaçi tha se do të mbajë përgjegjësi të plotë për vendimin që do të nxirret nga Kushtetuesja, teksa tha se është gati që t’i marr përsipër pasojat.

Jam i gatshëm t’i marr përsipër pasojat siç kam qenë i gatshëm t’i marrë përsipër edhe përgjegjësitë me dekretimin e Hotit, jam i gatshëm t’i marrë përgjegjësitë e vendimmarrjes nga Gjykata Kushtetuese.

Unë nuk e di çfarë vendimi do të nxjerrë Gjykata Kushtetuese, nuk i di opinionet e tyre, ata duhet t’i lëmë të qetë, por nëse duhet me pagu çmim presidenti i vendit vetëm që vendi të ecë përpara”, ka thënë Thaçi, i pyetur për dorëheqjen në rast se konstatohet se ka shkelur Kushtetutën me vendimin e tij për dekretin.

- Advertisement -

Se Thaçi duhet të jep dorëheqje nga pozita e të parit të shtetit, e thonë edhe në Lëvizjen Vetëvendosje, që ka kërkuar nga Kushtetuesja të interpretojë nëse presidenti e ka shkelur Kushtetutën kur e ka mandatuar Avdullah Hotin për kryeministër.

Arlind Manxhuka nga sekretariati për media i Lëvizjes Vetëvendosje ka thënë për Gazetën Express se kërkesë e partisë së tij janë zgjedhjet e reja, sepse vetëm në këtë mënyrë sipas LVV’së zhbllokohet ngërçi politik në vend.

- Advertisement -

Sa i përket dorëheqjes së presidentit, në partinë e udhëhequr nga Albin Kurti thonë se i njëjti për çdo javë bën diçka që do të duhej ta çonte në dorëheqje.

LVV’ja vlerëson se është Hashim Thaçi e ka ulur shumë standardin e postit të presidentit të Kosovës.

“Kërkesa jonë kryesore, dhe e vetmja që e zhbllokon ngërçin politik në vend, janë zgjedhjet. Sa për Thaçin, ai thuajse në çdo javë bën diçka që në një vend normal do të duhej të çonte në dorëheqje. E ka ulur shumë standardin e postit të presidentit në Kosovë”, thonë nga Vetëvendosje për Gazetën.

Ndryshe nga Vetëvendosje vlerësojnë në partinë që mund të jetë partneri kryesor i LDK’së në qeverinë e re, në rast se dekreti i presidentit nuk del të jetë ndesh me Kushtetutën.

Nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, thonë se çfarëdo të jetë vendimi duhet të respektohet nga të gjitha palët.

Deputeti i AAK’së, Pal Lekaj i ka thënë Gazetës Express që duhet të pritet aktvendimi, e pastaj të flitet për dekretin.

“Duhet të pritet aktvendimi i Gjykatës Kushtetuese, pastaj të flitet për dekretin e presidentit, vendimi çfarëdo që të jetë, duhet që të gjitha palët ta respektojnë”, ka thënë Lekaj.

Se a duhet të dorëhiqet nga pozita e të parit të shtetit, Hashim Thaçi nëse del se ka marrë vendim ndesh me Kushtetutën, kanë treguar sot për Gazetën Express edhe njohësit e çështjeve politike në vend.

Ehat Miftaraj nga IKD thotë se nëse presidenti ka respekt për Kushtetutën atëherë do të duhej të dorëhiqej në rast se konstatohet se ka kryer shkelje.

“Politika në Kosovë ka degraduar në masë të madhe, sa që vlerat etike dhe parimore, thuajse nuk gjejnë zbatim fare në skenën tonë politike. Sikurse, nëse Presidenti do të kishte respekt për Kushtetutën dhe atë që përfaqëson kjo Kushtetutë, si në raport me kompetencat dhe përgjegjësitë e tij lidhur me unitetin e popullit dhe rolin e tij si garantues i funksionimit demokratik të institucioneve të Republikës së Kosovës, sigurisht se në aspektin moral dhe etik, i njëjti do të duhej të dorëhiqej në qoftë se Gjykata Kushtetuese do të konstatonte se i njëjti ka kryer shkelje kushtetuese, dhe pa pritur që ndaj tij te fillojnë procedurat sipas asaj që e përcakton Kushtetuta”, thotë për Miftaraj.

Sipas të njëjtit, megjithatë, së fundmi janë parë veprime të presidentit që kanë tejkaluar kompetencat dhe autorizimet e tij.

“Fatkeqësisht, kohëve të fundit, e veçanërisht nga mocioni i mos besimit ndaj qeverisë Kurti, qytetarët por edhe publiku ka parë veprime të Presidentit Thaçi që kanë tejkaluar kompetencat dhe autorizimet e tij, dhe duke mos i trajtuar të gjitha partitë politike në mënyrë të barabartë dhe me një averzion publik ndaj partisë fituese të zgjedhjeve të 6 tetorit 2019”, ka thënë Miftaraj për Gazetën Express.

Analisti Fitim Salihu ndërkaq numëron dy arsye se pse presidenti nuk është i detyruar që të dorëhiqet në rast se Kushtetuesja e rrëzon dekretin e tij.

“Edhe pse vetë Presidenti nuk e përjashtoi si mundësi në një intervistë të mbrëmshme, unë vlerësoj se janë dy arsye përse ai nuk është i detyruar të dorëhiqet në rast se Gjykata Kushtetuese e rrëzon dekretin e tij. E para, kemi të bëjmë me një nen diskutabil të Kushtetutës, i cili mu për shkak të paqartësisë së vet tani po ka nevojë për sqarim nga GjK-ja. Pra, logjikisht nuk mund të shkelësh diçka që është e paqartë. E dyta, në dallim prej dorëheqjeve të kaluara të presidentëve Sejdiu e Pacolli, në këtë rast nuk kemi të bëjmë as me shkelje në procesin e zgjedhjes së Presidentit (si tek rasti Pacolli) as me shkelje në ushtrimin e detyrës së Presidentit (si tek rasti Sejdiu). Pra, nuk është një vendim që në vetvete e konteston kriteriumin e të qenit president. Natyrisht, prapëseprapë dorëheqja nuk përjashtohet sepse është veprim i vullnetshëm e personal i secilit politikan”, ka thënë Salihu për Gazetën Express.

Neni 91 i Kushtetutës së Kosovës, flet edhe për herat që duhet të ndodhë shkarkimi i presidentit.

Në pikën e parë të këtij neni, thuhet se presidenti duhet të shkarkohet nëse Kushtetuesja përcakton se ai ka bërë shkelje të rëndë të Kushtetues.

“Presidenti i Republikës së Kosovës mund të shkarkohet nga Kuvendi nëse ai/ajo është dënuar për kryerjen e krimit të rëndë ose nëse ajo/ai nuk është i/e aftë për të ushtruar përgjegjësitë e këtij posti për shkak të sëmundjes së rëndë ose nëse Gjykata Kushtetuese ka përcaktuar se ajo/ai ka bërë shkelje të rëndë të Kushtetutës”, derisa, sqarohen edhe procedurat e shkarkimit të të parit të shtetit.

Në rast se Kushtetuesja përcakton se presidenti e ka shkelur Kushtetutën, atëherë mund të iniciohet procedura për shkarkim nga një e treta e deputetëve, që me anë të peticionit shpjegojnë arsyet për shkarkim.

“Në rast se peticioni supozon ndonjë shkelje të rëndë të Kushtetutës, peticioni duhet t’i dorëzohet menjëherë Gjykatës Kushtetuese, e cila vendosë për këtë çështje brenda shtatë (7) ditësh nga marrja e peticionit”, saktësohet në Kushtetutë.

Në rast se Gjykata Kushtetuese konstaton se presidenti ka bërë shkelje të rëndë të Kushtetutës, Kuvendi mund të shkarkojë Presidentin me dy të tretat e votave të të gjithë deputetëve të tij.

Dorëheqje nga posti i presidentit kishin dhënë pas vendimit nga Gjykata Kushtetuese se e kishin shkelur Kushtetutën edhe Fatmir Sejdiu e Behgjet Pacolli.

Sejdiu ishte zgjedhur president i Kosovës, me 10 shkurt të vitit 2006, derisa, dha dorëheqje nga posti me 27 shtator të 2010-të, pasi që Kushtetuesja konstatoi se e kishte shkelur Kushtetutën duke e mbajtur edhe postin e të parit të shtetit dhe postin e kryetarit të Lidhjes Demokratike.

Behgjet Pacolli ndërkaq, ishte zgjedhur president i Kosovës me datë 22 shkurt të vitit 2011, derisa, kishte dhënë dorëheqje me datë 30 mars të atij viti, pasi që Kushtetuesja e quajti jo kushtetuese vendimin për zgjedhjen e tij president./GazetaExpress/

-Advertisement-

Më shumë artikuj

- Advertisement -

Të fundit