7.1 C
Pristina
Monday, November 18, 2024

Thaçi, palë kryesore në betejën politike kundër Kurtit

Rekomandime

Presidenti Hashim Thaçi ka pandehur kryeministrin Albin Kurti dhe ministrat e partisë së tij për kriminelë. Analistët e kanë akuzuar kreun e shtetit se ka dalë nga roli i tij kushtetues dhe se është kthyer në polarizues të skenës politike, duke u bërë palë kryesore në betejën kundër kryeministrit në detyrë.

Thaçi ka thënë, të martën, se Kurti dhe disa ministra tani duhet të përballen me drejtësinë “për shkak të aktiviteteve kriminale dhe politike”, por nuk ka dhënë asnjë argument që do ta mbështeste këtë akuzë, shkruan KOHA.

- Advertisement -

“Kurti dhe grupi i tij ka ardhur koha që të ballafaqohen me drejtësinë, për shkak të veprimeve të tyre të kundërligjshme. Edhe ai, edhe Sveçla, edhe ministrja e Drejtësisë, edhe të tjerët Sfeçla dhe Vitia, që i kanë bërë me të vërtetë dëme të mëdha këta tre muaj vendit, duke shkelur edhe Kushtetutën, edhe ligjet”, ka thënë presidenti Thaçi. “E theksova edhe një herë, është koha që edhe z. Kurti e edhe e tërë grupa e tij të përballen me drejtësinë, për shkak të aktiviteteve kriminale dhe politike”, e ka përsëritur ai.

Akuza është bërë në kohën kur është duke u pritur verdikti i Gjykatës Kushtetuese për kushtetutshmërinë e dekretit, nëpërmjet të cilit presidenti e ka bërë mandatar për formimin e Qeverisë Avdullah Hotin e Lidhjes Demokratike (LDK), parti e cila e ka sponsorizuar mocionin e mosbesimit kundër Qeverisë Kurti.

Lëvizja Vetëvendosje (LVV) e Kurtit vazhdimisht ka theksuar se kumbara i mocionit ishte kreu i shtetit. Ajo e ka atakuar në Kushtetuese dekretin, meqë ka konsideruar se pas mocionit vendi duhet të shkojë në zgjedhje të parakohshme.

- Advertisement -

Imer Mushkolaj është publicist dhe e ka konsideruar shumë të papërgjegjshëm cilësimin që presidenti ia ka bërë Kurtit dhe LVV-së, duke i quajtur “Kurti dhe grupi i tij”.

“Kjo na tregon se beteja kryesore politike në Kosovë, me përfshirjen tash edhe të Gjykatës Kushtetuese, nuk është ajo në mes të Vetëvendosjes dhe LDK-së, por në mes të presidentit dhe Vetëvendosjes”, i ka thënë gazetës Mushkolaj. “Me këtë diskurs, me këtë gjuhë që po e përdor presidenti, ai po tregon se nuk po e kryen obligimin e vet kushtetues, që nënkupton se është sinonim i unifikimit të qytetarëve dhe duhet të qëndrojë mbi palët. Përkundrazi, ai po bëhet palë, thua se është kryetar i një subjekti politik, e jo president i të gjithë qytetarëve”.

- Advertisement -

Akuza e së martës, është më e rënda që kreu i shtetit e ka lansuar në drejtim të Kurtit dhe ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, si dhe ministrit të Shëndetësisë, Arben Vitia./koha

-Advertisement-

Më shumë artikuj

- Advertisement -

Të fundit