Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj i ka uruar mirëseardhje mërgimtarëve, pas hapjes së Aeroportit të Prishtinës.
Ai thotë ata që janë krenaria vendit, energjia e atdheut, dhe se i japin shpirt e gjallëri vendit.
“Sapo të zbrisni nga aeroplani në tokën e Kosovës mos u bezdisni nëse mjekët tanë do t’iu bëjnë matjen e temperaturës trupore ose ndonjë kontroll mjekësor. Këtë e bëjnë për ta parandaluar përhapjen e virusit”, shtoi Zemaj.
Postimi i plotë:
Aeroportin e hapëm. Kosova ju mirëpret! Mirësevjen mërgatë!
Gjatë muajve të verës ju jeni energjia e atdheut. Ju i jepni shpirt dhe e gjallëroni vendin.
Paratë e djersës, remitancat që dërgoni janë frymëmarrja dhe vrulli i ekonomisë së Kosovës.
Atje ku jetoni jeni krenaria jonë! Ju çdo ditë e ndjeni mungesën e vendlindjes, zemrën e mendjen e keni në Kosovë, sikurse dhe ne tek ju.
Këta muajt e fundit pandemia Covid-19 ka shkaktuar mbylljen e kufijve dhe brutalisht na ka ndarë.
Që nga dita e parë ne si Qeveri kemi vënë në lëvizje tërë potencialin e ministrisë që të mundësohej sa më parë hapja e aeroportit “Adem Jashari”.
Sapo të zbrisni nga aeroplani në tokën e Kosovës mos u bezdisni nëse mjekët tanë do t’iu bëjnë matjen e temperaturës trupore ose ndonjë kontroll mjekësor.
Këtë e bëjnë për ta parandaluar përhapjen e virusit.
Me padurim presim t’iu takojmë!
Mirë se vini!