Pas disfatës në ndeshjen “finale” të Superligës në kategorinë e vajzave kundër Mitrovicës, Feronikeli ka reaguar ashpër, duke e akuzuar Bekim Haxhiun, të njohur si “Kamishi” dhe vëllain e tij që është president i Mitrovicës, Hajrullah Haxhiun, për fyerje e sulmim. Feronikeli u ankua edhe për golin e fitores të shënuar nga Kaltrina Biçkaj.
Sezoni 2019/20 i Superligës në kategorinë e vajzave në Kosovë u ndërpre në mars shkaku i përhapjes së koronavirusit. Deri në atë moment ishin zhvilluar vetëm 11 xhiro në ligën elitare të futbollit të vajzave në Kosovë dhe Mitrovica e mbante kreun e tabelës, me baras pikë me Feronikelin, shkruan Gazeta Express.
Federata e Futbollit e Kosovës vendosi që Mitrovica dhe Feronikeli ta zhvillojnë një ndeshje finale për ta shpallur kampionen shkaku se dy klubet kishin pikë të barabarta dhe ndeshja e tyre e vetme direkt përfundoi baras, përderisa elementi i goldallimit është tërhequr nga formati për përcaktimin e kampionit vitin e kaluar.
Mitrovica e fitoi këtë ndeshje të shtunën me rezulta 1:0, mirëpo Feronikeli e ka quajtur golin e fitores të shënuar nga Mitrovica “gol fantazmë”, ndërsa ka paralajmëruar ankesë edhe në UEFA.
Feronikeli shkruan se sot në rend të parë ishte vënë politika e jo sporti, ndërsa e akuzoi politikanin Bekim Haxhiu se i kishte fyer dhe sulmuar pjesëtarët e Feronikelit.
“Sot, në futbollin e Kosovës, politika akter në sport, një akt tejet i dënueshëm nga shtëpia më e madhe e futbollit UEFA, shtëpi në të cilën po përatisim edhe ankesë”, shkruan Feronikelin në letrën e publikuar në faqen zyrtare.
“Në ndeshjen finale, KFF Mitrovica – KFF Feronikeli, i pranishëm në tribuna ishte edhe deputeti, Bekim Haxhiu (Kamishi). Ardhja e tij në stadium është krejtësisht normale, mirëpo sa normale është shëtitja e tij gjatë gjithë kohës, e në mes pjesëve, edhe futja e tij edhe në zhveshtore?”
“Anësori e aprovoi një “gol fantazmë”, me të cilin u vendos ndeshja. Gol për të cilin ishte në hamendje edhe gjyqtari kryesor, e pas të cilit u ndal loja për 3-5 minuta, duke bërë që të konsultohen mes vete edhe gjyqtarët, për shkak të dyshimit që krijoji situata. Këtu po ua bashkangjesim edhe videon e cila mbetet të vlerësohet edhe nga përgjegjësit e FFK-së”
“Presidenti i KFF Mitrovicës që njëherish është edhe vëllau i “Kamishit”, si dhe zyrtarë të këtij klubi, nuk i kursyen në asnjë qast fyerjet më të rënda, në drejtim të Kryesisë së KFF Feronikelit, trajnerëve të klubit, madje në një moment ofendojnë edhe portieren e klubit që ishte në bankën rezervë, e cila po përgatitej për tu futur në ndeshje. Ata fyejnë dinjitetin e një sportisteje dhe dinjitetin e një femre, me shprehjet më të rënda të mundshme. Fyerje të cilat nuk mundi të i përballojë dhe u detyrua të ngjitet shkallëve të tribunave”
““Kamishi” tregoi “trimërinë” e tij edhe në dalje, duke fyer e duke tentuar që ti sulmojë Kryesinë e KFF Feronikelit, një kryesi e cila i rezervonte vendin në stadiumin “Rexhep Rexhepi””
“Ai së bashku me gjithë familjen e tij dhe njerëzit përreth, sulmuan dhe fyen gjatë gjithë kohës pjesëtarët e KFF Feronikelit, duke obliguar policinë dhe sigurimin të futet në mes”
“Duke e parë gjendjen, ne si klub ishim të detyruar të tërhiqemi nga ceremonia e medaljeve që është protokol zyrtar gjë e cila nuk do të dëshironim të ndodhte, por pasi që siguria e jonë dhe e vajzave kërcënohej jashtëzakonisht shumë, u detyruam ta marrim një vendim të tillë. Ato u fyen, u degraduan edhe madje edhe u sulmuan, duke bërë që ne si klub të tërhiqemi sa më shpejtë nga ai teren armiqësor”
““Kamishi” me “të tijët”, u përkujdesën për një lojë e cila nuk u luajt në fushë, por moralisht mori tjetër kahje, pasi që takimet që përfundojnë në fushë, përfundojnë me zgjatje të duarve, e jo me sharje e kërcënime e deri në tentim për konflikt fizik, duke futur sigurimin dhe policinë në mes”
“KFF Feronikeli të hënën në mëngjes, do të deponojnë ankesën në Federatën e Futbollit të Kosovës dhe poashtu direkt edhe në UEFA”
“UEFA ka luftë të pakompromistë të futjes së politikës në futboll dhe ne nuk do të jemi asnjëherë duarkryq sa i përket kësaj”.